Editorial

Pse ndërhyrja Amerikane mbetet sërish e vetmja shpresë?

Shkruar nga Liberale
Pse ndërhyrja Amerikane mbetet sërish e vetmja shpresë?

Nga Red Varaku

Pas pafuqisë dhe dështimit të shoqërisë shqiptare për të prodhuar rrotacion në zgjedhjet e 25 prillit, Shqipëria ka hyrë në një fazë shumë të rrezikshme për rrugëtimin e saj drejt perëndimit, demokracisë, shtetit të së drejtës, zhvillimit dhe mirëqenies.

Këtë e paralajmërojnë ngjarjet e fundit brenda opozitës, të cilat dëshmojnë kalbëzimin e thellë të sistemit, çka ka prodhuar dhe asgjësimin politik të saj. Për pasojë, aktualisht vendi është pa opozitë në kuptimin e shpresës për një rrotacion të mundshëm dhe në kuptimin e kërcënimit për pushtetin.

Për këdo që ka njohuri minimale rreth politikës asgjësimi i opozitës është akti i fundit dhe goditja fatale e një regjimi kundër demokracisë, çka do të thotë që nuk ka më asnjë shpresë për përmbysjen e tij nëpërmjet votës së qytetarëve.

Kjo automatikisht ka prodhuar bllokimin e sistemit politik dhe ka përmbyllur instalimin përfundimtar të një autokracie në kuptimin e plotë të fjalës.

Pas dështimit të rrëzimit të kësaj autokracie me mjete politike, pra pas dështimit të ndryshimit përmes zgjedhjeve, tani ekzistojnë vetëm katër rrugë për ta rrëzuar atë, të tjerat janë pallavra.

Së pari, ky regjim mund të rrëzohet nga brenda, dmth nga vetë shtyllat që aktualisht e mbajnë në këmbë atë. Pra, që kjo të realizohet duhet që disa nga besnikët e Ramës të kthehen kundër tij. Kjo duket se është e pamundur të ndodhë, sepse në horizont nuk ka asnjë çarje. Rama duket se ka një kontroll kapilar mbi të gjithë strukturën.

Së dyti, një regjim si ky mund të bjerë përmes protestave dhe mobilizimit masiv të qytetarëve, përfshi këtu revolta deri dhe luftë civile. Edhe kjo duket e pamundur, sepse duket që shoqëria shqiptare është dorëzuar plotësisht përballë dhunës kriminale dhe shantazhit politik të regjimit mbi këdo që guxon të sfidojë këtë regjim. Nervi reagimit qytetar duket se ka ngordhur bashkë me humbjen e shpresës .

Rruga e tretë, është vdekja natyrale biologjike e autokratit, por edhe sikur kjo të ndodhte , në truallin shqiptar kjo nuk ka funksionuar, sepse siç e dimë edhe pas vdekjes së diktatorit Hoxha , regjimi vazhdoi normalisht i pakërcënuar.

Ishte pikërisht ndërhyrja e faktorit të jashtëm dhe ekskluzivisht ajo e faktorit Amerikan, që prodhoi përmbysjen e një prej regjimeve më të egër në botë çka përbën dhe rrugën e katërt.

Këtë na e kujtoi dhe Ambasadori i nderuar Rajerson, një hero i gjallë për kombin shqiptar, në një intervistë të disa ditëve më parë, i cili e konsideronte momentin politik ku ndodhet vendi si moment që ka nevoje për ndryshim epokal njëjtë me vitin 1990.

Pra, pavarësisht spërdredhjeve primitive dhe gafurrjes heroike të atyre që janë përgjegjësit kryesorë për instalimin e këtij regjimi, shpresa e vetme mbetet sërish faktori Amerikan dhe vendosmëria e tyre për të neutralizuar agjentët antidemokratikë me qëllim rikthimin e demokracisë .

Kjo sepse demokracia mbetet sistemi i vetëm politik që prodhon drejtësi, mirëqenie dhe zhvillim për qytetarët shqiptarë, çka është dhe kushti kryesor për integrimin në Bashkimin Europian dhe çka është dhe mundësia e vetme për paqen dhe stabilitetin në rajon.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH