Aktualitet

Pse nuk ndalet eksodi i bluzave të bardha? Kryetari i Urdhrit të Mjekut: Para pak ditësh këtu dhunuan një mjeke

Shkruar nga Liberale
Pse nuk ndalet eksodi i bluzave të bardha? Kryetari i Urdhrit të

Largimi i mjekëve nga Shqipëria vijon të mbetet një fenomen që nuk po njeh frenim.  Sipas raportimeve të Federatës së Mjekëve Shqiptarë në Europë, në 10 vitet e fundit Shqipërisë i kanë ikur gjithsej 3.040 mjekë, shifër kjo që rritet vit pas viti.

Largimi i mjekëve i ka krijuar sistemit shëndetësor boshllëqe, të cilët po ndihen jo vetëm nëpër qendrat shëndetësore të rretheve, por edhe në spitalet qendrore të Tiranës.

Të dhënat zyrtare të Urdhrit të Mjekut thonë se vetëm vitin e kaluar u larguan 180 mjekë. Sipas kryetarit të Urdhrit të Mjekut, Fatmir Brahimaj jo të gjithë e braktisin profesionin në Shqipëri një herë e përgjithmonë.

“Është pak a shumë e njëjta tendencë si vitin e kaluar. Afro 180 mjekë kanë kërkuar certifikatën e sjelljes së mirë. Por, një pjesë e tyre shkojnë për të ndjekur doktoraturën, frekuetojnë klinika jashtë Shqipërisë, por edhe punësohen pasi në asnjë klinikë jashtë ata nuk mund ta veshin bluzën e bardhë pa pasur certifikatën e sjelljes së mirë që e marrin pranë Urdhrit", thekson dr. Fatmir Brahimaj.

Dr.Brahimaj shpjegon se nuk është vetëm paga që i josh mjekët për t'u larguar.

"Janë kushtet e punës, është teknologjia e avancuar, siguria në punë, mbrojtja ligjore që kanë. Këtu, vetëm para pak ditësh dhunuan një mjeke në vendin e punës. Mjeku duhet vlerësuar dhe t'i krijohen kushte pune në mënyrë që të qëndrojë në vendin e tij", shprehet kreu i Urdhrit të Mjekut.

E ndërsa shumë mjekë zgjedhin klinika jashtë Shqipërisë për të siguruar një jetë më të mirë, mjekët e rretheve zgjedhin Tiranën për të punuar.

“Që një mjek të shkojë të punojë në rrethe, nuk mjafton vetëm bonusi i mjekut. Duhen parë të gjitha; strehimi i tij, puna për bashkëshorten, shkollimi i fëmijëve. Kjo duhet parë më me imtësi dhe në kompleksitet", shprehet lidhur me këtë problematikë dr. Fatmir Brahimaj.

Qeveria lidhur me këtë problematikë është duke shtrënguar masat për ata që mbarojnë arsimin e lartë në mjekësi, duke propozuar që ta kenë të detyruar të qëndrojnë dhe të punojnë në Shqipëri, të paktë tre vite pas mbarimit të shkollës.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH