Aktualitet

Pse po lindin partitë dhe polet e reja opozitare!

               Publikuar në : 21:57 - 01/08/20 liberale

Alfred Peza

Një ndër efektet e para që pritet të sjellin ndryshimet kushtetuese të 30 korrikut, lidhet me krijimin e partive dhe poleve të reja opozitare. Ndonjëra prej tyre është bërë fakt, të tjera janë lançuar si nisma publike dhe për më shumë akoma, po punohet ethshëm në pritje që të jetësohen gjatë ditëve të para të shtatorit. Ka shumë arësye për këtë, por le të rendisim disa prej shkaqeve, që po e nxisin realitetin e ri.

Hapja e listave të kandidatëve për deputetë, është njëra prej shtysave të para, që duket se po stimulon krijimin e realiteteve të reja politike në vend. Rrëzimi i monopolit absolut që kishin kryetarët e partive kryesore mbi këto lista, i jep më në fund mundësinë shumë aktorëve të rëndësishëm të jetës shoqërore, të kuptojnë se ka rënë barriera e madhe artificiale që i kishte penguar për tu bërë pjesë e skenës politike kombëtare.

Vetëm pak orë pas votimit të 30 korrikut në Parlament, është njoftuar deri tani, për krijimin e të paktën 5 partive apo poleve të reja politike opozitare. Emëruesi i tyre i përbashkët, është nevoja për të sfiduar një realitet opozitar të domoinuar nga “dy duar”, të cilët nuk kishin lënë deri dje asnjë hapësirë për vijimin e karrierave të politikanëve me kontribute të spikatura apo të reja, që pritet ta rikonfigurojnë peisazhin politik në Shqipëri.

Ka të paktën tri mjedise shoqërore, që po stimulojnë futjen me sukses në garë, të prurjeve të reja që mund të jenë pjesë e realitetit të ri Parlamentar pas zgjedhjeve të pranverës 2021.

E para, në listën e 39 deputetëve të opozitës së re Parlamentare, megjithë “skarcitetet”, janë evidentuar një grup mjaft interesant prej 6-7 profilesh politike që premtojnë shumë në të ardhmen.

E dyta, ka një grup potencial politikanësh të anashkaluar apo të larguar arbitrarisht nga kryetarët e partive të “Opozitës së Bashkuar”, moskandidimi i të cilëve i hoqi PD rreth 240 mijë vota në 2017.

E treta, gjatë 7 viteve të fundit, për shkak të angazhimit në jetën publike përmes shoqërisë civile e mediave sociale në mbrojtje të kauzave të ndryshme shoqërore, ekziston një bërthamë interesante që mund të bëjë surprizë në zgjedhjet e reja.

Faktori kryesor që po nxit krijimin e realiteteve të reja politike në vend, është sjellja e opozitës së rrugës. Djegia e mandateve të deputetëve, dalja e PD, LSI e aleatëve të tjerë nga Parlamenti dhe bojkoti i zgjedhjeve lokale të 30 Qershorit, krijuan premisat për defaktorizimin e tyre gradual nga skena e madhe e politikës në Shqipëri. Kjo qasje “in extremis”, që synonte delegjitimimin e mazhorancës qeverisëse, ka nisur të prodhojë efektet e kundërta. Duke krijuar krisjet, çarjet dhe premisat për shkërmoqjen e frontit opozitar.

Mjaftoi ndryshimi kushtetues i 30 korrikut, për lejimin e krijimit të koalicioneve paraelektorale me një listë unike, për ta nxjerr akoma më në pah këtë tendencë. Deri para kësaj, liderët politikë të opozitës së rrugës dhe propaganda e tyre, trumbetonin se të vetmin qëllim kishin rrëzimin e PS dhe Edi Ramës nga pushteti. E tani që u jepet mundësia edhe ligjërisht që ta bëjnë këtë, duke qenë në një front të vetëm, me një listë të vetme kandidatësh për deputetë, me një program, lider dhe sigël të vetme, e kundërshtojnë.

I keni ndjekur reagimet e tyre të këtyre ditëve besoj, sesi janë kundër këtyre lloj koalicioneve që u japin mundësinë, të krijojnë një front të vetëm unik opozitar kundër mazhorancës. E meqenëse kanë shumë kohë që pretendojnë se kanë 85% të shqiptarëve me vete, se sondazhet i nxjerrin fitues, se votuesit sa mezi presin që të shkojnë në zgjedhje për ta ndëshkuar Kryeministrin me votë, u ka ardhur si kurrë më parë në dorë kjo mundësi e artë.

Por, duket se e gjitha ka qenë thjeshtë një propogandë boshe. Në realitet, siç po e dëshmojnë çdo ditë, as nuk e kanë dashur e as nuk e duan atë. Sepse nuk janë bashkë për ideale aq të larta sa pretendojnë. Për qëllime aq sublime, sa përbetohen. Për ëndrra aq të bukura, sa duan tua shesin shqiptarëve, për të vërteta. Janë aty vetëm për karrike e për pushtetin personal të Bashës dhe Metës e Kryemadhit.

Demokratizimi i jetës politike dhe elektorale të vendit, përmes hapjes së listave dhe koalicioneve paraelektorale me një listë të përbashkët kandidatësh, ua ka hequr liderëve të vjetër nga dora monopolin mbi opozitën. Duke i dhënë mundësinë aktorëve dhe faktorëve të rinj opozitarë, të futen në lojë. Shumë e kanë kuptuar, ndaj nuk kanë humbur kohë dhe kanë nisur të organizohen. Ndaj po lindin partitë dhe polet e reja opozitare!

Tags: ,

KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

Back