Kryesore

Qytetar legjitim në qytetin e poetëve

               Publikuar në : 09:50 - 22/02/21 liberale

Refleksion mbi përmbledhjen poetike “Hem udhë, hem udhëtar” të autorit Salvator Gjeçi

Rudolf Marku

Poezia shqipe përherë e më tepër të befason me emrat e poetëve të panjohur, të cilët futen si qytetarë legjitimë në Republikën e Letrave – edhe pse jo të pajisur me lejen e qëndrimit lëshuar prej kritikëve dhe studiuesve, këtyre ligjvënësve të vonuar.
Një poet i tillë është Salvator Gjeçi – një emër jo krejt i panjohur (është autor i një romani dhe i disa librave me fabula). Libri i tij i fundit është kjo përmbledhje poetike, “Hem udhë, hem udhëtar”, botim i Ombra GVG, 2020  –  libër që më detyroi të ndalem gjatë e të mendoj për Poezinë e poetëve të panjohur ose pak të njohur, si vetë autori i këtij libri.

Një libër i strukturuar me ndarje të mençura ciklesh dhe më një parathënie poetike. “Jetëshkrim” është poema me të cilën fillon libri. Poema prezanton jo vetëm poetin, por dhe regjistrat poetikë të vetë librit; intonacionin epik, balancën mes krenarisë dhe tragjizmit të realitetit shqiptar, mes shpresës dhe zhgënjimit, mes përpjekjes së poetit për zgjerimin e dimensionit të kohës dhe vetëdijes së kurthit që ngre koha në të tashmen.
Si një murg në vetmi/Më priti murana e pusit të thellë – shkruan poeti në fillimet e librit të vet. Dhe më vonë: Gjithë jeta/teh më teh/ Tehave.

Poezitë e Salvator Gjeçit shfaqen shpesh si sentenca përvoje mençurie dhe vëzhgime të ndjeshme shpirtërore, duke u sendërtuar mes një mesoreje të sensit historik dhe paradokseve të së sotmes: Je veç një numër/Bashkëkohësi im – i thotë ai të tjerëve dhe vetes. Por në fakt, Poezia e tij provon se ai vetë dhe brezi i tij janë shumë më tepër se një numër. Janë poetë dhe shkrimtarë që vijnë me ambicien e mirë për të qenë qytetarë të ligjshëm të Poezisë bashkëkohore Shqipe. Për ta pasuruar Poezinë me intonacione dhe përvoja të tjera verbale dhe metrike.

ARENA IME

Nuk mbaj mend

nëse kam qenë fëmijë ndonjëherë.

Linda i rritur.

Si luftëtar i veshur me mburojë e parzmore,

me armët e absurdit ngjeshur

në arenë, midis tokës e qiellit

u ndesha me kohën.

Duelin e pamëshirë e fillova

në epokën e flokëve të mi të zez

e s’pushoi më

deri në stinën e flokëve të bardhë.

Nuk e di sa raunde u ndeshëm,

nuk di edhe sa kishin mbetur,

sa pikë gjendesha përpara;

me taktikat e lodhjes mbrohej koha,

ndërsa unë godisja me sulme të marra.

Por në një çast pushimi,

nga fundi i ringut të fundit,

kur pashë se si përtypej Sanço Pança,

si priste të shijonte fitoren time,

të marshonte fitimtar në ishullin e lakmuar,

atëhere m’u prenë krahët,

i penduar filloi të më dhimbsej vetja:

sa thellë isha futur në atë truk të mallkuar,

sa larg më kishte vërtitur jeta!

I ligështuar i bërtita me të madhe qiellit:

në ç’grackë më paske futur, o Zot!

Dikur me aq mundim u ngrita

veç sa të nderoja humbjen time

në dyluftim me kohën,

si një donkishot…

 

JE NUMËR

O i porsalinduri i kohës sime!

O i sapombushuri me frymë!

Njëherësh me vajardhjen tënde,

fillë pas prerjes së kërthizës,

në kulmin e festimeve për ty,

në çastpritjen më gazmore,

si dekoratë mirëseardhjeje

do të të varin në qafë numrin e radhës

shënuar në librin “Pritje-përcjellje njerëzore”!

Ashtu si numër do udhëtosh jetës,

edhe për të shuar etjen,

edhe për të patur dritë netëve të gjata;

numër adrese për në shtëpi,

numër i koduar në bankomat,

numër në aeroport e në kufi,

numër në xhepin e shokut a të mikut,

numër në çdo skedë,

numër në çdo kartë lëshuar për ty!

Je veç një numër bashkëkohësi im,

i pa zë, i pa ngjyrë,

je shenja e gishtave të tu,

pa dukë, pa fytyrë.

Kështu do të mbetesh ngado të shkosh,

në fushë, në mal, në fshat a në qytet,

do mbetesh ai numri

lehtësisht i identifikueshëm,

për të mos patur askund asnjëherë,

asnjë identitet!

O imi bashkëkohës,

i mbetur me numër në qafë si një i burgosur,

që prej ditës së lindjes

deri në prehjen e pasosur!

Ndoshta atëherë kalon dikush andejpari,

të sheh aty mbi mermer në fotografi,

ndalet një çast, kërkon të kujtohet,

dhe pyet veten i rënë në mendime:

“Ku e kam parë këtë NJERI?!”…

 

E TAKUAT ATË?

E takuat atë,

që ta rrëmben vështrimin prej së largu,

ta ndërron ritmin e të rrahurave në kraharor,

ta zbeh diellin përmbi krye,

ta ndërron kahjen e lëvizjes,

të lidh e të mbështjell me mijëra fije që nuk i sheh,

me mjegullat e retinës të deh,

me magjinë e syve të verbon,

të vërtit në vorbullat e harrimit të vetes,

të lë si një trup qiellor që largohet prej orbitës

e lëshohet hapësirës me tjetër nxitim,

me tjetër lëvizje të lirë,

me tjetër gravitet?…

A e takuat atë,

që ndërton mëngjese të reja në ty,

atë që krejt ndryshe rrezaton,

të çel sy të tjerë për ta parë,

troket e të futet në gji nëpër dritare ëndrrash

atë që lexohet veç me prekje

me mollëzat e gishtërinjve

në netët e mëndafshta,

symbylltaz, lehtë, ngadalë,

si prekje notash mbi tastierë

nën tinguj drithërimash,

pa fjalë?…

 

STINË

Sapo e besova se ke ardhur

ti më ike.

Sapo të pashë që ti ke çelur

më braktise.

Sapo m’i shkrive akujt

avullove.

Sapo m’i ndeze shpresat

më mashtrove.

Më parë më shkove

se më erdhe.

Sa shumë më lodhe

e më theve.

Stinë brenda vetes e ngatërruar

vjen, më vret e shkon…

Unë sërish me ty i dashuruar.

Profil i autorit

Lindi në Lezhë, ku edhe u shkollua, për t’i përmbyllur studimet e larta në Institutin e Lartë të Arteve, në degën e Dramës. Ka punuar drejtues në disa institucione kulturore në Lezhë, ndërsa aktualisht ushtron detyrën e regjisorit në Qendrën Kulturore të Fëmijëve.

Është autor i këtyre librave:

– Politikë Biberoni (Fabula) – Botimet “Toena”, 1997

– Margaritari i një Çmendine (Roman) – Botimet ”Fishta”, 2004 dhe 2019, ribotim.

– Dy pjesë teatrale  –  “Toka Jonë” dhe “Epopeja e Kuvendorëve”,  komedi – fabul.

– Hem udhë, hem udhëtar ( Lirika) – Botimet “Ombra GVG”, 2020. /Gazeta Liberale


KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

Back