Aktualitet

Rama: Informatika do të futet që në klasë të parë

Shkruar nga Liberale
Rama: Informatika do të futet që në klasë të parë

Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar këtë të martë një dëgjesë publike me të rinjtë në Durrës, nxënës dhe studentë, për të folur mbi Strategjinë e Re Kombëtare për Rininë (2022-2029).

Kreu i qeverisë i ka njohur të rinjtë me një nga vendimet e qeverisë që në projektbuxhetin e vitit të ardhshëm të adresohet drejtpërdrejtë financimi i laboratorëve dhe çështja e mësimit të Informatikës. Rama tha se objektivi i qeverisë është që së shpejti Informatika të niset që në klasë të parë.

“Ne do të fillojmë punën për të plotësuar laboratorët e shkollave, jo të gjitha përnjëherë se nuk bëhen të gjitha përnjëherë por me qëllimin që plotësimi i laboratorëve të mos jetë një objektiv afatgjatë, por afatshkurtër dhe për të ndryshuar komplet sistemin e të mësuarit të informatikës duke u dhënë mundësinë nxënësve që të marrin një mësim cilësor, një mësim që nuk është mekanik, teorik, por është praktik. Duke shfrytëzuar një mësim që e keni marrë nga periudha e mbylljes që na ka treguar që nuk është e domosdoshme që të jemi fizikisht në të njëjtën hapësirë për të ndarë dijet tona, apo për të ndarë opinionet tona apo për të ndarë shqetësimet tona. Që do të thotë se sistemin e dhënies së mësimit të Informatikës, që kemi dhe njëkohësisht objektivin ta nisim qysh në klasë të parë së shpejti, do ta bëjmë sistem të qendërzuar ku falë mundësisë së lidhjes në distancë nxënësit duke pasur mësuesin përkatës të pranishëm në klasë të marrin një pjesë të konsiderueshme të mësimeve nga lektorë të nivelit më të lartë”, tha Rama.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH