Editorial

Punë ka, por s’duhen profesionistë

Shkruar nga Liberale
Punë ka, por s’duhen profesionistë

Klementin Mile

Këto ditë kryeministri ka hedhur idenë e tij të rindërtimit të vendit pas tërmetit duke marrë fuqi punëtore nga jashtë Shqipërisë. Programi i rindërtimit, sipas Ramës, “kërkon një fuqi punëtore të madhe, ndërkohë që kemi problem me fuqinë punëtore në ndërtim. Duhet përfituar maksimalisht nga lehtësimi që bëmë për marrjen e fuqisë punëtore dhe nga jashtë”.

Kjo ide e kryeministrit vjen në kushtet kur papunësia në vend ka arritur nivele dëshpëruese dhe kur shumica e të rinjve duan të largohen nga Shqipëria. Elektoralisht, kjo është një ide shumë e keqe.

Le të kujtojmë gjithashtu që kryeministri, dy vjet më parë, doli me tezën aspak të majtë, madje thuajse theçeriane, se “punë ka, por s’ka profesionistë”. Në këtë mënyrë ai i lante duart nga përgjegjësia, duhet ia hedhur atë tërësisht individit. Ky nuk ishte individ përtac, siç do kishte thënë Theçeri, por individ i paaftë. Individ amator, jo profesionist. Individ i patrajnuar sa duhet dhe si duhet, individ që njihte teorinë kur duhet të njihte praktikën dhe që njihte praktikën kur nevojitej teoria.

Dy vjet më parë, kryeministri e përshkruante tregun e punës si të mbushur plot me vende pune të kualifikuara, pra gjithçka në rregull me ofertën, ndërkohë që kërkesa për punë vinte nga individë të papunësueshëm, të cilët, me sa duket, vlenin vetëm për kryer ndonjë punë të pakualifikuar në emigrim. Shqiptarët, pra, nuk e meritonin ekonominë e tyre. Ajo kishte gjeneruar vende pune për të cilat ata nuk ishin të përgatitur.

Por ideja aktuale e kryeministrit për të marrë punëtorë të huaj, nisur nga konstatimi që bën vetë se “kemi problem me fuqinë punëtore në ndërtim”, bie në kundërshtim të plotë me çka kishte thënë më parë. Nëse më parë “punë kishte, por s’kishte profesionistë”,  tani “punë ka, por s’duhen profesionistë”.

Sepse problemi i fuqisë punëtore në ndërtim nuk ka lidhje me ndonjë kualifikim të madh që kërkohet aty. Punëtorët e huaj që kërkohen nuk duhen për të bërë rolin e inxhinierit, apo të tjera role që kërkojnë profesionalizëm të lartë, të bazuar në studime të thelluara dhe të specializuara. Jo. Punëtorët e huaj që kërkon të sjellë kryeministri janë punëtorë krahu, që do bëjnë punën e rëndë, të rrezikshme dhe të keqpaguar të këtij zanati në vendin tonë.

Nëse sot ka një problem me fuqinë punëtore vendase në ndërtim, kjo është sepse ky treg është lënë nga qeveria në mëshirë të fatit dhe në mëshirë të të fortëve të ndërtimit. Duke kërkuar punëtorë të huaj për këtë treg, qeveria tregon se nuk ka ndërmend të reflektojë aspak dhe të mbajë përgjegjësi për situatën e krijuar, për atë që e quan “problem me fuqinë punëtore”. Qeveria jep sinjale të qarta se nuk ka për qëllim të bëjë asgjë për ta ndryshuar cilësisht gjendjen e këtij sektori, për të garantuar kushte pune dhe trajtim më dinjitoz të punëtorëve të krahut.

Një socialist do i kërkonte qeverisë të ishte në krahun e punëtorëve. Një nacionalist do i kërkonte të ishte në krahun e vendasve. Një liberal të ishte në krahun e ligjit, të garantonte të paktën respektimin e Kodit të Punës. Ideja e kryeministrit për fuqi punëtore të huaj, pavarësisht formës ligjore që pritet të marrë, është substancialisht kundër punëtorëve, kundër punëtorëve vendas dhe kundër të drejtave ligjore të tyre. /Gazeta Liberale

 

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH