Nga Klementin Mile
Shpopullimi i vendit tonë po ndodh me ritme shqetësuese. Edhe po të mos dish statistikat, indicie e këtij fenomeni janë fërkimet diplomatike të Tiranës me Londrën për trajtimin e emigrantëve të paligjshëm shqiptarë në Angli dhe propozimi i para pak viteve nga kryeministri i vendit për të marrë punëtorë nga Bangladeshi që do të plotësonin nevojat për krahë pune të tregut të ndërtimit në vend.
Këto indicie japin një dëshmi të dyfishtë. Së pari, ky vend vijon të bëhet i pajetueshëm për një numër në rritje të shqiptarëve. Së dyti, ky vend po ia del të bëhet tërheqës vetëm për qytetarët e njërit prej shteteve më të varfër të botës si Bangladeshi.
Këto dy koordinata, shpopullimi prej shqiptarëve dhe popullimi (potencial) prej bangladeshasve, e pozicionojnë vendin tonë në një trajektore topologjike dhe historike që kërkon shpjegim. Shpjegimi më i zakontë që jepet për ikjen e shqiptarëve është humbja e shpresës. Jo varfëria, as papunësia. Sepse nuk ikin vetëm të varfrit, as vetëm të papunët, por edhe njerëz të kualifikuar profesionalisht, me përvojë dhe punë të sigurt, e me pagë të mbi mesataren.
Të thuash se shqiptarët ikin prej humbjes së shpresës nuk është e gabuar. Por është e pamjaftueshme për të hedhur dritë mbi këtë fenomen. Burimin e kësaj drite të munguar e gjejmë te mendimi filozofik i Michael Sandel-it, filozof i shquar amerikan i kohës sonë.
Sandel bën dallimin midis një “ekonomie tregu” dhe një “shoqërie tregu”. Shoqëria e tregut është ajo që nuk e kufizon tregun te shitblerja e të mirave materiale, por e shtrin edhe në aspekte të tjera të shoqërisë, duke nxjerrë në shitje edhe vlerat morale, shpirtërore, komunitare etj. Në ekonominë e tregut shiten perime, në shoqërinë e tregut blihen vende pune; në ekonominë e tregut shitet shërbimi telefonik, në shoqërinë e tregut blihet vendimi gjyqësor; në ekonominë e tregut shiten shtëpi, në shoqërinë e tregut blihen diploma; në ekonominë e tregut shiten mobilje, në shoqërinë e tregut blihen vota; në ekonominë e tregut shiten aksione, në shoqërinë e tregut blihet heshtja.
Shqiptarët ikin sepse Shqipëria është shndërruar në një shoqëri tregu. Çka nuk shitet dhe blihet dot, sepse e ndalon ligji dhe ende nuk është zbuluar mënyra për ta anashkaluar, grabitet, shpërdoret dhe lihet të degradojë, siç ndodh rëndom me objektet e trashëgimisë kulturore dhe në përgjithësi me veprat dhe punët publike.
Shqiptarët ikin sepse sot, pavarësisht se mund të kenë më shumë para se dje, janë më të varfër se dje. Sepse sot, në shoqërinë e tregut, “paraja e madhe” mund të blejë gjithçka dhe deformojë gjithçka, edhe të vërtetën, edhe nderin, edhe krenarinë, edhe të ardhmen e njeriut të thjeshtë. Sepse ndryshe nga ekonomia e tregut e një dekade më parë, kur edhe me pak para mund të gëzoje dhe shfrytëzoje të drejtat si qytetar i vendit dhe dallimi me më të pasurit ishte vetëm në gjëra luksoze si jahtet dhe kështjellat, sot, në shoqërinë e tregut, diktati i “parasë së madhe” është i plotë sepse gjithçka, edhe të drejtat, kanë dalë në treg.
Klementin Mile