Leteratura

Pse konkurova për “Çmimin Kadare”

               Publikuar në : 10:01 - 08/07/19 Liridon Mulaj

Liridon Mulaj

Referuar vendit tonë dhe përcaktimit të padrejtë si letërsi lokaliste, do të thosha se, sipas gjykimit tim, letërsia i përket vetëm një përcaktimi, atij universal, pasi çdo vepër zanafillën e ka në shpirtin, përjetimin dhe trillin e krijuesit që formësohet nga përrethësia e tij.

Dua të kujtoj se personazhi i Aishes te romani “Një mijë diej vezullues” dhe fenomenet diskriminuese dhe forcën goditëse të dogmave fetare ndaj femrave në Afganistanin e viteve ‘70, ne e gjejmë të përshkruar mjeshtërisht te personazhi i Dijes në romanin “Sikur të isha djalë” i Haki Stërmillit plot 70 vite më parë sesa Khaled Hussein ta shkruante.

E dyta, mund të them se letërsisë nuk i ka munguar larmiteti universal aq sa i kanë munguar rrugët deri te shpallja e saj si e tillë dhe kjo jo për mungesë universalizimi, por për paaftësi dhe neglizhim të instancave përgjegjëse për përçimin e kësaj letërsie jashtë kufijve tanë (dua të përmend financimet e ministrive të Kulturës së vendeve europiane në përkthimin e autorëve të tyre).

E theksoj këtë të fundit, pasi madhësia territoriale dhe zhvillimi ekonomik i një vendi nuk ndikon në madhështinë e shkrimtarëve të tij (fakti se Kadareja doli nga një vend si Shqipëria komuniste e varfër dhe e mbyllur, është tregues thelbësor) dhe në vrazhdën e përpjekjeve pa fund për t’u promovuar apo vetëpromovuar, në ndihmë të letërsisë vijnë çmimet dhe stimujt e ndryshëm.

Në vitet e fundit dhe vendi ynë i vogël tashmë ka çmimin e tij letrar kombëtar (uroj në një të ardhme ndërkombëtar, pasi madhështia e Kadaresë i ka kapërcyer kohë më parë kufijtë kombëtarë), i cili është çmimi letrar “Kadare”, që akordohet nga Instituti “Gramoz Pashko” dhe botimet UET PRESS.

Një çmim, i cili në rrugëtimin e tij pesëvjeçar ka prodhuar mjaft debat, konstruktiv dhe destruktiv të jemi të sinqertë, pasi aktorët pjesëmarrës (shkrimtarët në këtë rast), shpesh të ndikuar nga rrethanat, gjykimet, vetëvlerësimet e tepruara apo një mijë shkaqe të tjera kanë ngritur zërin për probleme dhe prapaskena jo të provuara të paktën publikisht, duke i veshur këtij çmimi shpesh një tis të hollë dyshimi, fundja si çdo çmim apo akordim monetar në këtë vend, çka shpesh më bën të dyshoj se shkruhet më së shumti për para sesa për mision.

Por le të mbetemi te çmimi dhe misioni i tij, pjesë e të cilit në këtë edicion isha dhe unë me dorëshkrimin “Mos harro të më kujtosh”, një novelë që përshkruan jetën e një djaloshi (Tadorit) dhe peripecive të fatit që e shoqërojnë përgjatë jetës së tij në një qytet të ngërthyer nga falsiteti dhe në një realitet të deformuar nga tranzicioni i stërgjatë.

Kishte plot arsye pse zgjodha të konkurroj, por një nga arsyet më thelbësore ishte rëndësia e këtij çmimi, i cili qëndron në mundësinë që u jep autorëve të rinj dhe të vjetër për të konkurruar si të barabartë dhe përçimi i vlerave te lexuesi sipas gjykimit të jurisë profesionale, pa përmendur dhe ndikimin e një emri kaq të madh si Kadareja që e shoqëron këtë vepër fituese.

Por mbi mundësinë e të qenët fitues dua të evidentoj dhe funksionin e këtij organizimi si filtër e mirëfilltë e autorëve të rinj, të cilët pa një busull drejtimi, gjejnë një dritare dinjitoze ku të dorëzojnë dorëshkrimin me shpresën për të lënë gjurmët e tyre në këtë hapësirë të madhe letrare të synuar nga çdo krijues. Dhe duke kaluar nga krijuesi te lexuesit, këta të fundit do të kenë mundësinë të kenë duar, vepra të mirëfillta bashkëkohore të letërsisë sonë.

Për sa i përket artit, letërsia si art i të shkruarit bën pjesë në atë fashë, e cila nuk përcillet në impakt të drejtpërdrejtë, por nëpërmjet formave evidentuese dhe filtrave profesionalë. Duke u bazuar në relativitetin e gjykimit të saj dhe formave të ndryshme të absorbimit nga lexuesi, letërsia që në zanafillë është përjashtuar nga kornizimi apo profili kategorik.

Ashtu siç është shkruar në masë, po ashtu është lexuar dhe gjykuar në masë nga lexuesi, i cili shpeshherë përshtypjet dhe mendimet nuk i kanë përkuar me kritikën. Dhe këtu ka lindur dilema e madhe e krijuesve, shkrimtarëve apo enteve të ndryshme letrare, të cilët të gjendur mes këtyre dy “zjarreve” shpesh nuk kanë ditur të ndajnë mes veprës si mesazh apo simbolikë dhe veprës si konsum.

Me evoluimin e letërsisë botërore lindi nevoja e një ndarjeje dhe seleksionimi e deri te krijimi i një çmimi botëror për përcaktimin e letërsisë elitare, siç ishte çmimi “Nobel” i dhënë për herë të parë në vitin 1901 (për hir të së vërtetës duke lënë shpesh pa çmim gjenitë e letërsisë botërore) e që e pasoi ndikimin e tij në qindra çmime tjera të krijuara përgjatë viteve si kombëtare ashtu dhe ndërkombëtare. /Gazeta Liberale

 

(Visited 80 times, 1 visits today)

Etiketa: , ,

KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

* *