Aktualitet

Racizmi-tmerret që nuk duhen harruar

Shkruar nga Liberale
Racizmi-tmerret që nuk duhen harruar

Nga Gian Antonio Stella

“Do t’ishte gabim të gjykoheshin veprimet e një epoke nga pikëpamja e një epoke tjetër”, shkruan Alexandre Dumas, duke vënë fjalinë në gojë të D’Artagnan-it tek Tre mosketierët. Fjalë ari. Siç dëshmojnë edhe rrahjet e zjarrta të mendimeve, mbi rrëzimin e përmendoreve të shumë njerëzve që, në kohën e tyre, mendonin se ishte “e zakontë”, sado që sot fjala na tmerron, të kishin skllevër. Mjafton të rilexohet se çfarë tha, edhe vetë Abraham Linkolni në Charleston, të Illinoisit, më 18 shtator 1858: “Nuk jam e nuk kam qenë kurrë i mendimit për të mbështetur n ‘asnjë mënyrë barazinë shoqërore e politike ndërmjet racës së bardhë e asaj të zezë; duhet të shtoj se nuk kam qenë në dobi të votës së negërve, ose t’i bënja ata ndihmës gjyqtarë, as për t’i aftësuar për të mbuluar detyra publike, ose t’u lejoja atyre martesa me të bardhët”. Për të shtënë dridhmën.

Vlen, fatkeqësisht edhe për Kishën. Do t ‘ishte e drejtë, pikërisht sepse shumë priftërinj, fretër e misionarë, kanë zhvilluar betejë kundër skllavërisë, duke filluar nga i madhi Bartolomé de Las Casas që arriti në San Domingo si pronar skllevërish dhe i kushtoi jetën lirimit të tyre, të hiqeshin ato pjesë të historisë që edhe sot bëjnë të skuqen shumë të krishterë, të zotuar në vullnetarizëm, kryesisht n ‘Afrikë. Nga e cila, simbas studimeve, janë rrëmbyer e shpërngulur n ‘Evropë, n’Amerikat e në Vendet Arabe së paku nja njëzet milionë afrikanë. Së paku.

Sigurisht, siç mëtoi më 1992 Gjon Pali i II në vizitën e tij të faljes në Gorè, portin senegalez nga niseshin anijet me negër (“Burra, gra e fëmijë kanë qenë viktima të një tregtie të turpshme në të cilën kanë marrë pjesë njerëz të pagëzuar, por që nuk e kanë jetuar besimin e tyre: si mund të harrohen vuajtjet e pafund të shkaktuara popullsive të shpërngulura nga kontinenti afrikan, duke përçmuar edhe të drejtat më parësore njerëzore?”) Kisha dënoi skllavërinë që nga viti 1462, në një letër të Piut II si një krim : “magnum scelus” (poshtërsia m’e madhe). Por bëhej fjalë për shpallje parimi të zhgënjyer.

Heshtja për temën në Këshillin e Trentos, të hapur më 1545, kur rrugët detare për Amerikë ishin hapur prej gjysmë shekulli dhe trafiku i të zinjve kishte filluar nga portugezët shumë katolikë (me aq pagëzime të rrëmbyerve në anije), thotë shumë. Ashtu sikurse përdorimi i 475 skllevërve në bordin e anijeve të flotës papnore me bazë në Civitavecchia deri në 1726. Mjerë ai që gjykon me metrin e sotëm. Por edhe të harrohet është e padurueshme.

“Corriere della Sera"

Përktheu Eugjen Merlika  /Gazeta Liberale

 

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH