Aktualitet

Pullat fiskale, Aranita Brahaj: 13 koncesione që i kushtojnë taksapaguesve

Shkruar nga Liberale
Pullat fiskale, Aranita Brahaj: 13 koncesione që i kushtojnë

Në 9 vjet, bizneset shqiptare të tregtimit të mallrave të akcizës kanë paguar rreth 60 milionë euro më shumë në raport me vendet e rajonit dhe Europës për shkak të tarifës së lartë të koncesionit të pullave fiskale.

Në Europë, çmimi mesatar i pullave fiskale është 3 USD për 1,000 copë, në Kosovë 2,2 USD, ndërsa në Shqipëri, 22,4 USD. Pavarësisht kostove të larta të paguara nga sipërmarrja, të ardhurat e buxhetit të shtetit në 9 vjet llogariten të jenë në vlerën e 1,2 mln eurove, ndërsa siç pohojnë bizneset, efektet e luftës së informalitetit dhe tregtisë së paligjshme nuk janë zgjidhur.

“Këto 12 koncesione, plus të 13-tin i cili është koncesion i bërë nga qeveria Berisha në fund të mandatit të dytë, por që është rishikuar, amenduar dhe ndryshuar janë koncesione të cilat përbëjnë thelbin e problemit. Këto janë koncesione që i kushtojnë taksapaguesve, prekin të gjithë sektorët, shëndetësi, infrastrukturë. Përpunimi i mbetjeve është një kosto shumë e lartë, sikurse ka dhe kosto të parametrave të vlerësimit mjedisor, kosto që mund të na krijojnë probleme edhe në procesin e negocimit, në procesin tonë për të arritur standarde të BE-së në mjedis”, tha Drejtoresha e “Open Data Albania”,  Aranita Brahaj, e ftuar në Open, News 24.

“Megjithëse jemi përpjekur të investigojmë, megjithëse kemi tentuar të hapim regjistrin e pronarëve përfitues, me shumë defekte siç është dhe ligji për pronarët përfitues, ne nuk e dimë se kush janë një pjesë e mirë e këtyre kompanive. Kush janë pronarët e tyre, sa për qind e aksioneve mund të zotërohen dhe nga njerëz pranë qeverisë. Defekti më i madh e koncesioneve është ajo pjesa e negocimit. Negocimet janë raste tipike të korruptimit. Kemi dalë nga koncesionet e tipit 5, në koncesione të tipit 55”, tha Aranita Brahaj.

Të dhënat financiare dhe ekonomike të kontratës së koncesionit paraqiten në studimin “Koncesioni i pullave fiskale, midis kostove të larta dhe logjikës së munguar ekonomike” të dekanit të Fakultetit të Ekonomisë, Biznesit dhe Zhvillimit, UET, Elvin Meka.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH