Editorial

Pse po na mposht koronavirusi?

Shkruar nga Liberale
Pse po na mposht koronavirusi?

Klementin Mile

Përhapja e koronavirusit nëpër të gjithë globin, duke i kapërcyer pa vështirësi kufijtë politikë dhe juridikë të shteteve, po na përball me të vërtetën e madhe të kohës sonë: që tashmë jetojmë në një shoqëri botërore.

Këtë të vërtetë mund ta kishim përvetësuar 40 vjet më parë, në mënyrë më pak dramatike dhe me kosto shumë herë më të vogla, po ta kishim marrë seriozisht në konsideratë tezën e teoricienit të famshëm gjerman Luhmann, sipas të cilit sot nuk ka më kuptim të flitet për shoqëri kombëtare, si ajo italiane, kineze, shqiptare, amerikane; shoqëria e sotme është vetëm një: shoqëria botërore.

Realiteti i shoqërisë botërore, megjithatë, nuk është vënë re nga politikanët: ata kanë vazhduar të zhvillojnë betejat lokale të tyre, duke i injoruar pasojat negative në shoqëri.

Ky realitet nuk e kanë vënë re as aktivistët e së ashtuquajturës “shoqëri civile”, të cilët, shumë shpesh, kanë arritur të artikulojnë dhe promovojnë vetëm interesa të pjesshëm të ndonjë grupi social kundrejt të tjerëve.

Dhe së fundi, realitetin e shoqërisë botërore, në mënyrë të pafalshme, e kanë neglizhuar edhe filozofët dhe shkencëtarët bashkëkohorë; me përjashtim të Luhmannit dhe shkollës së mendimit që themeloi ai, komuniteti akademik nuk ka arritur më shumë se sa të njohë rëndësinë dhe efektet e procesit të globalizimit.

Ky reagim semantik i papërshtatshëm i shoqërisë bashkëkohore ndaj realitetit strukturor të saj, natyrisht, do të kishte kostot e veta.

Ato paraqiten sot në formën e viktimave nga një virus me origjinë kineze, i cili jo vetëm po shkakton vdekje fizike të njerëzve në pjesë të tjera të botës, por po sjell gjithashtu vdekje ekonomike dhe kulturore me vete.

Asnjë shtet nuk është gati të përballet me koronavirusin, po kjo jo për shkak të mungesës së kapaciteteve mjekësore dhe materiale, apo për shkak të mosnjohjes së natyrës së virusit në fjalë.

Problemi kryesor me dështimin e shteteve – të fuqishme dhe të dobëta, demokratike dhe diktatoriale, perëndimore dhe lindore – përballë këtij virusi, është se nuk nisen nga premisa e ekzistencës si shtete në realitetin e një shoqërie botërore.

Kjo premisë e munguar e vendimarrjes politike do t’u kujtonte liderëve dhe shtetarëve që problemet politike duhet konceptuar në nivelin global, si probleme universale dhe tipike të politikës kudo që ushtrohet ky aktivitet; rrjedhimisht, edhe zgjidhjet duhet të kenë relavancë globale, përndryshe do të jenë vetëm zgjidhje të përkohshme, të cilat, në të ardhmen do të rezultojnë problematike dhe, ndonjëherë, katastrofike.

Paaftësia për të kuptuar ekzistencën e shtetit të tyre në shoqërinë botërore dhe insistimi për të vijuar me referencën e “shoqërinë italiane” i bëri këta të fundit të merrnin masa të vonuara kundër virusit vdekjeprurës.

Me të njëjtën logjikë, paaftësia e shqiptarëve për të kuptuar se ekzistojnë në të njëjtën shoqëri botërore me italianët dhe kinezët dhe insistimi për të vijuar me iluzionin e “shoqërisë shqiptare”, ka bërë që në vendin tonë përgatitja ndaj virusit të jetë në nivele modeste dhe ndonjëherë qesharake.

Shqiptarët, madje, duke besuar se jetojnë vërtet në “shoqërinë shqiptare”, arritën të gjejnë edhe shpjegime fantastike për mungesën e deri para pak ditëve të rasteve me koronavirus: ilaçi çudibërës i rakisë, populli mitik pellazgjik, apo imuniteti mbinjerëzor ndaj infeksioneve.

Verbëria për të parë se ekzistojmë në realitetin e shoqërisë botërore ka gjithmonë kosto; por këto kosto janë fatale kur verbëria manifestohet te vendimarrësit politikë më të lartë të një vendi.

Si ta kuptojmë ndryshe deklaratën e kryeministrit tonë se shqiptarët nuk i gjen gjë nga maskat e skaduara që kanë blerë? /Gazeta Liberale

 

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH