Aktualitet

Rama: Bilanci i humbjeve nuk ka përfunduar, por lus Zotin…

Shkruar nga Liberale
Rama: Bilanci i humbjeve nuk ka përfunduar, por lus Zotin…

Kryeministri Edi Rama ka dhënë një konferencë për shtyp pasi vizitoi personat e plagosur nga tërmeti në Spitalin e Traumës ku u shpreh se ajo e sotmja ishte një nga netët më të këqija që nuk mbahej mend prej kohësh për kombin shqiptar.

Sipas kreut të qeverisë kjo është një ditë e njerëzve të zakonshëm dhe atyre me uniforma të të gjitha llojeve të cilët u angazhuan maksimalisht për të shpëtuar njerëzit e bllokuar nën rrënoja.

Edi Rama u shpreh se bilanci i viktimave nuk ka përfunduar dhe shpreson që të mos ketë përfunduar as gjetja e njerëzve ende të gjallë nën rrënoja

“Për fat të keq bilanci i humbjeve nuk ka përfunduar, por lus Zotin të mos ketë përfunduar dhe bilanci i jetëve të shpëtuar, ku mes rrënojave shpresoj të ketë njerëz që ende marrin frymë”, shtoi Rama.

Kreu i qeverisë falënderoi dhe vendet partnere për solidarizimin e tyre në këtë moment të vështirë. Po ashtu ai tha se shpallja e gjendjes së emergjencës është vetëm një akt, por sipas tij tani synimi është shpëtimi i sa më shumë jetë njerëzish.

Deri më tani bëhet fjalë, sipas të dhënave zyrtare për të paktën 21 persona që kanë humbur jetën. Prej tyre, 12 janë në Durrës, në një pallat të shembur brenda qytetit, në një hotel në zonën e Plazhit, në një vilë në zonën e Kënetës dhe në zonën e Konvaleshencës po në pjesën e plazhit.

Ndërsa 7 persona, 2 gra të moshuara, dhe pesë persona të tjerë, mes të cilëve dhe një fëmijë, janë gjetur në rrënojat e tre pallateve të shembur në Thumanë. Një person ndërkohë mësohet se ka humbur jetën në Kurbin.

Në ndërkohë vijojnë operacionet e shpëtimit, ku deri më tani është bërë e mundur të nxirren të gjallë 43 persona, mes të cilëve dhe fëmijë.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH