Aktualitet

Rama, bisedë për 30 vjetorin e tranzicionit, me studiuesen Budini 

Shkruar nga Liberale
Rama, bisedë për 30 vjetorin e tranzicionit, me studiuesen

“Shqipëria e pas 30 viteve do të vendoset në dy zgjedhjet e ardhshme”

Kryeministri Edi Rama ka qenë personaliteti politik i radhës që u bë pjesë e ciklit të bisedave për tranzicionin demokratik shqiptar, drejtuar nga studiuesja Prof. Asoc. Belina Budini. Rama i është përgjigjur një pyetësori të thelluar në vijim të një projekti kërkimor që profesorja Budini zhvillon me Universitetin e Oksfordit, duke u përqendruar tek liderët politikë dhe demokratizimi në Shqipëri.

Cikli i bisedave zhvillohet me drejtuesit më të lartë të shtetit shqiptar pas viteve ’90. Ish-Presidentët, Kryeministrat dhe Kryetarët e Kuvendit të kësaj periudhe sjellin refleksionet, kujtimet, fjalimet dhe bisedat e tyre mbi atë se çfarë ka ndodhur, rolin që kanë pasur, sfidat, arritjet dhe pendesat që ata kanë, tashmë parë në retrospektivë.

Kryeministri Rama rrëfeu mënyrën sesi u gjend i përfshirë në politikë, duke u shkëputur nga profesioni i pedagogut të artit, për të kaluar pastaj në disa pozicione kyçe, nga ai i Ministrit të Kulturës, i kryebashkiakut të Tiranës, i kryetarit të Partisë Socialiste dhe tashmë prej 8 vitesh si Kryeministër. Edhe pse nuk preferoi të konkretizonte nëpërmjet kujtimeve dhe refleksioneve hapat e ndjekur dhe mënyrën sesi rrodhën deri në finalizim, Rama tregoi se asnjë gjë nga ato që kanë ndodhur në jetën e tij politike nuk kanë qenë të planifikuara prej tij, duke ia lënë gjithë procesin ndikimit të universit, paracaktimit dhe nga ana tjetër rrethanave, njerëzve dhe kohës që jetoi.

Në politikën e përditshme, aktive kam hyrë i shtyrë nga fati, një humor i fortë i universit,  rrethanat, jo nga një plan i mirë menduar. Kam hyrë komplet pa plan dhe pa mendje, por edhe në këtë fushë vlen shprehja: “Jeta është ajo që ndodh, ndërsa ju jeni duke bërë plane”. Politika, në radhë të parë nuk është një fushë ekskluzive, është një aktivitet i hapur edhe për ata që kanë një punë apo aktivitet tjetër. Si e tillë, mua më ka interesuar gjithnjë, dhe më ka interesuar që kur në këtë vend është bërë e mundur të flitet, të transmetohet lirisht. Besoj se këtë pjesë do ta kem edhe pasi të mos merrem më me politikë në mënyrë të përditshme”, u shpreh Rama.

Ai rrëfeu më tej se sfida e tij që e ka udhëhequr apo i ka hapur ‘oreksin’ për të qëndruar kaq gjatë në politikë, ka qenë sfida e ndryshimit, jo vetëm për të folur dhe vënë në pah gjërat, por edhe për t’i bërë realitet ndryshimet. Por çfarë ndryshimesh ka sjellë ai dhe në cilin post të mbajtur, ndryshimi i sjellë ka qenë më i dukshëm?

“Në të gjitha pozicionet e mundshme, kam arritur të bëj ndryshime, sigurisht që jo vetëm, por me ndihmën edhe të të tjerëve. Pesha e rëndësisë së ndryshimeve lidhet shumë me kontekstin, por besoj se nëse doni një, Tirana nuk do të ishte kjo që është, nëse unë nuk do të isha Kryetar Bashkie. Si Kryeministër, në çdo fushë i është hapur rruga ndryshmit, diku më i dukshëm, diku më i padukshëm. Nëse nuk do të kishte qenë PS dhe unë, nuk do të kishim ekuilibrin gjinor më të spikatur në Kombet e Bashkuara. Ky ka qenë një ndryshim i rëndësishëm, por sesa i qëndrueshëm do të jetë, vlen për t’u parë”, u shpreh kryeministri, duke shtuar se posti në të cilin është gjendur më rehat, është ai që mban aktualisht, pasi sipas tij ka më shumë se tension dhe ngarkesa e sfidave është më e madhe.

Por pavarësisht ndryshimeve, Kryeministri tha se Shqipëria nuk është atje ku ai dëshiron dhe se ndodhet në një rrugë transformimi, ku disa gjëra janë bërë shumë mirë dhe disa të tjera shumë keq. Sipas tij, asnjë gjë nuk është reformuar plotësisht në Shqipëri, çdo gjë është në proces reformimi të vazhdueshëm

“Shqipëria nuk është ajo që unë dua sot. Nëse krahasojmë me nga jemi nisur, Shqipëria s’krahasohet me atë që ka qenë. Nëse shikoj me sytë se si dua të jetë, nuk është ajo që duhet. Është në një fazë të ndërmjetme, mes asaj që ishte dhe asaj që duhet të jetë.  Por, ndërkombëtarisht, Shqipëria sot është më mirë se asnjëherë tjetër”, u shpreh ai.

E pyetur nga studiuesja Budini, nëse në bilanc, Kryeministrit i rezulton të ketë qenë më shumë demokratik, në stofin e liderit demokrat, apo ka marrë përmasa dhe ngjyrime autoritariste, sikurse kritikët e tij e ballafaqojnë shpesh herë me këto perspektiva, Rama tha se kritikët e tij ngatërrojnë gjuhën me veprimin.

“Kritikët ngatërrojnë tek unë gjuhën me veprimin. Unë në gjuhë mund të jem në momente të caktuara shumë i fortë për t’u përballuar dhe mund të dukem sikur kam një fuqi shtypëse, në mënyrën sesi përdor retorikën, kurse në veprim unë asnjëherë nuk jam arbitrar dhe gjithmonë veproj pasi dëgjoj shumë dhe konsultoj shumë dhe mbi të gjitha pasi merr vendime me të tjerë. Pra, nga pikëpamja e veprimit, nuk shoh as që të kem bërë dhe as që të kem prirje që ngushtojnë frymëmarrjen e të tjerëve”, u shpreh Rama.

Kryeministri u ndal edhe te komentimi i liderëve të tjerë politikë gjatë këtyre 30 viteve tranzicion, duke bërë një ndarje, nëse gjenden në anën e prirjeve demokratizuese, reformuese, modernizuese, apo në anën e liderëve autoritaristë dhe populistë.

Fatos Nano s’ka lidhje as me populizmin, as me autoritarizmin. Ka qenë një njeri, që në ADN-në e vet të qytetarit, ka qenë një person publik liberal dhe pa diskutim një njeri me ambicie të madhe për të qenë një reformator. Berishën ma kurse, që t’ia kursej edhe unë atij. As demokrat, as autoritarist. Bajraktar”, tha Rama. Lidhur me etiketimin e kreut të PD-së Lulzim Bashës, Rama nuk kurseu ironinë, teksa u shpreh, se “duke parë sa gjatë fle, është më shumë demokrat se autoritarist”.

Pyetjes, shpesh edhe të të rinjve dhe studentëve, se kur do të largohet elita politike, që vjen prej apo ndikimit të kohës së komunizmi dhe tashmë prej 30 vitesh drejton Shqipërinë, Rama iu përgjigj, se nëse presin kohën, ajo s’ka për të ardhur kurrë.

“Kur isha në moshën e tyre nuk pyesja se kur do të vinte koha, por mendova se ishte koha dhe e bëra kohën ashtu siç e mendoja. Kush thotë kur do të na vijë koha, është i destinuar të presë kohën që nuk vjen kurrë”, tha Rama. Lidhur me një projeksion, se ku e sheh ai Shqipërinë pas 30 viteve, Kryeministri tha se gjithçka do të vendoset në dy zgjedhjet e ardhshme.

“Shqipëria e 30 viteve të ardhshme do të vendoset në këto zgjedhje dhe zgjedhjet e ardhshme pas tyre. Është një fazë ku duhet vendosur ose të konsolidohet procesi i vështirë që ka nisur për një transformim që garanton shtet bërjen, ose të kthehemi prapë te avazi kap çfarë të kapësh. Unë dhe PS jemi të vetmit që mund ta bëjmë. Unë pa të nuk jam në gjendje të bëj asgjë, por me PS, po”, përfundoi Rama. /Gazeta Liberale

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH