Globi

Pse nuk punojnë të rinjtë? Flet e revoltuar 22-vjeçarja, pas përvojës së saj

Shkruar nga Liberale

Tregu i punës ka të njëjtat sjellje, pavarësisht se ndryshon ekonomia apo kultura e një vendi. Kush e ka fajin që ka mungesë të fuqisë punëtore, ata që duan dhe kërkojnë punë, punëdhënësit, apo rregullatori, pra, shteti?

Kush e ka fajin që të rinjtë nuk punojnë, nëse u afrohet punë?

A motivohen dhe si motivohen ata që punojnë?

A paguhen siç duhet ata kur që punojnë?

A përzgjidhen në punët që dinë të bëjnë më mirë ata që duhet?

Duket se tregu i punës është i ngjashëm kudo. “Punë ka por nuk ka profesionistë”, është shkurtimisht motoja që qarkullon prej kohësh në Shqipëri, por në vendet e zhvilluara nisur nga problematika e fundit po zhvillohet një debat i gjerë politik, akademik, dhe publik.

Së fundmi mediat italiane kanë denoncuar pretendimet e një vajze 22-vjeçareje.

Dy javë provë, u pagua 100 euro, dhe mori përgjigjen: "do t'ju njoftojmë". Është një tjetër histori shfrytëzimi, e denoncuar nga një e re mbi përvojën e saj të parë të punës. Flet Claudia Coppelecchia , 22 vjeçarja nga Molfetta dhe studente universiteti në Bari, e cila ka publikuar një postim të gjatë në Facebook për përvojën e saj të punës në një firmë kontabiliteti në Bari.

“Sot do t'ju tregoj për "përvojën time të punës", e cila zgjati 11 ditë", shkruan vajza. “Tema e papunësisë së të rinjve, shpesh e lidhur me shfrytëzimin, është aktuale. E kam përjetuar në lëkurën time një tjetër konfirmim, siç e dëgjoni në TV, se ky fenomen nuk varet nga mungesa e dëshirës për të punuar nga ana jonë, e të rinjve, por nga dëshira për shfrytëzim nga punëdhënësit”.

Klaudia ka punuar 11 ditë në studio, 4 orë në ditë, gjithsej 44 orë. “Isha e ngarkuar dhe e entuziazmuar, ndërkohë që po mbaroja studimet e gjuhës në Universitetin e Barit”, shpjegon vajza që pretendon se ka marrë një ofertë fillestare prej 1000 eurosh.

Për të qenë në gjendje të bëjë testin, Claudia kalon një intervistë të parë, pastaj një të dytë me pronarin. Më pas ajo kujtohet: “Më thonë 1000 euro në muaj por duhet të punoj një javë me kohë të pjesshme”. Kështu, “e armatosur” dhe me vullnet të mirë, ajo i nënshtrohet testit, tashmë i pranuar si hap i detyrueshëm për punën.

Por në fund të 7 ditëve, praktika zgjatet në dy javë. Vajza pranon: “Pikërisht, sepse filloi të më interesonte puna”. Vazhdon kështu edhe një javë, pa bërë pyetje për asnjë pagesë apo rrogë, “për të mos lënë përshtypjen se mendoja vetëm për paratë” – thekson ajo, pavarësisht se puna ishte larg shtëpisë së saj, 35 km.

Megjithatë, në fund të periudhës, më 30 qershor, vjen lajmi i keq: Klaudia nuk do të punësohet, të paktën jo menjëherë, sepse po testohen edhe të tjerë. ‘Sekretarja më thotë se do të më njoftojnë. Për 15 ditë më dorëzoi një zarf me 100 euro. Një provë me pagesë prej 2,27 € në orë” shkruan ajoe  revoltuar në postim.

“Pastaj thonë që të rinjtë nuk duan të punojnë, se fajin e kanë të ardhurat që u jep shteti, por nuk është kështu: ne të rinjtë duam të punojmë, por shpeshherë nuk na vihen kushtet për ta bërë këtë, më kryesorja, nuk trajtohemi me dinjitet”, - shfryu vajza, në rrjetet sociale. “Pyetja është: ku qëndron shteti në gjithë këtë histori?", teksa shumë politikanë fajësojnë të rinjtë. Kështu përfundon postimin 22-vjeçarja italiane, e cila, në një intervistë për shtypin vendas ka deklaruar se është e vendosur të largohet nga Italia, “një dëshirë që e kisha edhe më parë, por e përforcuar nga kjo përvojë”. /Liberale.al/

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH