Aktualitet

Qeveria “Rama 3”, si prova e triumfit të votës mbi antisistemin

               Publikuar në : 14:40 - 18/09/21 liberale

Nga Alfred Peza

Disa opozitarë mendjeerrët, turfullonin këto ditë duke pyetur se përse Edi Rama duhej të shkonte bashkë me ministrat e rinj për tu betuar para Ilir Metës, kur mazhoranca socialiste e kishte shkarkuar Presidentin e Republikës me anë të një votimi në Parlament? Prapa këtij qëndrimi “parimor” dhe kësaj gjetje “inteligjente”, harronin se po zbulonin dëshirën e tyre të zjarrtë, për ta penguar përmes një artifici të fundit krijimin e qeverisë së re socialiste.

Po të hysh në lëkurën e tyre, nuk u vë shumë faj, kur mendon se asnjëherë nuk e kanë besuar dhe as që kanë punuar ndonjë ditë, në atë mënyrë që opozita të vinte në pushtet përmes votës popullore. Përmes frymës së madhe të ndryshimit që ngjiz e përhap lidershipi i një minorance largpamëse, që e motivon popullin të shkojë masivisht në votime për ta larguar mazhorancën dhe ardhur vetë në pushtet, për të realizuar projektin e vet qeverisës të së ardhmes. Jo.

Lidershipi i opozitës sonë asnjëherë nuk ka punuar, që ta ndali mazhoncën socialiste të Edi Ramës, përmes kësaj të vetmes rrugë që dikton sistemi demokratik. Ata kanë 8 vjet që përpiqen për ta rrëzuar atë, përmes hilerave. Artificeve. Bllokimeve. Skenareve okulte. Rrugës së rrugës. Kërkimit të pazareve në vend të dialogut e bashkëpunimit në të mirë të Shqipërisë. Përmes kërcënimeve. Ultimatumeve. Vendosjes së shkopinjve nën rrota dhe nxitjes nga lart, të tensioneve artificiale, në popull.

Ndaj është e kotë që ti shpjegosh këtij sekti opozitarësh, se shteti ka vijimësi institucionale dhe në asnjë rrethanë e për asnjë arsye zinxhiri i ecjes së tij dhe i funksionimit të punëve nuk mund të ndërpritet. Kështu që edhe betimi i qeverisë “Rama 3”, përpara Ilir Metës së tyre, ishte i pashmangshëm. Socialistët kanë bërë aktin e tyre politik, për ta shkarkuar Presidentin në Kuvend, por është Gjykata Kushtetuese ajo që e thotë fjalën e fundit për këtë. Deri atëherë, Presidenti vijon të jetë në detyrë, e ti kryej ato!

Kjo është arsyeja se përse, edhe nëse donin apo nuk donin ata, qeveria e re do niste punën sot. Edhe nëse donte apo nuk donte Ilir Meta, dekretimi i ministrave dhe Kryeministrit, ishte i paevitueshëm për asnjë arsye e rrethanë. Kjo nuk është një çështje dëshirash individuale dhe lojërash politike, por legjitimiteti. Ai buron nga vullneti i popullit shqiptar, shprehur me votë në zgjedhjet e 25 prillit 2021, përmes një procesi të lirë e të çertifikuar zyrtarisht nga KQZ dhe i gjithëpranuar ndërkombëtarisht.

Përmes këtij akti, opozitarët syerrët kanë marë leksionin e fundit që jep sistemi demokratik dhe historia e pluralizmit, sipas të cilit asgjë tjetër nuk ta realizon dot ëndrrën me pushtet, përveçse votës. Asnjë rrugë e asnjë shteg tjetër, asnjë manovër e asnjë piruetë poltike, asnjë ëndërr e bukur apo e keqe, asnjë fuqi e errët apo e ndriçuar brenda apo jashtë Shqipërisë, nuk të çon dot kurrë drejt pushtetit.

Pasi kanë dështuar për të ardhur në pushtet, deri edhe përmes një “grushti shteti” si ai i 14 shtatorit 1998, në 4 vitet e fundit këta lloj opozitarësh morën një leksion tjetër. Një mësim të madh nga ato që nuk do harrohen dot kurrë, as nga liderët e tyre të sotëm, as nga ata që vijojnë të thërrasin “Dum Babën” dhe as nga aventurierët e rrufjanët politikë të së ardhmes.

Pushteti nuk meret as duke u ngujuar në çadra e bulevardit e as përmes përrallave të “Republikës së Re” të saj. As përmes djegies së mandateve të deputetëve, e as duke dalë nga Parlamenti dhe sistemi politik i vendit, me shpresën për ta futur atë në krizë artificiale. As përmes “revolucionit të molotovëve” në rrugë, e as përmes “Babaleve” të Kinostudios “SHQUP-i dje”. As përmes bojkotit, e as përmes çdekretimit të zgjedhjeve nga ana e një Presidenti Republike që kërkoi të bënte njëkohësisht në dekadën e tretë të mijëvjeçarit të tretë, edhe Robespierin edhe Luigjin e XVI.

Fillimi i punës nga qeveria “Rama 3” është momenti kulmor i triumfit të shenjtërisë së vullnetit politik të qytetarëve, të shprehur me votë, mbi antisistemin. Mbi antishtetin. Mbi antipolitikën. Mbi parapolitikën. Mbi rrugën e rrugës, si teori dhe mundësi praktike, për tu rikthyer në pushtet.

Shqipëria sapo kaloi një nga provat më të jashtëzakonshme të pjekurisë së vet demokratike, si garante e stabilitetit politik e dëshmi e funksionalitetit të pushteteve dhe institucioneve të saj kushtetuese. Është një ditë e bukur për një popull si yni, që kapërcen pragun e foshnjërisë pluraliste, drejt një epoke të re me ëndrra europiane.


KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

Back