Aktualitet

Pse jashtëqitja njerëzore mund të jetë një mall i çmueshëm

Shkruar nga Liberale

Ekziston një arsye e qartë evolucionare pas neverisë që njerëzit ndiejnë ndaj feçeve, qofshin ato të tyret apo të kafshëve të tjera.

Në fakt jashtëqitja përmban një sasi të madhe mikroorganizmash të rrezikshëm për shëndetin tonë, të cilat mund të shkaktojnë edhe patologji fatale (tifo, kolera, parazitë të zorrëve apo anemi). Për të shmangur rreziqet, evolucioni na ka bërë që të perceptojmë si pamjen ashtu edhe erën e mbetjeve biologjike që prodhojmë si të neveritshme, duke qëndruar larg tyre për të shmangur sëmundjet që mund të marrim.

Por nëse nga pikëpamja e evolucionit kjo veçori ka përfaqësuar një avantazh të padyshimtë, nga ana tjetër, na ka shtyrë për pjesën më të madhe të historisë sonë t’i mbajmë jashtëqitjet tona sa më larg, duke zhvilluar teknika që nuk janë shumë të qëndrueshme dhe afatgjata, veçanërisht duke pasur parasysh rritjen e vazhdueshme të popullsisë së botës.

Gazetarja që merret me shkencën, Lina Zeldovich, bëri kërkime rreth kësaj teme përmes disa artikujve dhe një libri të titulluar Çështja tjetër e errët: Shkenca dhe biznesi i shndërrimit të mbeturinave në pasuri dhe shëndet, ku ajo gjurmon gjithë etapat historike se si shoqëria jonë ka zhvilluar sistemet e asgjësimit të mbetjeve dhe si mund të përfitohet prej tyre.

Në kohët parahistorike, problemi i asgjësimit të mbetjeve biologjike, natyrisht nuk ekzistonte. Qeniet njerëzore primitive ishin nomadë dhe për këtë arsye dilnin dhe urinonin kudo që ndodheshin dhe më pas vazhdonin udhëtimin në kërkim të vazhdueshëm për ushqim dhe strehim, larg rreziqeve që mund t’u kanoseshin.

Përgjatë udhëtimit të tyre ata vendosën të plehëronin tokën për një periudhë të gjatë. Shumë nga ata vunë re se shumë bimë po rriteshin, ato ishin më të forta, më te dendura dhe më të shijshme. Kështu që fise të ndryshme vendosën të ktheheshin përsëri në këto territore sezonin tjetër apo në vitet në vazhdim, ndërsa vendosën që të nguliteshin përfundimisht në këto territore për shkak të këtyre cilësive”, shkruajti Zeldovich në revistën on-line JSTOR Daily.

Burrat dhe gratë primitivë ndjenin neveri nga jashtëqitjet, por duke u ngulitur në një territor, ata e kishin të pamundur të mos gjenin një mënyrë për asgjësimin e tyre. Kështu që ata vendosën të hapnin gropa larg shtëpive, gropa që i hapën në mes të fushave ose në pyll, ose vendosën të gjenin një mënyrë asgjësimi përmes lumenjve. Për sa kohë që vendbanimet mbetën të vogla, këto teknika funksionuan dhe ishin të menaxhueshme, por me kalimin e shekujve dhe shfaqjen e qytetërimeve të para, u krijuan edhe qytetet e mëdha. Dhe bashkë me to u shtua problemi se si të asgjësohen jashtëqitjet e qindra apo mijëra njerëzve.

Sipas Zeldovich, pati një pikë kthese në qytetërimin Minoan, i cili u zhvillua në ishullin e Kretës mes viteve 2600 dhe 1100 para Krishtit dhe përbëhej nga rreth njëqind qytete. Më i madhi ishte Knossos, i cili kishte afërsisht rreth 100 mijë banorë. Duke marrë parasysh që një i rritur prodhon mesatarisht rreth gjysmë kilogram jashtëqitje në ditë, në Knossos duhej të gjenin një mënyrë se si të asgjësonin 50 ton jashtëqitje në ditë, dhe një gjë të tillë e realizuan përmes përdorimit të ujit.

Në fakt, qytetërimi Minoan shpiku sistemin e parë të kanalizimeve, rudimentar, por efektiv, duke i bërë tubat prej qeramike që të çonin deri në det. Pallati i Knossos, një nga qendrat më të rëndësishme të qytetërimit Minoan, kishte një sistem uji që grumbullohej nga reshjet e shiut, që bënte të mundur largimin e mbeturinave nga pallati në një mënyrë jo aq të ndryshme nga mekanizmat modernë.

Pajisje të ngjashme u krijuan edhe në pjesë të tjera të botës, si në Luginën e Indus, mes Indisë dhe Pakistanit. Në qytetin e Harappës, në Punxhabin e sotëm pakistanez, një sistem biologjik i depozitimit të mbeturinave u ndërtua nga qytetërimi homonim që Zeldovich e përshkruan si “mbresëlënës” për kohën (qytetërimi Harappa u zhvillua mes viteve 2600 dhe 1900 para Krishtit). Ai sistem përbëhej nga drenazhimi i ujërave përmes hapësirave të pjerrëta, të kufizuara nga një strukturë tullash dhe të mbuluara me dërrasa druri.

Sigurisht, shpjegon Zeldovich, këto sisteme ishin efektive për qytetet me disa mijëra banorë, por nuk ishin të përshtatshme për ato më të mëdhatë. Roma e lashtë kishte afro një milion banorë dhe 500 ton jashtëqitje në ditë kërkonin ndërtimin e strukturave më komplekse.

Mes shumë aspekteve që favorizuan rritjen dhe prosperitetin e Romës, ishte gjithashtu edhe një sistem kanalizimi i madh dhe shumë efektiv, në muraturë, kanali kryesor i të cilit – Cloaca Maxima – është ende në funksion. Kanalizimet romake derdhën ujërat e zeza në Tiber dhe ishin aq të mëdha sa që sipas historianit grek Strabon “nëpër to mund të kalonin vagonë të ngarkuar me mbetje”. Megjithatë, problemet e kanalizimeve në qytet nuk u zgjidhën plotësisht nga kanalizimet; tualetet publike ishin gjithmonë të pista, të ngushta dhe të ajrosura keq dhe gjithashtu për t’u pastruar përdorej një lloj sfungjeri i ngjitur në një dorezë druri që përdorej disa herë nga klientët e ndryshëm, duke lehtësuar transmetimin e parazitëve.

[caption id="attachment_1237750" align="alignnone" width="660"] Cloaca Maxima[/caption]

Punimet për urbanizimin e qytetërimeve të lashta kontribuan në zhvillimin e sistemeve të kanalizimeve të qyteteve moderne dhe në përmirësimin e kushteve higjienike në të cilat jetojnë sot miliarda njerëz në botë, edhe pse jo të gjithë, sipas Kombeve të Bashkuara, pothuajse 700 milionë njerëz në botë e kryejnë jashtëqitjen e tyre në një ambient të hapur për shkak të mungesës së kanalizimeve të ujërave të zeza, dhe në përgjithësi 3.5 miliardë njerëz nuk kanë sisteme që asgjësojnë siç duhet feçet.

Për vite me radhë, Fondacioni Bill & Melinda Gates ka kontribuar në financa dhe kohë për krijimin apo zhvillimin e sistemeve të deponimit të ujërave të zeza që mund të përdoren, si dhe të jenë të qëndrueshme në vendet e varfra, veçanërisht në Afrikë, duke vlerësuar se krijimi i këtyre sistemeve mund të shpëtojë deri në 500 mijë jetë njerëzore çdo vit.

Shkarkimi i ujërave të zeza në rrugët ujore apo detare, sado funksionale të jetë, nuk është zgjidhja më e mirë për mjedisin. Jashtëqitja përmban substanca të dëmshme për ekosistemet lumore dhe detare: kalium, azot, hekur, karbon dhe magnez. Përkundrazi ndodh me derdhjen e tyre në tokë, jashtëqitjet janë jo vetëm të dobishme, por edhe të nevojshme për të pasuruar tokën dhe për ta bërë atë më pjellore: plehu në forma të ndryshme është përdorur gjithmonë si një pleh natyral për të mbjellat. Është pjesë e ciklit jetësor; kafshët marrin lëndë ushqyese nga produktet e tokës dhe i kthejnë ato në formën e mbeturinave biologjike, shkruan Zeldovich. Por, “meqenëse ne nuk e çojmë jashtëqitjen tonë atje nga ku marrim prodhimet e tokës, ne krijojmë një rishpërndarje të lëndëve ushqyese në planetin tonë. Tokat bëhen më të thata dhe ne detyrohemi për të përdorur plehrat sintetike që nuk janë aq të dobishme sa plehu i vërtetë dhe gjithashtu ndotin vendin”. Me fjalë të tjera, ne kemi dëmtuar vazhdimësinë e ciklit, duke u përpjekur të heqim qafe jashtëqitjet tona.

Në revistën on-line Aeon, Zeldovich shkruan se gjithnjë e më shumë shkencëtarët po ndërgjegjësohen për këtë kontradiktë dhe se në komunitetin shkencor po kërkohet një zgjidhje për të rilidhur mbetjet tona biologjike me bujqësinë.

Loowatt, për shembull, një startup me zyra në Mbretërinë e Bashkuar dhe Madagaskar ka vendosur një sistem grumbullimi në disa lagje të varfra në Antananarivo, kryeqyteti i Madagaskarit. Mbetjet mbyllen në qese hermetike, të cilat më pas vendosen në nxehtësi për të eleminuar patogjenët e ndryshëm. Më pas ato ngarkohen në impiante për asgjësimin e mbetjeve organike, duke prodhuar në fund fare biogaz që përdoret për energji në sistemin ngrohës.

Ekziston edhe një startup që bën një punë të ngjashme në Haiti: në përgjithësi mund të jetë një metodë e dobishme dhe higjienike asgjësimi, veçanërisht në vendet ku ka mungesë uji dhe për këtë arsye sistemet tradicionale të kanalizimit marrin një kosto të lartë.

Një zgjidhje tjetër u shpik nga kompania kanadeze Lystek, e cila përdor kazanë gjigantë për të reduktuar konsistencën e llumit, i cili më pas ngarkohet në kamionë që e transportojnë atë në fushat e kultivuara për t'u fekonduar, siç bënin dikur fermerët.

Në Uashington, ekziston një impiant për trajtimin e mbetjeve që "djeg" ato biologjike të qytetit në pothuajse 150°C dhe i nënshtron ato gjashtë herë më shumë se presioni i atmosferës, për të eliminuar të gjithë mikroorganizmat e pranishëm. Materiali i mbetur ngarkohet në biodigesters, pas së cilës thahet, konservohet dhe shitet si pleh në dyqanet e qytetit.

Teknologjitë që reduktojnë “hendekun metabolik” mes tokës dhe jashtëqitjeve njerëzore tashmë ekzistojnë, thotë Zeldovich, por ajo që mungon është ndryshimi i mentalitetit tonë.

Ne ende e konsiderojmë jashtëqitjen si një mbeturinë që duhet ta heqim dhe ende nuk mund ta shohim atë si një aset të dobishëm dhe jashtëzakonisht të çmuar”. /Përgatiti: Liberale.al/

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH