Aktualitet

Rama, apel publik Albin Kurtit: Ditë reflektimi për ta nxjerrë Kosovën nga qorrsokaku

Shkruar nga Liberale
Rama, apel publik Albin Kurtit: Ditë reflektimi për ta

Nëpërmjet një postimi në Twitter, kryeministri Edi Rama i ka bërë sërish thirrje Albin Kurtit që të reflektojë për situatën ku gjendet Kosova dhe të zgjidhë ngërçin që ka me aleatët ndërkombëtarë, e kryesisht SHBA-në, si pasojë e situatës së krijuar në Veri të Kosovës.

Në ditën e Çlirimit të Kosovës pas hyrjes së trupave të NATO-s në Kosovë, Rama thotë se pa aleatët strategjikë të shqiptarëve, s’do të kishte as Republikë të Kosovës, as liri e demokraci për shqiptarët në Kosovë. Sipas tij, kjo është një ditë për reflektim për ta nxjerrë Kosovën nga qorrsokaku ku e ka futur grindja me aleatët.

“Si sot e gati çerek shekulli më parë, hyrja e NATO-s në Kosovë u rikujton të gjithëve, se pa aleatët strategjikë të shqiptarëve, miq të mirë në ditët më të këqija, s’do të kishte as Republikë të Kosovës, as liri e demokraci për shqiptarët në Kosovë! Zoti i bekoftë aleatët tanë!

Prandaj bash sot është dita për të reflektuar thellë e për ta nxjerrë Kosovën nga qorrsokaku ku e ka futur grindja absurde me aleatët! Kosova duhet të dalë patjetër prej qorrsokakut me dialog jo me policë, me ide konkrete jo me propagandë, me miq të mirë jo me keqtrajtim të miqve”, shkruan Rama.

Më 12 qershor të vitit 1999, pas 78 ditë bombardimesh të Aleancës Ushtarake Perëndimore të udhëhequr nga Amerika kundër caqeve ushtarake serbo-malazeze në Kosovë në Serbi dhe Mal të Zi, trupat e NATO-s hynë në Kosovë në misionin paqeruajtës që do të quhej KFOR, duke i dhënë fund luftës gati dyvjeçare midis popullsisë kryengritëse shqiptare të organizuar në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe forcave okupuese ushtarake dhe policore serbo-malazeze.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH