Analizë

Pse SHBA-të janë përfituesit më të mëdhenj të ambicieve revizioniste të Kinës dhe Rusisë?

Shkruar nga Liberale
Pse SHBA-të janë përfituesit më të mëdhenj të

Red Varaku

Ka një mendim të cilin po e hasim shpesh në komentet në lidhje me zhvillimet e fundit globale, ku tezë qëndrore është ideja që sot bota ndodhet në një moment historik.

Sipas kësaj teze rikthimi në skenën botërore i Kinës dhe Rusisë i ka dhënë fund unipolaritetit në skenën botërore dhe si pasojë do të fillojë dhe rikonfigurimi i ekuilibrit botëror, në përputhje me këtë realitet të ri, çka ka riaktivizuar të gjitha kukullat e Kinës dhe Rusisë, pothuajse në të gjitha rajonet ku ndikimi kinez apo ai rus ka karakter destabilizues.

E vërteta është se ky është një konstatim i gabuar. Kjo sepse fuqizimi i Kinës dhe Rusisë ka prodhuar efektin e kundërt, çka jo vetëm nuk do të prodhojë multipolaritet, por aktualisht po përforcon unipolaritetin Amerikan edhe për një kohë të gjatë.

Arsyeja është se strategjitë “ekuilibruese” të Kinës dhe Rusisë bazohen në një “revizionizëm të vogël rajonal”, revizionizëm që ka provokuar një kundërpërgjigje të fortë në Europë dhe Azinë lindore. Thelbi i kësaj kundërpërgjigjeje është kufizimi i ambicieve revizioniste të Kinës dhe Rusisë.

Kjo kundërpërgjigje e fqinjëve, të cilët ndjehen të kërcënuar nga ambiciet e Kinës dhe Rusisë, në vend që ta dēmtojë, ka prodhuar një aleancë edhe më të fortë midis SHBA-ve, Europës dhe Azisë lindore, aleancë që prej dekadash udhëhiqet nga SHBA-të, ku objektivi kryesor mbetet ruatja e status-quo-së aktuale.

Në këtë kuptim, pavarësisht spekullimeve, SHBA-të jo vetëm nuk do të cënohen nga këto zhvillime të reja, por ata do të jenë përfituesit më të mëdhenj të përpjekjeve ruse dhe kineze për të balancuar rendin unipolar që u instalua pas rënies së komunizmit, çka do të thotë që unipolariteti do të vazhdojë për një kohë edhe më të gjatë.

Kështu që SHBA-të do të vazhdojnë të udhëheqin botën edhe për një kohë të gjatë, ndërsa të gjitha kukullat e Kinës dhe Rusisë, që u riaktivizuan menjëherë pas agresionit rus mbi Ukrainën, duke prodhuar destabilitet ekonomik dhe politik, duhet ta rishikojnë ngazëllimin dhe entuziazmin e tyre, sepse fundi i tyre është i garantuar./Liberale.al/

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH