Letërsi

“Vila me tri porta”/ Pse të mban të mbërthyer ky libër?

Shkruar nga Liberale
“Vila me tri porta”/ Pse të mban të mbërthyer ky

-Për  romanin autobiografik  “Vila me tri porta” të Veta Bekteshit-

Preç Zogaj

Romani  autobiografik “Vila me tri porta” i shkrimtares Vera Bekteshi  ka disa ngjashmëri  me librin monumental “ Rrno per me tregue”, të At Zef Pllumit. Si lloje letrare të dy janë libra me kujtime,  ku një numër episodesh janë shkruar si romane, duke  bërë që të jenë një gërshetim   i memuaristikës  me letërsinë e mirëfilltë;  të dy janë shkruar nga autorë që kanë kaluar nëpër  rrugë të ndryshme, në kalvarin e  persekutimit komunist,  At Zefi  një jetë në burgje  në fatin  e  vëllezërve të tij të urdhrit françeskan dhe klerik  në  përgjithësi, Vera Bekteshi për shumë vite në internim, në fatin e një  vajze të emancipuar, babai i së cilës, Sadik Bekteshi, një  zyrtar i elitës  së regjimit komunist, akuzohet dhe dënohet me burg si pjesëtar i grupit puçist  në ushtri dhe pas kësaj gjithë familja e tij internohet. Të dy librat në fjalë janë voluminozë dhe kjo ngjashmëri  nuk do të kishte vlerë të vihej në dukje, nëse  dy librat nuk do të  ishin  të tillë që të mbajnë  të mbërthyer gjatë leximit, të  prekin, të ngrenë shpirtin peshë herë pas here, të venë  në mendime, të  mësojnë, të edukojnë, të  japin kënaqësinë estetike të bukurisë së të shkruarit , bukuri të cilën  Petro Zheji e barazonte me vërtetësinë ,  kur  pohonte  me të folurën e tij  muzikore “është e vërtetë, prandaj  është e bukur” .

“Rrno per me tregue”  dhe  “Vila me tri porta”  kanë edhe  plot dallime.  Por ajo që  më nxiti mua të nënvizoj ngjashmërinë mes tyre  është pikërisht  të  lexuarit e tyre me kureshtje, me emocione  dhe me endje nga fillimi në fund, gjë që nuk ndodh shpesh me librat e këtij lloji apo me romanet e fiksonit.

Cili është sekreti? At Zefi ma pat thënë vetë kur gjatë promovimit të veprës së tij të jashtëzakonshme  unë  kisha shkruar nja katër faqe tekst  duke dashtë me kapë e me shpjegue  përse ai libër  dallonte nga  të tjerët : “Mos u lodh , padër”, më tha. “Ta them unë me një fjali. E kam shkru pa inad” . Ky ishte sekreti i “Rrno per me tregue”. Sekret i madh që meriton një ese me vete.

Edhe Vera Bekteshi e ka shkruar “pa inad” kalvarin e saj,  duke i dhënë përparësi rrëfimit  dhe  duke qëndruar  përmbi gjykimin digresiv emocional  të ngjarjeve dhe njerëzve që i kanë bërë keq asaj,  familjes së saj, miqve, bashkëkohësve,  vendit të saj. Faktet e rrëfyera  flasin  vetë  dhe  shpalosen në libër me gjithë larminë  e tyre. Autorja, ashtu si at Zefi në librin e  tij,  nuk është fokusuar vetëm te kategoria  e fakteve të kujtesës së keqe, siç thuhet. Në faqet e librit të  saj,  evokohen ngjarje të  jetës së përditshme në fshatrat e largëta të  Beratit  dhe njerëz të thjeshtë,  që i japin jetë një spektri të gjerë jetësor dhe një game të  pasur  ndjesish e gjendjesh shpirtërore  që jeta nuk e bjerr kurrë, siç janë mirësia, humori,   solidariteti, ëndërrimi, dashuria, e  tjerë. Po sekreti   i  “Vila me tri porta”  është me i thellë së kaq.  Në një shkrim për këtë libër  poeti dhe përkthyesi Rudolf Marku  ka  nënvizuar sinqeritetin dhe  vërtetësinë  si karakteristikat  më të dallueshme të rrëfimit  nga autorja, lidhur ngushtë e gjithë kjo  me  kulturën e saj  solide,  e cila i jep  vlerë artistike  sinqeritetit. Përndryshe do të  përfundonte në banalitet. Ne lidhje me këtë aspekt thelbësor të rrëfimit, shkrimtari nobelist Vargas Llosa  shkruan në një ese të tijën: “Çështja e sinqeritetit apo mungesës së tij në  letërsi është një çështje estetike, jo etike”.

Është e vështirë të përcaktohet se çfarë është vërtetësia  në një vepër letrare apo memuaristike.  Merret  vesh se është edhe më shumë edhe më pak se një fotografi e ngjarjeve reale  që ka jetuar apo njohur  autori. E shoh dhe  besoj se arrij ta dalloj  në një  libër ketë lloj vërtetësie, si një distilim dhe si  një lidhje   ngjarjesh  të  jetës së gjallë  të cilave u jep  një jetë mbi jetë – le ta themi kështu-  dhe i ngre në rangun e një reference të reales së zhveshur nga   manipulimet  dhuntia, talenti i shkrimtarit.  Një ngjarje ilustruese  tipike e   kësaj që po them  nga libri “Vila me tri porta”, është dashuria dhe pastaj martesa  e   Zanës, motrës së autores, me  Ferdiun, një djalë   praktik  me arsim tetëvjeçar në fshatin ku Bekteshët janë internuar. Autorja na thotë se një mbrëmje vallëzimi, ky Ferdiu i kishte pëshpëritur  Zanës në vesh:  “Unë do të të marr për grua shumë shpejt, para se të shkoj ushtar dhe do të bëjmë goxha djem së bashku”. “A  e di se po mbush njëzet e pesë dhe jam pesë vjet më e madhe se ti”?,ia kishte kthyer ajo.  “Nuk ka problem qe je edhe nja pesë centim më e gjatë dhe nja pesë herë më e bukur. Fëmijët tanë do të jenë yll fare”.  Ky dialog thotë  shumë për ngjizjen e lidhjes së tyre,  rrethuar  nga një mori, “ a e di “ të tjera, që njerëzit rreth tyre i kanë në majë të gjuhës. “A  e di se kush jemi”?,  do t’i thonë të vetës Zanës. Vërtetë  paranoja  dhe hakmarrja e  Enverit  i  kishte   degdisur e damkosur si armiq, por krenaria e rangut qëndron mbi fatin. “A e di se janë armiq’?, do t’i thonë  të vetët Ferdiut. Vajza dhe djali nuk do të dëgjojnë nga këto sirena.  Zana ikën fshehurazi nga shtëpia  sipas planit që kanë bërë me Ferdiun. Nëpër një mori peripecish  të pabesueshme,  duke parë  si mblidhet rreth tyre vigjilenca dhe kërkimi  për t’i ndaluar të lidhin jetën bashkë, ata,  si të ishin arratisur nga një kamp përqendrimi,  shkojnë  e dorëzohen si heretikë  pikërisht atje ku do ti dorëzonin ata që u janë qepur: në Degën e Punëve të Brendshme. Është një zgjedhje  e mençurisë praktike të  djaloshit, që  ka domethënien e një loje të bukur, me dyfytyrësinë e  Degës, që, duke qenë  si sfinksi që ndërsen vigjilencën  e të gjithëve kundër armiqve  të  partisë,  mban edhe maskën e  strehës zemërgjerë  në shërbim të popullit. Ferdiu dhe Zana  me siguri nuk e mendojnë si lojë, ata dorëzojnë naivitetin e tyre në Degë.  Ferdiu nuk lëshon me asnjë çmim ndaj presioneve. As Zana nuk u trembet sakrificave. Ata e shkruajnë bashkë  fatin e tyre. Vështruar nga ajo çfarë kishin qenë Bekteshët në Tiranë, para se tu binin rrufetë e Zeusit të Bllokut dhe vështruar  nga  perspektiva  e rikthimit të tyre në kryeqytet,  pas  rënies së komunizmit, me reputacionin  e një familjeje  të paepur,  që rangun e mëparshëm  e ka  ngritur në  shembull të  dinjitetit në sakrificë,  martesa e Zanës   në  fshatin e largët të Beratit, do të dukej  një anomali.  Por jeta nuk sheh  kaq  shumë prapa  apo përpara,  siç e bëjmë kur tregojmë   si nga sot atë që ka ndodhur dje.  Ajo  shtrin dorën e saj të diellit dhe ajrit,  mund ta quajnë dorë të Zotit gjithashtu, dhe thërret për të jetuar, për të gëzuar, për  t’u shumëfishuar, siç thuhet në librat e shenjtë.  Kjo është një marrëdhënie jetësore të cilën Milan Kundera e ka trajtuar në disa faqe te librit të tij te famshëm “Shakaja”.  Nuk  është një shfaqje e përshtatjes  apo konformizmit voluntarist. Është  një  manifestim i  natyrshëm i jetës, ashtu  si lulja që lulëzon   vetvetiu mes ferrave.

Vera Bekteshi  ta kujton përsëri  Milan  Kunderën, sikurse edhe romancierin rus  Vasili Grosman,  në epilogun e librit të saj, kur ajo  dhe të tjerët  kthehen nga internimi në Tiranë pas rënies së komunizmit.  Njerëzit i dëshmojnë respekt kudo, por ajo  ndjen se ka ndodhur një thyerje, një tehujëzim,  për të cilën nuk ka menduar më parë. Sikur  është e tepërt, sikur nuk mund t’i ngjisë më  copat e jetës së saj. Për  të   ndarë me  lexuesit  këtë gjendje autorja thërret në ndihmë  dy piktura të Rjhepinit, të cilat kanë  si subjekt kthimin nga internimi.  “Nuk  i prisnin”, ky  është titulli i pikturave. Kjo i ndodh Ludovikut, personazhit të romanit “Shakaja”.  Nuk e presin kur  i vjen dita të kthehet. “Gjithçka  do të jetë e kaluar dhe asgjë e  ndrequr”, shkruan me dëshpërim  Kundera. “Koha do vetëm ata që i ka pjellë vetë, fëmijët, heronjtë, punëtorët e saj. Po ajo nuk do të dojë kurrë fëmijët e kohës së shkuar. E tillë është koha. Gjithçka kalon dhe ajo mbetet”, i mban ison Vasili Grosman në romanin e tij “Gjithçka kalon”, personazhi i  të cilit është gjithashtu një lugat, një i kthyer nga  gulagët. Dhe mes këtyre dy  romancierëve  të mëdhenj ndërhyn  studiuesi i shquar i veprës së tyre, Alen  Finkielkraut me fjalinë e  famshme, që ve në piedestal letërsinë. Ai thotë se, për të marrë hakun e padrejtësive dhe krimeve dhe   ndëshkuar  kriminelët  e miliona të vrarëve  nuk ka tjetër veç letërsisë.

Në librin “Vila me tri porta”, Vera Bekteshi e shmang  qëllimin e rivendikimit  shpagues.  Ajo rrëfen nga një lartësi intelektuale dhe etike, prej nga  ia del  të ndërtojë një tablo të absurdit  dhe çarjes mendore mbi të cilën ngrihen doktrinat shelbuese të regjimeve  totalitare. Një  vështrim i tillë, bën që të  duken të vegjël dhe të mjerë  autorët e  tragjedisë së familjes  së saj dhe mijëra tragjedive të tjera të ngjashme apo më të rënda. Në këtë pikë  prelati i pudorit të krishterë dhe  vajza e formuar në  rininë  e saj në shkollën e ateizmit, takohen në  katedrën e lirisë  dhe humanes.  “Vila me tri porta”  realizon kështu, për lexuesit e çdo moshe dhe sidomos për ato të brezit të ri, që nuk e kanë jetuar të kaluarën komuniste pikërisht atë lloj shpagimi  që cilëson Finekielkraut. /Gazeta Liberale

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH