Editorial

Pse Kina bisedon me talibanët?

Shkruar nga Liberale
Pse Kina bisedon me talibanët?

Reid Standish

Derisa trupat amerikane tërhiqen nga Afganistani, zyrtarët kinezë i kanë shtuar kontaktet me talibanët - grupin militant që po rrit kontrollin në Afganistan. Në letër, Pekini dhe talibanët janë aleatë të çuditshëm. Kina është shtet ateist dhe komunist. Ajo ka ngritur disa kampe internimi në provincën Ksinjiang, ku besohet se janë të ndaluar mbi një milion ujgurë dhe pakica të tjera myslimane. Talibanët, në anën tjetër, janë një grup militant fundamentalist, që më herët e ka udhëhequr Afganistanin si kalifat islamik.

Atëherë, çfarë i bashkon dy palët? Ideologjia e përbashkët është e pakët, por ato po arrijnë të krijojnë një marrëdhënie transaksioni, të bazuar në interesa të përbashkët. Kina e sheh grupin si pjesë të pamohueshme të së ardhmes politike të Afganistanit, ndërsa talibanët e shohin Pekinin si kyç për legjitimitetin e tyre ndërkombëtar dhe si investitor potencial - shumë të nevojshëm në Afganistan. Javëve të fundit, përfaqësuesit e talibanëve kanë thënë se Kina është një “mik i mirëpritur” në Afganistan.

Kjo qasje mund të shihet si e papritur, por, në fakt, është është produkt i një marrëdhënieje të ndërlikuar, të vjetër me dekada, që, sipas ekspertëve, përcaktohet nga pragmatizmi dhe mosbesimi.

“Ka shumë skepticizëm ndaj njëri-tjetrit në këtë dinamikë”, thotë për Radion Evropa e Lurë Raffaello Pantucci, bashkëpunëtor në Institutin e Shërbimeve Mbretërore në Londër. “Themeli i kësaj është se secila palë e sheh tjetrën si mjet për të arritur një qëllim”, shton ai.

Pse po bisedojnë tani?

Stabiliteti, posaçërisht për veten, është shqetësimi kryesor për Kinën.

Kina nuk do që Afganistani të bëhet sërish strehë për grupet ekstremiste me ambicie ndërkombëtare, të tilla si Al-Kaida dhe Shteti Islamik. Pekini është i shqetësuar sidomos nga militantët ujgurë, që mund ta kalojnë kufirin 76-kilometërsh të Kinës me Afganistanin.

Ekzistenca e grupeve ekstremiste ujgure - me qendër në Afganistan dhe gjetkë - është pjesë e justifikimeve të Pekinit për veprimet kundër pakicave myslimane në Ksinjiang. Fitoret e fundit të talibanëve në terren tregojnë se ata mund të jenë pjesë e ekuacionit politik në Afganistan ose ndoshta ta rrëzojnë Qeverinë në Kabul. Duke pasur këtë në mendje, Pekini angazhohet me talibanët për të siguruar se interesat e tij të sigurisë do të mbrohen.

“Kinezët mund të shohin se talibanët ka të ngjarë ta çimentojnë fuqinë. Pekini nuk dëshiron të hapet në Afganistan dhe kjo do të thotë se ai duhet të ketë një marrëdhënie pune me talibanët”, thotë Pantucci. Grupi militant i ka marrë parasysh shqetësimet kineze dhe është përpjekur të tregojë vullnet të mirë, duke bërë thirrje për bisedime për rindërtimin e Afganisanit dhe tërheqjen e investimeve kineze. Talibanët gjithashtu kanë sinjalizuar se, aktualisht, kanë pak interes për t'u përfshirë në ngjarjet në Ksinjiang. “Ne brengosemi për shtypjen e myslimanëve, qoftë në Palestinë, në Mianmar, apo në Kinë, dhe ne brengosemi për shtypjen e jomyslimanëve kudo në botë”, ka thënë një përfaqësues i lartë i talibanëve për gazetën The Wall Street Journal. “Por, ne nuk do të ndërhyjmë në punët e brendshme të Kinës”, ka thënë ai.

A mund të punojë Pekini me talibanët?

Kjo nuk është hera e parë që dy palët janë bashkuar nga ngjarjet në Afganistan. Në fund të viteve 1990, Kina ka vendosur që mënyra më e mirë për të menaxhuar kërcënimin e mundshëm ekstremist ishte të angazhohej me talibanët. Në vitin 1999, disa zyrtarë kinezë kanë fluturuar në Kabul për të nisur marrëdhënie diplomatike dhe ekonomike me regjimin taliban.

Ambasadori i atëhershëm i Kinës në Pakistan ka kërkuar takim me komandantin e talibanëve, Mullah Omar. Takimi është zhvilluar në vitin 2000. Pekini i ka bërë presion Omarit për të ndaluar strehimin e militantëve etnikë ujgurë, që dyshohej se operonin në Afganistan me një grup të quajtur Lëvizja Islamike e Turkestanit Lindor (ETIM).

Në këmbim, talibanët kanë shpresuar se Kina do të sigurojë mbështetje diplomatike për grupin në Kombet e Bashkuara dhe do të ndihmojë në heqjen e sanksioneve kundër tij. Analistët thonë se Mullah Omar e ka frenuar grupin ETIM, por nuk e ka dëbuar.

Për këtë çështje nuk është zyrtarizuar kurrë ndonjë marrëveshje me Pekinin dhe talibanët janë rrëzuar nga pushteti pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit, 2001, në SHBA dhe pushtimit të Afganistanit. “Kinezët kanë pasur gjithmonë një nivel mosbesimi ndaj talibanëve”, thotë për Radion Evropa e Lirë Andrew Small, anëtar i Fondacionit Gjerman Marshall. “Pavarësisht nga marrëveshjet që arrijnë, [Pekini] shqetësohet se suksesi i grupit mund të ofrojë frymëzim për grupe të tjera”, thotë ai. Pas pushtimit të Afganistanit, në fund të vitit 2001, udhëheqja e lartë e talibanëve është zhvendosur në Pakistan.

Small thotë se Islamabadi - mbrojtës kryesor i grupit dhe aleat i ngushtë i Pekinit - ka ndihmuar në lehtësimin e lidhjeve kineze-talibane gjatë viteve në vijim.

Kush është ETIM?

Aryse kryesore për angazhimin e Pekinit me talibanët janë shqetësimet se militantët ujgurë - posaçërisht grupi ETIM - do të krijojnë bazë në Afganistan. Por, grupi ka një histori komplekse dhe të diskutueshme. Militantët ujgurë kanë vepruar dhe veprojnë në Afganistan, por madhësia dhe sofistikimi i tyre kanë qenë burim mosmarrëveshjesh në mesin e analistëve dhe qeverive.

Siç shkruan Sean R. Roberts, nga Universiteti George Washington, në librin e tij: “Lufta kundër ujgurëve”, asnjë grup nuk e ka përdorur kurrë emrin ETIM, por ai është lidhur me një bandë të vogël militantësh ujgurë, që janë zhvendosur në Afganistan në fund të viteve 1990, me qëllim nisjen e sulmeve kundër sundimit të Pekinit në Ksinjiang.

Pekini e ka akuzuar grupin për ndihmë në orkestrimin e sulmeve brenda Kinës dhe, në vitin 2002 - kur po zhvillohej lufta kundër terrorizmit në Afganistan, e udhëhequr nga SHBA-ja - grupi është njohur zyrtarisht nga Uashingtoni si organizatë terroriste. Për grupin është dëgjuar pak gjatë viteve 2000, sidomos pas vrasjes së udhëheqësit të tij më 2003.

Në vitin 2008, një grup i vetëquajtur Partia Islamike e Turkestanit (TIP) ka publikuar një video në internet, duke kërcënuar se do të sulmonte Kinën gjatë Lojërave Olimpike Verore të atij viti.

TIP ka thënë se është pasardhës i ETIM-it, por Pekini ende i referohet grupit me emrin e vjetër.

Që atëherë, TIP është zhvilluar në një grup më të madh militant, me seli në Siri, por, siç ka shkruar Roberts për gazetën The Guardian në vitin 2020, “nuk ka asnjë provë që ky grup ka orkestruar ndonjëherë dhunë brenda Kinës”.

Kjo ka bërë që kritikët ta akuzojnë Pekinin për ekzagjerimin e lidhjeve midis grupeve militante dhe zhvillimeve në Kinë, me qëllim që t’i justifikojë politikat e tij shtypëse kundër ujgurëve dhe shtypjen e vazhdueshme të myslimanëve në Ksinjiang.

Administrata e ish-presidentit amerikan, Donald Trump, e ka hequr ETIM-in nga lista e organizatave terroriste në vitin 2020, duke thënë se beson se nuk ka “prova të besueshme” që tregojnë se grupi ekziston ende.

Cili është plani i lojës së Kinës në Afganistan?

Me gjithë forcimin e lidhjeve me talibanët, Pekini ende e njeh Qeverinë e presidentit afgan, Ashraf Ghani, dhe angazhohet me Kabulin në monitorimin e militantëve ujgurë në Afganistan.

Përtej sigurisë, Pekini gjithashtu ka disa shpresa afatgjate ekonomike. Firmat kineze janë të përfshira në minierën e bakrit Ajnak në Afganistan dhe në kërkimet në fushën e naftës Amu Darja.

Megjithatë, për momentin, Kina po përpiqet t’i forcojë marrëdhëniet e saj me të dyja palët dhe ta përdorë atë levë për të nxitur një zgjidhje politike midis Kabulit dhe talibanëve.

“Është një nga disa levat që Kina duhet të ndjekë për një zgjidhje politike të qëndrueshme në vend”, thotë Small.

Këto lidhje të forcuara i japin Pekinit një rol të veçantë për të luajtur në çdo proces të ardhshëm të paqes, ka thënë ministri i Jashtëm kinez, Wang Yi, në Dushanbe të Taxhikistanit më 13 korrik.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH