Aktualitet

Pse po dështon shkenca ndaj koronës?

Shkruar nga Liberale
Pse po dështon shkenca ndaj koronës?

Klementin Mile

Filozofi realist italian, Marizio Ferraris, pavarësisht se vendi i tij është nga më të prekurit prej pandemisë së koronavirusit, e paraqet me nota optimiste situatën ku gjendet sot njerëzimi; sipas tij, të paktën tani po luftojmë kundër virusit, duke patur besim te forcat, dija dhe sistemet e ngritura nga njeriu, çka as nuk konceptohej në kohën e gripit spanjoll që shkaktoi vdekjen e miliona njerëzve.

Por ky optimizëm është e vështirë të mbahet gjallë, në kushtet kur e tashmja nuk po sjell ulje domethënëse të numrit të viktimave dhe kur e ardhmja nuk jep siguri për medikamente të efektshme dhe prodhimin e shpejtë të një vaksine.

Optimizmi i Ferrarisit (dhe i shumë të tjerëve) lidhet me besimin te fuqia thuajse magjike e shkencës për të zgjidhur problemet e njerëzimit. E vërteta është se shkenca ka arritur të ofrojë mjaft mekanizma dhe mjete teknologjike për të na e bërë jetën më të thjeshtë, më komode, dhe njëkohësisht më komplekse.

Por përballë virusit, kësaj qenieje që metafizikisht nuk e dimë në është e gjallë apo jo, dija shkencore po dëshmon kufizimet e saj. Dhe kjo, duke patur parasysh pozicionin qendror të shkencës në sistemin e dijes njerëzore, ka pasoja fatale për jetët tona.

Këshilla më e vlefshme dhe më koherente e dhënë nga mjekët, shkencëtarët dhe Organizata Botërore e Shëndetësisë ka qenë rregulli primitiv i higjenës “lani duart!” Gjithçka tjetër, që nga përdorimi i maskave, dorashkave, mënyrës së përhapjes së virusit, llojet e njerëzve që prek dhe nuk prek, shërimi dhe imunizimi, ka qenë e debatueshme, e pasigurt dhe e ndryshueshme.

Por si ka arritur në këtë gjendje pafuqie shkenca e shekullit XXI? Po të lexojmë çfarë shkruan filozofi dhe fizikani francez Bernard d’Espagnat e gjejmë përgjigjen për këtë dhe kuptojmë se krahas doktorit, pranë shtratit tonë të sëmundjes, bëjmë mirë të mbajmë edhe priftin ose hoxhën.

d’Espagnat shkruan se shkenca e sotme, e ndër to edhe mjekësia, nuk është përshkruese, por parashikuese. Përveç kësaj, edhe në rolin parashikues, shkenca nuk parashikon më çfarë do të jetë, por vetëm çfarë do të jetë e vëzhguar. Kjo do të thotë se lloji i së vërtetës shkencore që lind nga kjo nuk është ontologjik, por ndërsubjektiv. Pra parashikimet shkencore nuk janë përshkrime të një realiteti të pavarur, por pritshmëri që lidhen me vëzhgimet e të gjithë atyre që vëzhgojnë.

Me fjalë të tjera, shkencëtarët që studiojnë koronavirusin mund të arrijnë që të gjithë në të njëjtin konkluzion “objektiv”, ose më mirë “ndërsubjektiv”, për sjelljen e tij, por kjo dakordësi e tyre nuk do të thotë aspak se ata po vëzhgojnë natyrën reale të këtij virusi. Më thjesht akoma, shkencëtarët po vëzhgojnë modelin e virusit që e kanë ndërtuar po vetë. Mirëpo modeli është thjeshtëzim i realitetit dhe nuk jep asnjëherë garanci që i korrespondon atij.

Pavarësisht pafuqisë së saj, shkenca e mjekësisë sot pretendon autoritet. Ky autoritet, siç e shohim, nuk mund të vijë nga dija shkencore – ajo po ekspozohet si padije përballë virusit. Autoriteti i atyre që na japin këshillën të lajmë duart, çka në të vërtetë meriton përqeshje publike, po themelohet mbi burimet politike të qeverive, të cilat po bëjnë gjithçka munden për të treguar se e kanë situatën në kontroll: në kontrollin e mjekëve dhe ekspertëve të mjekësisë. /Gazeta Liberale

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH