Krye

Pse Rama po i trajton përgjimet e “Bild” si sex tapes?

               Publikuar në : 10:21 - 17/06/19 V Liberale

Arion Sulo

Përpjekja e kryeministrit për t’u marrë me kohën e botimit apo detaje pa vlerë e kontekst,  u ngjan rasteve personazheve të botës së spektaklit, me skandalet e videove seksuale. Përgjimet e “Bild” janë sezoni i tretë i serialit të manipulimit të votave dhe të gjithë duan të dinë vijimin e akaparimit të votave në Durrës e Shijak më 2017-n. Jo si kureshti njerëzore, por si domosdoshmëri për të kuptuar të vërtetën.

Deri tani, për të vërtetuar krimin elektoral gjatë zgjedhjeve të 2017-s, janë publikuar tri përgjime mes Vangjush Dakos, kryetar i Bashkisë së Durrësit, por në këtë rast në rolin e shefit elektoral të PS-së, dhe pjesëtarëve të një grupi kriminal të akuzuar për trafik të lëndëve narkotike, ndërsa sot, sipas Pieter Tiede, gazetarit të “Bild” priten pjesë të reja për të njëjtën temë.

Fatkeqësisht, pritshmëria e asaj pjese të shqiptarëve që nuk e kanë lidhur jetën me politikën është e vakët, ose nën nivelin e pritjes së sezonit të ri të Ertogrulit.

Por, gjithsesi, përgjimet e sotme janë të rëndësishme. Skema kriminale e mbledhjes së votave në Shijak më 2017-n,  e shfaqur në bisedën mes Astrit Avdylajt dhe drejtorit të Ujësjellësit të Shijakut, ku ky i fundit urdhërohej nga kreu i bandës t’i jepte listën e votuesve të PD-së për t’i konvertuar me PS-në, duke i kërcënuar me largime nga puna, është një dëshmi që nuk kalon kollaj dhe aq më pak të harrohet siç shpreson kryeministri nga eksitimi i 30 qershorit.

Sigurisht kryeministri e kupton shumë mirë relevancën e tyre ndaj dhe po përpiqet t’i instrumentalizojë, i ndihmuar nga “varrosja” me pasoja penale që prokuroria po i bën dosjes, edhe pse “339” është sot detonatori që mund të shpërthejë nesër konfliktin social.

Kryeministri, në fushatën më absurde që ka njohur vendi, e ka konsideruar shantazh politik dhe mediatik ndaj Shqipërisë publikimin e materialeve të kësaj dosjeje në gazetën gjermane, duke pyetur se “Pse nuk u çuan në gjyq provat dhe pse dolën pikërisht tani në Gjermani?  Aty ku është zemra e BE-së dhe aty ku diskutimi për Shqipërinë do të bëhet në Parlament. Çfarë është kjo, luftë ndaj krimit? Është shantazh politik dhe mediatik që i bëhet vendit tonë”.

Shmangiet e kryeministrit nga e vërteta janë disa. E para opozita dhe opinioni po kërkon pikërisht dërgimin e dosjes në gjykatë, por këtë nuk e bën prokuroria, duke sabotuar hetimin dhe ndihmuar qeverinë që është kapur në përgjime. E dyta përgjimet nuk kanë dalë tani, kur po vendosen për bisedimet e anëtarësimit të Shqipërisë në BE.

Ato kanë filluar të publikohen që në fillim të nëntorit nga “Të Paekspozuarit” e Ylli Rakipit, e pas pak kohësh nga gazetarja Klodiana Lala në “Zërin e Amerikës”. Përgjimet e “Bild” janë sezoni i tretë i serialit të manipulimit të votave. E treta, edhe sikur publikimet të kenë prapavijë politike (për kohën e zgjedhur si mjet për një reagim më të madh publik), çfarë ka të bëjë kjo më të vërtetën e tyre? Apo Rama nuk ka bërë të njëjtën gjë me videon e Meta – Prifti në 2011-n?!

Përpjekja e kryeministrit për t’u marrë me kohën e botimit apo detaje pa vlerë e kontekst,  u ngjan rasteve fatkeqe të personazheve të famshme të botës së spektaklit, të cilët në skandalet e videove seksuale që u bëhen fshehtas janë përballë shantazheve të ndyra për para apo shkatërrim të karrierës.

Këtë të fundit ka parasysh kryeministri kur thotë se përgjimet e votave në Durrës janë shantazh mediatik dhe politik, duke devijuar trashë debatin, ndryshe nga homologët në Europë, si ai austriak që humbi postin nga video-përgjimi i zëvendësit të tij që premtonte tendera në këmbim të mbështetjes elektorale.

Dallimi është abisinal. Askush nuk kërkon zbardhjen e videove seksuale që i nxijnë jetën një njeriu në punë të vet. Madje para shumë vitesh, në një skemë të ndyrë të prokurorisë, një video e tillë rrodhi në media dhe sot opinioni e dënon atë si një nga aktet më të liga, të prokurorëve dhe medias. Sikundër të gjithë janë të interesuar të dinë vijimin e serialit të akaparimit të votave në Durrës e Shijak më 2017-n. Jo si kureshti njerëzore, por si domosdoshmëri për të kuptuar të vërtetën.

Për të ndarë indicien nga prova, për të ditur se ku fillon e drejta dhe ku mbaron retorika politike e opozitës dhe qeverisë, apo më gjerë për të nisur një proces ekzaminimi dhe kurimi të vërtetë për mënyrën si bëhen zgjedhjet te ne. A e ka marrë Astrit Avdylaj listën e punonjësve të Ujësjellësit të Shijakut dhe a janë “konsultuar” punëtorët “ditëzinj” për dobinë e votës së tyre nga Niçja dhe Titi?

A u hoqën gjobat e INUK të Durrësit te Ferma sipas urdhrit të Avdylajt? Si shpjegohet që në zonën e Shijakut, tradicionalisht djathtas, PS-ja në atë vit mori 2000 vota më shumë? Po Vangjush Dako a është para dëshmive kontradiktore kur njëherë thotë se pas zgjedhjeve i falënderonte Avdylajt si çdo zgjedhës socialist dhe herën tjetër, para zgjedhjeve kthehej nga rruga për drekë me ta kur ishin qytetarë të thjeshtë?

Këto e shumë të tjera duan të dinë qytetarët e interesuar. Jo si kureshti a vuajerizëm, si ajo për përgjimet seksuale, por për blerjen e votave. Nga kryeministri i pari, që bën si i painteresuar./Gazeta Liberale

 

(Visited 11 times, 1 visits today)

KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

* *