Editorial

Pse kaq e egër kjo luftë e prijësit!

Shkruar nga Liberale
Pse kaq e egër kjo luftë e prijësit!

Gentian Kaprata – Urbanism & Democracy

Tashmë është evidente për këdo se shtrëngimet që shpalli Prijësi i shqiptarëve të shekullit të 21-të për popullin e tij, ishin më të rreptat në planet. Ndoshta ja kalonin vetëm ato të Kinës, por kjo nuk është ndonjë çudi për askënd që njeh mënyrën sesi organizohet dhe funksionon marrëdhënia e shoqërisë dhe shtetit në atë vend të largët aziatik, i cili ka qenë vëllai ynë i madh për ca vite në shekullin e kaluar. Çudia është se, për aq pak sa dimë, ja kaluam edhe Koresë së Veriut, e cila karantinoi vetëm Liderin Suprem, por jo masën e popullsisë. Ne kemi folur për aspekte të ndryshme të “luftës” së Prijësit tonë, por asnjëherë për çështjen më të rëndësishme: pse kishte nevojë për një egërsi të tillë lufta e Prijësit tonë? Ndoshta sot është rasti ta bëjmë këtë pyetje.

Ka shumë arsye kjo luftë e rreptë e Prijësit tonë. Ato të gjitha janë racionale, pavarësisht në referencë e përfitim të kujt.

Së pari është sistemi ynë shëndetësor, i cili, pa shkuar në ato klishetë se ‘është më i keqi në të gjithë botën’, mbetet problematik me shërbimin që i ofron shoqërisë. Sigurisht që një njeri me pak mend në kokë, nuk mund të bëj krahasime me gjërat që nuk i njeh, sikurse janë shërbimet shëndetësore në të gjithë vendet e botës, bile as sesi është në tërësi shërbimi shëndetësor në Shqipëri, por gjithsesi nuk do njohuri të zgjeruara në këtë fushë për të kuptuar se me të është abuzuar prej tre dekadash. Sepse ky është problemi me të. Që jemi popull i varfër, ne këtë e dimë sikurse edhe kuptojmë se një popull i varfër nuk mund të ketë një sistem shëndetësor të shkëlqyer. Porse, ne kemi një sistem shëndetësor më të varfër sesa jemi vet, dhe në këtë kuptim duhet ta shohim me përparësi për ti dhënë një zgjidhje arsyeve pse ndodh kjo.

Së dyti, edhe ky sistem shëndetësor që kemi, ashtu si është, nuk u përdor me eficensë dhe për këtë ka disa çështje që duhen prekur. Çështja e parë ka lidhje me përjashtimin e sektorit privat në përballimin e kësaj pandemie. Nuk bën asnjë kuptim logjik, nga ajo logjikë që origjinalizon me krijimin e njeriut, nga më e thjeshta e logjikave, ne nuk përdorëm një ‘vegël’ që e kishim në zotërim, në momentin që na duhej më tepër. Këtë gabim, për të mos thënë faj, nuk do ta kishte bërë as njeriu i shpellës. Edhe ai, kur konstatoi se një copë guri mund të gërryente faqen e shpellës më mirë se ajo që kishte në dorë, do ti këmbente ato. Ndoshta nuk e kuptonte se guri i parë kishte në përbërje metale që e bënin më të fortë se i pari, gjë që do ta dallonte mijëvjeçarë më vonë, por gjithsesi ja njihte dhe pranonte epërsinë. Akoma më keq se kaq, në rastin tonë nuk kishim nevojë as ti zëvendësonim ‘veglat’, na mjaftonte ti utilizonim në mënyrë komplementare.

Çështja e dytë ka lidhje me përjashtimin e segmenteve më të rëndësishme dhe më masive të sistemit shëndetësor publik. Rrjeti i gjerë i mjekëve të familjes u la jashtë përballimit të kësaj pandemie, që mbetet e rrezikshme, pikërisht dhe veçanërisht prej këtij gabimi, për të mos thënë faji. I gjithë përballimi i kësaj pandemie ju la në shpinë një grushti mjekësh specialist në dy spitale të vendit, dhe një grusht njerëzish të tjerë që të përgjigjeshin në telefon nga i njëjti numër. Numrin e saktë të centralistëve nuk e dimë, por dimë me siguri se nuk mund të shërbenin as nga ana sasiore dhe as nga ana cilësore, krahasueshëm me mjekët e familjes. Do ishte absurd vetëm ta mendonim, sepse janë mjekët e familjes të cilët në radhë të parë janë mjek jo centralistë, dhe në radhë të dytë janë mjekët tanë dhe na njohin në çdo problematikë shëndetësore që kemi kaluar. Nëse nuk është kështu, atëherë duhet të ndryshojmë me shpejtësi strukturën e sistemit të shëndetësisë publike. Pse duhet të paguajmë një ushtri me mjek familjeje, kur mund të paguajmë një sipërmarrje call-center, e cila suksesoka edhe në kohë pandemie e jo më në kohë normaliteti.

Arsyeja e parë që justifikon egërsinë e masave qeverisëse, ajo që ne kemi një sistem shëndetësor më të varfër se sa jemi vet, nuk është i gjithë “kontribut” i Prijësit tonë dhe qeverisë së tij rilindase. Ai mban barrën më të rëndë të këtij realiteti, sepse po qeveris në shtatë vitet e fundit, por edhe për shkak të mënyrave të gabuara, për të mos thënë të fajshme, sesi i ka përdorur paratë publike të dedikuara për sistemin shëndetësor publik. Por, gjithsesi nuk është dëmtuesi i vetëm, sikurse është për arsyen e dytë. Si për përjashtimin e sektorit privat të shëndetësisë edhe për përjashtimin e armatës së mjekëve të familjes, Prijësi jonë dhe oborri i tij mbajnë autorësinë.

Dhe këtu vijmë te përgjigjja e shqetësimit tonë, të paktën e njerëzve që e kuptojnë rëndësinë e lirisë që u shpërdorua shumë rëndë nga shtrëngimet qeverisëse. “Lufta” e Prijësit tonë ishte kaq e egër, për dy arsye racionale. Së pari, sistemi jonë i mjeruar shëndetësor nuk e kishte takatin të përballej me një kurbë të lartë infektimesh, të paktën dy javët e para kur njerëzit nuk ishin koshient për çfarë po ju ndodhte. Dhe kjo është në përputhje me racionalitetin e përgjithshëm njerëzor. Por edhe arsyeja e dytë, ajo e përjashtimeve të sektorit privat dhe rrjetit të mjekëve të familjes, është racionale. Ndryshe nga e para, ajo është në përputhje me racionalitetin centralist të Prijësit. Përhapja e diskursit dhe veprimit në lidhje me këtë “luftë”, edhe në sektorin privat dhe në shtresa të gjera të sektorit publik, do të rrezikonte karakterin centralist të kontrollit.  Do të rrezikonte, gjithashtu, qendërzimin e triumfit në këtë “luftë”. Sepse, përderisa nuk ka një njësi matëse të pranuar gjerësisht, pavarësisht sa jetë, shëndet dhe ekonomi do të humbim, “lufta” do të përfundoj me “fitore” dhe  i gjithë triumfi duhet ti takoj Prijësit që na udhëhoqi drejt saj.

gentiankaprata.blogspot.com /Gazeta Liberale

 

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH