Editorial

Pse nuk e kupton më askush demokracinë shqiptare?!

Shkruar nga Liberale
Pse nuk e kupton më askush demokracinë shqiptare?!

Ben Andoni

Humbja e madhe e energjisë së pak ditëve më parë mes PS dhe PD, dy aktorëve kryesorë të politikës shqiptare për Reformën Zgjedhore, nuk është se bëri ndonjë përshtypje të veçantë përveç një fakti fare të thjeshtë: A quhet kjo, më normale në një demokraci?! Nëse ishte kaq e thjeshtë zgjidhja e Reformës; nëse mund të uleshin dhe ata që i përmendnin hapur burgun njëri-tjetrit; e qepur gjithçka me pe të bardhë, një Reformë të cilën e kishin të gjithë para syve dhe e preknin, atëherë çfarë mund të thuash për reformat e tjera në vend, që prekin direkt shumë më tepër jetën e përditshme të vendit. A është vallë kjo demokracia që kërkonim?!

Ka një ngushëllim për politikanët tanë, kuptohet nëse do të kishin pak kurajë t’i pranonin gjërat: Sot pakkush e kupton si duhet demokracinë bashkëkohore, pasi e atë nuk e kuptojnë më si duhet as edhe teoricienët më të njohur të botës.

“Votimi nuk është i njëjtë me demokracinë. Të drejtosh nuk është njësoj si të zgjedhurit. Kompetenca nuk është e njëjtë me të drejtën për të votuar. Qeverisja nuk është njësoj si bërja e drejtë e ligjit. Dhe posti, qoftë edhe me zgjedhje, nuk është i njëjti me të përfaqësuarit”, shprehej pak muaj më parë Shany Mor për “Tablet”. Në fakt, thelbi i shkrimit të tij ishte se edhe politologët më të njohur të kohës nuk e kuptojnë më si duhet demokracinë e sotme. Pra, jo në vende me demokraci hibride, si Shqipëria, por edhe në ato me institucione demokracie disa-shekullore. Në listën e publicistit, përmendeshin disa prej njerëzve më të njohur të ideve politike të 50 viteve të fundit, një sërë syresh produkte mirëfilli të Harvardit. Harvard AB (Dani Rodrik), Harvard Ph.D. (Francis Fukuyama), Harvard JD (Anne-Marie Slaughter) dhe, madje profesori i Harvard (Michael Sandel) nuk e kuptojnë më se realisht ku po shkon demokracia sot, sipas tij. I vetmi ndryshim me Shqipërinë, është se nëse në botë kërkohet të gjendet që demokracia mori fund me dy ngjarjet e mëdha Brexit apo me zgjedhjen e Trump e njëherazi në dy kontinentet bashkë dekadën e fundit, tek vende si ne, gjithnjë e më shumë bindemi se jemi krejt larg demokracisë klasike të pas Luftës në të gjitha etapat.

Ajo që e bashkon të gjithë komunitetin ndërkombëtar është mosnjohja si duhet e Demokracisë, sipas politologëve, e se vende si Shqipëria demokracinë pothuaj e njohin fare pak. Ndërkohë që pakuptueshmëria për të lidhet me një nostalgji të rrënjosur për konsensusin e pasluftës lidhur me atë tolerancë aq të fortë mes kundërshtarëve antagonistë, kuptimi ndryshe i demokracisë liberale, një shtet mirëqenie i mbështetur nga një solidaritet i gjerë shoqëror, si edhe një mbrojtje për elitat kulturore dhe politike të fryra nga media e që jo rrallë përfaqësonin publikun dhe pothuajse gjithnjë në dekadat e para të pas Luftës së Dytë Botërore ishin mendje publike, e referon idenë Yascha Mounk te “The People vs. Democracy”.

Ishte po i njëjti autor që na servir dy koncepte, njërën atë të "demokracisë illiberal", term që përdoret nga teoricienët politikë dhe komentatorët e përditshëm për të nënkuptuar të njëjtën gjë. Dhe, paradoksi është se këtë term, liderët e Evropës Lindore, ku bëjnë pjesë sot e gjithë klasa e drejtuesve shqiptarë, e kryesisht liderët hungarezë e polakë, gjithnjë e më shumë të përfolur për frymën autokratike, e bëjnë për të mbrojtur vizionin e tyre politik aq problematik sot për demokracinë e vërtetë. Duke iu referuar të njëjtit autor, kjo lloj demokracie është fare e pjesshme, e metë, me intensitet të ulët, krejt boshe ose një lloj demokracie, që kinse zhvillon zgjedhje, por qytetarët nuk janë më ata që kanë fuqi reale për shkak të mungesës së dukshme të lirive civile. Shqipëria është modeli më i saktë, ku populli voton lista të mbyllura për njerëz që nuk i njeh; për deputetë frikshmërisht të paditur; apo syresh që nuk e respektojnë publikun; krijesa pa identitet gati të ngrenë kartonin e ligjvënësit, nën urdhra, për gjithçka. Shembull: Shikoni atë që ndodhi me parlamentin tonë! Shikoni mënyrën sesi i drejtojnë partitë liderët tanë politikë; shikoni sa respektohen dhe funksionojnë institucionet e pavarura; shikoni sa përcillet zëri i njerëzve; shikoni mungesën e referendumit...

Trendi i dytë që përcillte Mounk është i ashtuquajturi imazhi i pasqyrës së demokracisë illiberal. Askujt nuk “i bën” më përshtypje ajo që ndodhi me votimet në SHBA në vitin 2016, ashtu si pakkush e shqetëson ngritja e populizmit, që artikulohet rëndom në Shqipëri, Kosovë dhe kudo në rajon. E këtu futen rëndom, përveç populizmit, ksenofobia, fuqia e pakushtëzuar e partive në pushtet dhe sulmet e shpeshta ndaj shtypit. Sali Berisha dhe Edi Rama janë shembujt më të mirë të kësaj lufte pa princip ndaj medias dhe etiketimeve të tyre, ndërkohë që kanë mbyllur sytë për korrupsionin e frikshëm në politikë, ku përmenden rregullisht njerëzit e tyre dhe, ku gjejnë shpesh justifikime bajate për keq-bërjet e politikës së tyre.

I gjithë shqetësimi i publikut është ai klasiku, që autori Mor e paraqiste për lexuesin e tij: Përpjekja jonë kolektive për mirëqenien e bashkëqytetarëve tanë është vetëm një pjesë e dëshirës për demokracitë tona. Sfida  duke parë institucionet tona të kërcënuara kaq hapur, siç po ndodh edhe tek ne kohët e fundit, është sesi do arrijmë t’i mbrojmë ato. E në këtë rast provokimi vjen prej një mëndje tjetër të shquar, profesorin e Georgetown Jason Brenan. Demokracia, për Brennan, është diçka si një tragjedi: Ajo i kërkon njeriut që është injorant, i dezinformuar, i rrëmbyer dhe mendjengushtë për të marrë vendime publike që ndikojnë jetën shoqërore. Kjo nuk i fuqizon njerëzit dhe nuk i zgjidh konfliktet. Nëse, kjo, arrin të bëjë ndonjë gjë, na bën thjesht të urrejmë njëri-tjetrin edhe më shumë. E hidhur, por Mor, paraqet faktin e pamohueshëm se Brennan ka përdorur një mori të dhënash anketimi dhe psikologjie konjitive në mbështetje të idesë së tij. Për atë rolin kryesor duhet ta ketë “kompetenca”. Sipas tij, votuesve të sotëm u mungon kompetenca për të marrë vendime politike, edhe pse qytetarët kanë të drejtë në diçka që quhet "qeveri kompetente".

E provën e kemi në Shqipëri, ku “kompetenca” e qeverisë na dëmton kudo. Askush nga ne qytetarët nuk e di pasi sot jemi kthyer thjesht numërorë të partive, që kujtojmë se i kritikojmë dhe jo rrallë herë i neverisim, por që na kanë në dorë frikshëm edhe pse jo shumë ne duan një qeveri që të jetë thjesht kopetente për problematikat tona. Kjo nuk na jepet, sepse drejtuesit e sotëm dhe të djeshmit mendojnë më shumë për qeveri, që luftojnë të na mbajnë të paditur dhe të promovojnë këtë elektorat në një status-quo duke e hermetizuar sistemin, që në fund kthehet në tragjedinë tonë...të hidhur të demokracisë. (Homo Albanicus) /Gazeta Liberale

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH