Globi

Qeveria italiane ndaloi prodhimin e mishit artificial, aktivistët e të drejtave të kafshëve e quajnë krim

Shkruar nga Liberale
Qeveria italiane ndaloi prodhimin e mishit artificial, aktivistët e të

E përçarë është bota politike në Itali pas vendimit të qeverisë Meloni për të ndaluar mishin e laboratorit, por edhe të gjitha të ashtuquajturat “ushqime sintetike” me qëllim mbrojtjen e kuzhinës tradicionale italiane, si dhe të shëndetit publik.

Siç e bëri të qartë Ministria italiane e Bujqësisë, prioritet është mbrojtja e shëndetit të qytetarëve italianë, por edhe sigurimi i kuzhinës italiane cilësore.

“Ne besojmë se produktet e prodhuara në laborator nuk garantojnë cilësi, nuk garantojnë shëndetin. Gjithashtu duhet të themi me krenari se nuk garantojnë mbrojtjen e kulturës dhe traditës sonë. Dhe kjo sepse pjesë të shoqërisë dhe prodhimit tonë janë të lidhura pazgjidhshmërisht me verën, ushqimin dhe prodhimin bujqësor”, tha ministri italian Francesco Lollobrigida, duke theksuar rëndësinë e ushqimit tradicional italian.

Dhe lobet bujqësore e mirëpritën iniciativën.

Fermerët po mbështesin ndalimin e mishit të rritur në laborator dhe "ushqimit sintetik", sipas të cilit shkelësit mund të gjobiten deri në 60,000 euro.

Mbështetësit e zjarrtë të ushqimeve sintetike argumentojnë se, duke u zhvilluar në laborator, është e mirë për mjedisin. Ushqimet sintetike, siç thonë ata, bëhen nga qelizat shtazore pa pasur nevojë të vrasin kafshët.

“Coldiretti” (sindikata më e madhe bujqësore në Itali) dhe organizata e lobe të tjera, organizuan një fushatë për të mbrojtur “ushqimin natyral kundër sintetikut”, duke arritur të mbledhin në muajt e fundit gjysmë milionë nënshkrime, përfshirë kryeministrin Meloni.

Opozita dhe organizatat për mbrojtjen e kafshëve po reagojnë

Megjithatë, opozita italiane, por edhe organizatat për mbrojtjen e kafshëve, shprehën pakënaqësinë e tyre të fortë për vendimin e qeverisë, duke thënë se ajo “po kryen një krim të ri”.

Siç raporton gazeta britanike "Guardian", Riccardo Maggi, kreu i partisë së majtë "Più Europa", hapi zjarr ndaj udhëheqjes italiane duke thënë: "Ministrat e qeverisë Meloni preferojnë të vazhdojnë ndalimin e ushqimit laboratorik në vend që të bëjnë një hetim dhe zhvillimin e një teknologjie të re që mund të na lejojë të vrasim më pak kafshë."

Për organizatat për mbrojtjen e kafshëve, mishi i rritur në laborator do të ofronte një zgjidhje të qëndrueshme për probleme të ndryshme, si mbrojtja e mjedisit nga emetimet e dioksidit të karbonit dhe sigurimi i shëndetit publik.

Për Organizatën Ndërkombëtare për Mbrojtjen e Kafshëve (Oipa), mishi i rritur në laborator, megjithëse rrjedh nga qelizat e kafshëve, është një "alternativë etike" që nuk përfshin therjen e kafshëve, nuk dëmton mirëqenien e tyre, as qëndrueshmërinë mjedisore”.

Vlen të theksohet se në nëntor të vitit të kaluar Administrata Amerikane e Ushqimit dhe Barnave (FDA) miratoi për herë të parë tregtimin e një produkti të mishit të pulës, i cili është zhvilluar me metoda laboratorike me lëndë të parë qelizat shtazore dhe është i destinuar për konsum njerëzor.

Deri më tani, vetëm Singapori ka miratuar prodhimin e mishit në laboratorë dhe konsumimin nga qytetarët.

Projektligji i propozuar, i cili u miratua dje nga ministrat italianë, vjen pas një sërë dekretesh të qeverisë që ndalojnë përdorimin e miellit nga insektet, për të bërë pica ose makarona.

Ministrat përmendin dietën e famshme mesdhetare si motivimin e të dyja këtyre nismave./Liberale.al

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH