Kryesore

“Qytetarët po presin në ambulanca”

               Publikuar në : 09:53 - 07/12/20 liberale

Ndërsa kreu i qeverisë gjendet në SHBA, ku siç thotë vetë do të lëvizë çdo gur që vaksina kundër COVID të vijë sa më parë në vendin tonë, presidenti kërkoi një mobilizim të gjithanshëm nga ana e qeverisë për të ndihmuar qytetarët dhe tejkaluar këtë situatë të vështirë

Rastet e reja të infektimit me coronavirus ehe dje vijuan të qëndrojnë të ;arta, ndërsa viktimat ishin 16, duke shënuar një rënie të lehtë nga një ditë më parë.  Gjatë 24 orëve të fundit në vendin tonë janë regjistruar 840 raste të reja me COVID-19 në 2374 testime të kryera. Ministria e Shëndetësisë bëri me dije se 16 persona kanë humbur jetën për shkak të virusit. Në 24 orët e fundit janë shëruar 331 qytetarë, duke e çuar numrin e të shëruarve 21.617 që nga fillimi i epidemisë.

Meta

Por ndërsa kryeministri ka lajmëruar se është nisur për një udhëtim në SHBA ku do të ketë kontakte për sigurimin e vaksinës, Presidenti i Republikës, Ilir Meta reagoi dje në rrjetet socialet për situatën e krijuar nga pandemia e koronavirusit në vendin tonë, ku vetëm në 24 orët e fundit u raportuan 16 viktima të tjera dhe mbi 800 të infektuar.

Kreu i Shtetit kërkoi një mobilizim të gjithanshëm nga ana e qeverisë për të ndihmuar qytetarët dhe tejkaluar këtë situatë të vështirë.

“Shtimi i urgjencave me qytetarë të prekur nga COVID-19 në gjendje të rëndë, të cilët vijnë drejt spitaleve të Tiranës dhe detyrohen të presin gjatë në autoambulanca, kërkon marrjen e masave të menjëhershme, që kjo situatë të mos përsëritet.

Kërkohet një organizim i fortë, që u jep përgjigje të menjëhershme problemeve të shumta dhe shpesh të dhimbshme të qytetarëve lidhur me COVID-19.

Çdo ankesë e qytetarëve, duhet trajtuar me përgjegjësi maksimale dhe në mënyrë urgjente, pasi çdo vonesë rrezikon jetë dhe kjo është e papranueshme.

Qeveria duhet të bëjë maksimumin në këtë luftë me pandeminë, duke mos kursyer financimet e nevojshme dhe mobilizimin e organizuar të të gjitha resurseve njerëzore për përballimin e saj”, shkruan mes të tjerash presidenti.

Rama

Kryeministri Edi Rama njoftoi të shtunën  se është nisur drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të sjellë sa më parë vaksinën anti-COVID në Shqipëri.  Kreu i qeverisë ka theksuar në një postim në Twitter se do të lëvizë çdo gur që vaksina kundër COVID të vijë sa më parë në vendin tonë. “Sigurimi i vaksinës sa më parë është një prioritet i luftës sonë kundër armikut të padukshëm dhe s’do lemë gur pa luajtur që vaksina të fillojë të vijë sa më parë në Shqipëri! Kontakti sy më sy me prodhuesit e vaksinës i shërben këtij qëllimi. Rrugës për në Shtetet e Bashkuara”, shkruan kryeministri në një postim në Tëitter.

Ndërkohë një ditë më parë, Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu deklaroi se qeveria shqiptare është në proces negocimi me disa kompani për të siguruar në kohë vaksinën anti-COVID.

Ministrja theksoi se qeveria ka bërë një parapagim prej 3.9 milionë dollarë për të mundësuar sa më shpejt të jetë e mundur vaksinën anti-COVID.

PD

Para 3 javësh, Partia Demokratike ka ngritur shqetësimin e fshehjes nga qeveria të numrit të fataliteteve, të shkaktuar nga COVID-19. Ish-zv. ministri i Shëndetësisë, Bardh Spahia në një deklaratë për media tha dje se, kryeministri jo vetëm nuk që nuk po jep llogari për këtë skandal por ka kërcënuar dhe prokurorinë që të mos hetojë.

Ai solli si shembull konkret atë që ka ndodhur në Qarkun e Shkodrës, ku duke iu referuar të dhënave zyrtare të Ministrisë së Shëndetësisë. Sipas tij ndërkohë që Ministria e Shëndetësisë raporton për 61 viktima në të gjithë Qarkun, vetëm në Shkodër ka 80 persona të regjistruar në zyrat e gjendjes civile si viktima të COVID-19

“Realiteti nuk është ky që jep qeveria! E vërteta është krejt ndryshe. Vetëm Bashkia Shkodër ka të regjistruar në zyrat e saj të gjendjes civile 80 persona, që kanë humbur jetën për shkak të Covid-19. Pra, nga nisja e pandemisë deri në fund të muajit nëntor, në Bashkinë Shkodër, pa llogaritur 4 bashkitë e tjera të qarkut, janë riregjistruar 80 vdekje covid nga 62 që raporton qeveria për të gjithë qarkun”, deklaroi z. Spahia.

Sipas tij qeveria po përpiqet që të manipulojë të dhënat për të mbuluar dështimin dhe përgjegjësinë e saj në keqmeanxhimin e situatës së pandemisë.

“Asgjë nuk është më kriminale se kaq. Të fshehësh numrin e viktimave për politikë, është përtej çdo norme njerëzore. Edi Rama po përdor këtë praktikë kriminale të fshehjes së numrit real të fataliteteve nga Covid-19 për të mbuluar dështimin e tij në menaxhimin e situatës të shkaktuar nga Koronavirusi. Dështimi i Edi Ramës mund të mbulohet përkohësisht nga prokuroria, por njerëzit e dinë të vërtetën. E dinë që ndihma e qeverisë mungon, që testet mungojnë, që personeli mjekësor nuk është i mjaftueshëm, që masat nuk u morën në kohë, që me jetën dhe shëndetin e njerëzve Edi Rama ka bërë dhe vazhdon të bëjë propagandë”, shtoi ish-zv. ministri.

Sipas z. Spahia fshehja e së vërtetës përveç se përbën një precedent të rëndë shkakton edhe një dëm të madh pasi “lidhet me uljen e ndërgjegjësimit tek qytetarët për përballjen me coronavirusin. “Ata duhet të dinë të vërtetën, sado e rëndë të jetë, për të qenë sa më të kujdesshëm dhe për të marrë çdo masë personale”, përfundo ia deklaratën.

Pacientët e COVID-19 me pasoja edhe pas muajsh të tërë

Ndërsa pandemia po mbush vitin, doktorët janë duke monitoruar pacientët e COVID-it që ende vuajnë pasojat e sëmundjes. Ata vazhdojnë të përjetojnë simptoma megjithëse kanë kaluar muaj pasi kaluan efektet e menjëhershme të virusit.

Michael Reagan u infektua me COVID-19 në fillimet e pranverës.

Deri nga maji mendoi se më e keqja kishte kaluar.

Por në qershor ai ende nxirrte gjak kur kollitej, kishte vështirësi në frymëmarrje, i dridheshin duart, i binte të fikët herë pas here dhe zemra i rrihte me shpejtësi.

Për më tepër, nuk e rikuperoi dot shijen dhe nuhatjen.

“Ndiej aroma të pavërteta. Më duket sikur diçka digjet gjatë gjithë kohës. Nuhas tym. Shpesh ngrihem natën me pizhama dhe vrapoj nëpër apartament për të kontrolluar se çfarë po digjet. Dhe nuk ka asgjë”, thotë ai.

Zoti Reagan klasifikohet nga doktorët ndër pacientët që nuk u shëruan kurrë plotësisht nga efektet e dëmshme të COVID-19.

Dhe ai nuk është i vetmi. Ka mijëra të tjerë që vuajnë nga e njëjta sindromë.

Zoti Reagan dhe një grup pacientësh afatgjatë krijuan një grup në internet dhe madje edhe një takim me përfaqësues të Organizatës Botërore të Shëndetësisë.

“Një nga faktorët është se njerëzve u rikthehet sëmundja. Duken sikur përmirësohen, por pastaj bëhen më keq; simptomat rikthehen, dhe shpesh shfaqen simptoma të reja”, thotë Hannah Davis, nga Grupi Kërkimor i Qytetarëve Shkencëtarë.

Sot shkencëtarët bien dakort se COVID-19 është një sëmundje në sistem; ajo ndikon organe të ndryshme të njeriut, përfshirë trurin dhe sistemin nervor.

Një studim i fundit i publikuar nga neurologu Igor Koralnik zbuloi se rreth një e treta e pacientëve që i mbijetuan COVID-it, patën modifikime të funksioneve të trurit. Simptomat ishin që nga çorientimi dhe deri tek rënia në koma. Dhe këto u shfaqën edhe tek pacientët me forma të lehta të COVID-it, madje edhe tek ata që nuk patën simptoma.

“Duhet ca kohë që njerëzit të kalojnë simptomat fillestare të frymëmarrjes. Më tej kanë një interval pa asnjë simptomë, dhe pastaj shfaqin këto pasoja të vazhdueshme neurologjike”, thotë zoti Koralnik.

Problemi i këtyre pacientëve afatgjatë po shtohet, dhe në mbarë Shtetet e Bashkuara po hapen klinika të posaçme për të ndihmuar këta persona.

Në një klinikë në Seattle, Amy Compton-Phillips – doktorja që kuroi pacientin e parë me COVID në Shtetet e Bashkuara – po përpiqet të mësojë më shumë për këtë kategori pacientësh.

“Po zhvillojmë një studim të madh me grupin e Qytetarëve Shkencëtarë, në përpjekje për të kuptuar se cilat janë simptomat, çfarë përjetojnë që nga momenti i diagnozës. Po përpiqemi të kuptojmë nëse pacientët afatgjatë janë 35%, 10% apo 75%. Nuk e dimë, por po përpiqemi shumë që të mësojmë”, thotë ajo.

Edhe Michael Reagan shpreson të ketë ndonjë përgjigje së shpejti. Si shumë pacientë të tjerë afatgjatë, ai ende nuk punon dot. Më e shumta që mund të bëjë është një shëtitje e shkurtër me qenin e tij. /Gazeta Liberale

 

Tags: , , , ,


KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

Back