Aktualitet

Pse Erdogan ka kaq shumë ndikim në Ballkan?

Shkruar nga Liberale
Pse Erdogan ka kaq shumë ndikim në Ballkan?

Hannah Lucinda Smith

Është e vështirë të kuptohet joshja që kanë njerëzit ndaj Recep Tayyip Erdogan, në rast se nuk e keni parë kurrë direkt gjatë një fjalimi. Në majin e vitit 2018, boshnjakët kaluan në delir kur presidenti turk mbajti një tubim në Sarajevë.

Autokolona e tij kaloi nëpër rrugët e vjetra të qytetit,e shoqëruar nga shumë truproja. “Erdha këtu pasi doja të kuptoja se përse turqit e duan presidentin e tyre”- më tha një e re nga turma. “Bosnja nuk ka asnjë lider si ai”- shtoi ajo.

Ahmet Erdi Ozturk, një akademik turk me banim në Britaninë e Madhe, e dëgjoi të njëjtën gjë shumë herë gjatë vizitave që ka kryer në rajonin e Ballkanit midis viteve 2015-2018. Ajo ishte një nga periudhat më të trazuara në historinë moderne të Turqisë, pasi militantët kurdë e rifilluan luftën e tyre kundër shtetit turk, përmes sulmeve terroriste të kryera nga ISIS dhe PKK, lëvizja guerile kurde, teksa një fraksion brenda ushtrisë u përpoq pa sukses, që të rrëzonte Erdoganin nga pushteti.

Me të dëgjuar emrin tipik turk të Ozturk, të intervistuarit nxitonin të shprehnin mbështetjen e tyre për Erdogan,si dhe admirimin e tyre për gjithçka që ai kishte bërë. Një pjesë e madhe e këtij admirimi kishte të bënte me fenë. Ata supozuan, pa pyetur paraprakisht, se Ozturk ishte një mysliman i devotshëm, dhe për këtë arsye një admirues i Erdogan.

Komunitetet islamike janë të shpërndara në të gjithë Ballkanin. Disa prej tyre flasin turqisht edhe pse shumica nuk janë turke. Dhe gjatë18 viteve të tij në pushtet, Erdogan ka bërë vazhdimisht përpjekje t’i joshë ata me arsyetimin se ai është mbrojtësi i tyre.

Dhe në pamje të parë, siç u pa me tubimin në Sarajevë, ai duket se ka pasur sukses. Por tek libri i tij i fundit“Feja, identiteti dhe pushteti”, Ozturk përshkruan në detaje depërtimin fetar të Turqisë në 3 vende të Ballkanit, Shqipëri, Bullgari dhe Maqedoninë e Veriut, duke zbuluar një panoramë shumë më komplekse.

“Ndërsa disa vende dhe grupime – kryesisht myslimanët konservatorë – e mirëpresin ndikimin e Turqisë, të tjerët e analizojnë atë me kujdes dhe shqetësim”- shkruan ai. Kryesisht, kjo ka të bëjë me Islamizmin gjithnjë e më të hapur të Erdogan që nga viti 2013, kur ai eliminoi rivalët brenda partisë së tij, dhe kur shtypi me dhunë një rebelim të të rinjve në Turqi.

Në Bullgari, zyrtarët e shtetit i treguan Ozturk se si e kishin mirëpritur kontributin e Diyanet, agjencisë shtetërore fetare të Turqisë në vitet 1990, kur autoritetet bullgare po mendonin se si ta ri-fusnin fenë në jetën publike pas rënies së komunizmit.

Në atë kohë, një Turqi laike premtonte të ishte një forcë e moderuar përkundër formave më radikale të Islamit të Lindjes së Mesme. Tani, qeveria bullgare është e shqetësuar për atë që ajo e sheh si ndikimin potencialisht radikalizues të Turqisë së Erdogan.

Gjithsesi, strukturat e Ankarasë janë aq shumë të ngulitura,saqë autoritetet vendase nuk janë të afta që t’i ç’rrënjosin plotësisht ato. Në Shqipëri, Ozturk mësoi se ndërhyrjet e Turqisë kanë thelluar ndarjet midis fraksioneve të ndryshme islamike të vendit. TIKA, agjencia shtetërore turke e rindërtimit, ka ndërtuar dhe riparuar shumë xhami dhe qendra islamike atje, siç ka bërë edhe diku tjetër në rajon.

Por mbështetja është e orientuar më shumë drejt sekteve më fondamentaliste që mbështesin AKP-në e Erdogan, ndërsa urdhrat fetarë më të moderuar nuk merren fare parasysh. Nga ana e saj,Turqia e ka “idealizuar” Ballkanin si një pjesë natyrore të oborrit të saj, në vend se të ketë një qasje pragmatike të politikës së jashtme, argumenton Ozturk.

Sipas tij, ajo po e humbet disi ndikimin në rajon, pasi Erdogan po e çon Turqinë larg Evropës dhe drejt një regjimi autoritar të sunduar nga një njeri i vetëm. Një pjesë e joshjes ndaj Erdogan nga ana e shteteve të Ballkanit në vitet e para të mandatit të tij, ishte se ai ndante me ta ambiciet e tyre për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian.

Por, siç vëren me trishtim Ozturk, Erdogan “i konsideron ideologjitë si rroba që duhen flakur tej,dhe veshur sërish në varësi të dobisë së tyre”.Ai vetë i ka flakur tej “veshjet liberale” të viteve të tij të para në pushtet, prandaj është zbehur çdo shpresë e Turqisë për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian.

Kjo qasje mund të funksionojë mirë për të në Turqi, ku shumica e turqve e kanë humbur durimin me BE-në, por jo në shtetet e Ballkanit, ku që të gjitha përveç Kosovës, janë ose anëtare të bllokut ose aspirojnë t’i bashkohen atij.

Me këtë libër,Ozturk ofron një histori të dobishme mbi historinë osmane të Ballkanit, përpara se gadishulli të zhytej në rrënjët e marrëdhënies aktuale midis ish-pushtetit perandorak dhe zotërimeve të tij të dikurshme. Politikat e Erdogan në rajon, kanë filluar në fakt dekada më parë, na kujton ai, që nga koha e Turgut Ozal, udhëheqësi i parë civil i Turqisë, pas grushtit të shtetit të vitit 1980.

Ozal i mbështeti myslimanët turqisht-folës të Bullgarisë, gjatë fushatës që ndërmori udhëheqësi komunist Zhivkov për dëbimin masiv të tyre në vitin 1989, dhe ishte ai që dërgoi Diyanet dhe organizatat e tjera shtetërore në rajon.

Ishte gjithashtu Ozal ai që mbështeti Gylenistët, organizatën islamike të cilin Erdogan akuzon tani për organizimin e grushtit të shtetit kundër tij, për të fituar terren në Ballkan me shtimin e numrit të shkollave në gjuhën turke dhe grupeve të studimeve fetare.

Kur AKP-ja e Erdoganit u ngjit në pushtet në Turqi në vitin 2002, ai e përdori këtë rrjet ekzistues shtetëror dhe Gylenistët për të zgjeruar ndikimin e tij. Që nga përpjekja e grushtit të shtetit, goditja e Erdoganit ndaj Gylenistëve ka mbërritur deri në Ballkan, përmes operacioneve të posaçme të kryera nga shërbimet sekrete turke.

Ky është një investigim i vonuar dhe i plotë i ndikimit të jashtëzakonshëm të Erdogan në një rajon të trazuar. Turqia nuk është fuqia e vetme e jashtme e interesuar për Ballkanin. Rusia ka qenë u dashuruar pas komuniteteve ortodokse të rajonit, ndërsa Kina ka zgjeruar lidhjet përmes tregtisë dhe investimeve.

Bosnja është pika e bashkimit, ku komuniteti etnik serb e vlerëson dhe admiron aq shumë Vladimir Putinin sa myslimanët e Bosnjes Erdoganin. Dhe kjo është një sjellje e rrezikshme. Ballkani po dëgjon sërish zhurmën e rivaliteteve të brendshme. Aleksandar Vucic, presidenti aktual i Serbisë, ishte shefi i propagandës së Miloshevic,që dikur u zotua të “vriste 100 myslimanë për çdo serb që ata vrisnin”.

Në të gjithë rajonin, kriminelët e dënuar të luftës kanë filluar të rikthehen në shtëpi nga Haga, duke u pritur si heronj sapo shkelin në vendet që kanë ndryshuar pak që nga mbarimi i luftërave jugosllave.

Siç vëren Ozturk, në Maqedoninë e Veriut në shumë raste “mbështetja ndaj Erdogan nuk ka të bëjë shumë me dashurinë ndaj tij”, por është më shumë një refleks i vetë-ruajtjes në një rajon të ndërtuar mbi linjat e forta ndarëse etnike dhe fetare. Pikërisht në këtë kontekst do të shfaqen në vitet që do të vijnë edhe pasojat e ambicieve ballkanike të Erdoganit.

 

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH