Dossier

Pse Enver Hoxha e sulmoi Mustafa Krujën

               Publikuar në : 10:05 - 01/06/19 V Liberale

Në paraditen e 2 qershorit, në varrezat e qytetit të Krujës, në atë log heshtjeje e përsiatjesh, në atë kënd të qetë ku është pika e takimit mes botës sonë dhe asaj të panjohure “nga s’na u kthye kurrë udhëtari”, u mblodhën rreth pesëqind vetë, të ftuar  për t’i dhënë mirëseardhjen dhe lamtumirën eshtrave e, nëpërmjet tyre, kujtimit të një biri të shquar  të këtij qyteti, që për shqiptarët, prej më se pesë shekujsh, është simboli, deri në legjendë, i vlerave dhe personalitetit të tyre. Ato eshtra ishin pjesa e mbetur e trupit të Mustafa Merlikës, të cilit ky qytet i dha emrin e tij, të cilin ai e skaliti në dokumentin më të rëndësishëm të historisë shqiptare, në Shpalljen e Pavarësisë.

Mustafa Merlika lindi në Krujë më 15 mars 1887, në një familje që kishte origjinë nga malësitë e Kurbinit. Mori mësimet e para në mejtepin e qytetit të lindjes e pastaj shkoi në Janinë për të vazhduar atje liceun turk. U shqua për vijim të shkëlqyer në mësime, gjë që bëri të mundur vajtjen në Stamboll e hyrjen në Shkollën Civile Mbretërore, Mylkije, një farë ENA e Lindjes që kishte për mision përgatitjen e klasës drejtuese të Perandorisë. E mbaroi atë shkollë të lartë për Shkenca Politike dhe administrative në moshën 23-vjeçare. Gjatë kohës së shkollës mori pjesë në lëvizjet studentore kundër absolutizmit të Sulltanit dhe pati polemika të forta në shtyp mbi çështjen kombëtare me një nga shkrimtarët më të shquar të Perandorisë, Sulejman Nazifin.

Në vitin 1910 u kthye nga Stambolli me diplomën e Mylkijes në xhep, duke mos pranuar një post  kajmekami në një cep të Anadollit, mbasi e quante veten pazgjidhshmërisht të lidhur me fatet e vendit të lindjes. Puna e parë që filloi ishte ajo e mësuesit të matematikës në gjimnazin e Durrësit. Ishte një formë e “kushtrimit të të parëve”, mbasi matematika ka qenë pasioni i tij kryesor në liceun e Janinës. Po të mos kishte qenë ngulmimi i Esat Pashë Toptanit, Mustafa Asimi do të kishte qenë një inxhinier i aftë, ndoshta i patrazuar kurrë me politikën e, për pasojë, do të kishte pasur një jetë tjetër, larg tallazeve të saj. Por i ndikuar nga fryma atdhetare e poezive të Naimit, të cilat i mësoi përmendësh që fëmijë, dhe nga arsyetimet e Samiut mbi gjendjen politike të perandorisë dhe pasojave të saj mbi Shqipërinë, formimi i tij moral e intelektual nuk mund të mos e nxiste në rrugën e politikës.

Mësues i ri bashkëpunon me Dom Nikoll Kaçorrin, nënkryetarin e ardhshëm të së parës qeveri të shtetit të pavarur shqiptar, në krijimin e shoqërisë “Vllaznia” të Durrësit, në perspektivën e organizimit të një kryengritjeje të përgjithshme,  me synim pavarësinë e vendit. Para Shpalljes së Pavarësisë, së bashku me Abdi Toptanin, shkoi në Shkup për të koordinuar veprimet me kryengritësit kosovarë të Hasan Prishtinës, Bajram Currit, Nexhip Dragës e Isa Boletinit. Më 28 nëntor 1912 ishte në Vlorë si përfaqësues i Krujës, ku firmosi bashkë me të tjerët, Pavarësinë e Shqipërisë dhe u emërua në fillim si zv/prefekt e më pas sekretar i Këshillit të Ministrave. Prej këndej shkoi në Elbasan, ku mori detyrën e drejtorit të arsimit. Më pas luftoi rebelimin e Haxhi Qamilit dhe përkrahu ardhjen e Princ Wied-it. Edhe në qeverinë e Turhan Pashës u mor me organizimin e arsimit si këshilltar në atë ministri.

Zhvillimet politike të atyre viteve e bënë të marrë qëndrim kundër bamirësit të dikurshëm, Esat Pashës. Ky i fundit e detyroi t’i dorëzohet, e dënoi me vdekje, i fali jetën dhe e internoi në Favinjana të Italisë. Që aty u lirua si pasojë e ndërhyrjes së mikut të tij, gazetarit Sotir Gjika, i cili e emëroi kryeredaktor të së përjavshmes “Kuvendi”, që botohej në Romë, mbasi kishte bashkëpunuar me të në gazetën e Barit “Il corriere delle Puglie”. Veprimtaria publicistike do të vazhdonte më vonë me fletoren “Mbrojtja kombëtare” e Dom Mark Vasës, me artikujt e botuar tek “Lirija Kombtare” e Gjenevës, e drejtuar nga Omer Nishani, apo te “Shqipëria e Re” e Konstancës në Rumani. Për të përmendur disa organe të tjera të shtypit shqiptar të asaj kohe, në të cilat ka qenë e pranishme penda e Mustafa Krujës me pseudonime të ndryshme, mund t’i referohem “Hyllit të dritës”, “Leka”, “Illyria”, “Agimi”, “Shkëndija”, “Albania”, “Atdheu”, “Ora e Shqypnisë”, “Shkumini”, “Politika”, “Dajti”, “Vatra shqiptare”, “Bota e re”, “Ora e maleve”, “Koha”, “Roja Kombëtare”  deri te “Shejzat” në Romë, nё gjysmёn e dytё tё viteve pesёdhjetё.

U kthye në Shqipëri nga fundi i vitit 1918 për të marrë pjesë në Kongresin e Durrësit, ku u emërua ministër i Post-Telegrafeve dhe sekretar i Dërgatës shqiptare në Konferencën e Paqes në Versajë. Aty, së bashku me Luigj Gurakuqin, punoi për hartimin e të gjitha dokumenteve që do t’i paraqiteshin Konferencës apo liderëve të Fuqive të Mëdha. Po të lexohen me vëmendje ato dokumente, të përmbledhura e të botuara në dy vëllime, shihet qartë se me sa atdhedashuri, kompetencë, saktësi e pasuri argumentesh është mbrojtur çështja kombëtare në një nga çastet më të vështira e më vendimtare të historisë bashkëkohore shqiptare.

Për një kompleks skrupujsh moralë nuk mori pjesë në Kongresin e Lushnjës, megjithëse miratoi plotësisht domosdoshmërinë e mbajtjes së tij në atë periudhë tepër tё brishtё historike. Më 1920-n, me armë në dorë, u gjend në Koplik duke luftuar për mbrojtjen e Shkodrës nga malazezët. Më 1921-shin u zgjodh deputet i Kosovës në të parat votime të shtetit të pavarur shqiptar dhe u rreshtua me opozitën, që kundërshtonte kryesisht ngjitjen e Ahmet Zogut në pushtet. Një nga pjesëmarrësit e Lëvizjes së marsit 1922, së bashku me Zija Dibrën, Elez Isufin, Bajram Currin etj., mbas dështimit të saj shkoi në Jugosllavi. Brenda gjashtë muajsh mësoi serbo-kroatishten dhe përktheu e botoi librin “Shqiptarët e Fuqitë e Mëdha”, shkruar nga Vlladan Gjorgjeviç, ish-kryeministër i Serbisë. U kthye në Shqipëri, mbas fitores puçiste të opozitës, në qershor 1924, duke u emëruar prefekt i Shkodrës.

Natën e Krishtlindjeve 1924 u largua përsëri në mërgim, kësaj here për një kohë të gjatë prej 15 vitesh. Qëndroi në Bari, në Zara, në Gjenovë e në Gjenevë. Pjesëmarrës në KONARE, u shkëput më 1927-n, pasi nuk u pajtua me qëndrimet prosovjetike të disa eksponentëve të saj. Në mërgim kryesoi grupin që mori emrin e tij e që financohej nga qeveria italiane.

Vizioni i tij i përgjithshëm që përcaktonte dhe kahet e pjerrjes së bindjeve politike në lidhje me strategjinë kombëtare, anonte nga Perëndimi dhe vlerat e tij. Në këtë kontekst idesh bindja e tij ishte se Shqipëria, në rrugën e saj të gjatë e të vështirë drejt përparimit, duhej të kishte si përparësi mbështetjen  tek Italia. Kjo jo vetëm për peshën e saj si fuqi ekonomike e politike europiane, jo vetëm për imazhin e saj ndjellës në lëmin e kulturës e të qytetërimit, por edhe për faktin se, nga të gjitha shtetet e mëdha të Perëndimit, Italia ishte më e interesuar dhe më e prirura për të ndihmuar çështjen shqiptare. Janë konsiderata që duhet të shqyrtohen në kuadrin e çastit historik dhe të kushteve gjeostrategjike të Shqipërisë së dhjetëvjeçarëve të parë të shekullit XX. Sot, në botën e globalizuar, këta parametra të mendimit politik kanë ndryshuar, por ideja ka vazhduar të mbetet mjaft aktuale, me gjithë traumat që, herë pas here, ka pësuar duke filluar nga Traktati i Londrës, marrëveshja Titoni-Venizellos e deri tek 7 prilli 1939.

Mustafa Kruja u kthye në Atdhe mbas kësaj date dhe u emërua Senator i Mbretërisë Italiane, në të cilën tashmë përfshihej edhe Shqipëria e pushtuar. Ishte më shumë një titull nderi sesa një impenjim politik. Në “Vetëparaqitja”, e cila është kërkesa që ai i bëri Departamentit Amerikan të Shtetit për strehim politik, ai pohonte: “U ktheva atëherë në vendin tim të pushtuar i vendosur mos me marrë pjesë në asnjë qeveri të vendit të skllavëruar...” U mor intensivisht me Fjalorin etimologjik të shqipes, me kryeveprën e tij monumentale, së cilës i kushtoi pjesën më të madhe të kohës e të energjive të Tij shkencore e intelektuale  dhe kryesoi Institutin e Studimeve Shqiptare.

Ndërroi mendim kur kuptoi se lëvizja komuniste, e drejtuar nga dy të dërguar të PKJ, po fillonte të kërcënonte seriozisht t’ardhmen e Shqipërisë. Ofertës së Mëkëmbësit të Mbretit Françesko Jakomoni, i u përgjigj me një sërë kërkesash, si kushti për të formuar qeverinë. Këto kërkesa, në pjesën e tyre më të madhe, mbetën të paplotësuara, me gjithë premtimet e vazhdueshme të autoriteteve italiane. Bashkëpunimi me qeverinë italiane dhe autoritetet e pushtimit nuk qe një flirt që zgjati shumë. I nisur si një “lëshim i mëtejshëm ndaj nacionalizmit shqiptar” sipas ministrit të Jashtëm Ciano, ai erdhi duke u dobësuar e duke nxjerrë në shesh kundërshtitë. Kryeministri kishte kërkuar fondet për të ngritur në këmbë një korpus të milicisë shqiptare prej njëzet mijë vetash, por italianët nuk ia realizuan kurrë, sepse nuhatnin në të një rrezik për vetë qëndrimin e tyre në Shqipëri. Kryeministri kërkonte të çrrënjoste komunizmin në embrion, por italianët, për një zgjedhje strategjike të boshtit, e bënin vetëm për formë. Kryeministri, në rrethin e tij të ngushtë, kishte marrë një vendim tepër sekret: të organizonte krijimin e një force të armatosur, e cila në çastin e duhur dhe në marrëveshje me forcat e vërteta nacionaliste, do t’u jepte goditjen ushtrive të pushtimit, duke shmangur nga ky veprim lëvizjen komuniste të drejtuar nga jugosllavët. Për të filluar këtë plan strategjik, ai mendoi ta nisë nga Vlora, krahina më e fuqishme e kësaj lëvizjeje. Në këtë kontekst u emërua Qazim Koculi, miku i tij i vjetër dhe heroi i Vlorës 1920, si komisar i jashtëzakonshëm i qeverisë, por italianët e nuhatën dhe e vranë atë, nëpërmjet dorës së shqiptarëve. Atë çast, një nga më të hidhurit e jetës së tij, Mustafa Kruja e kuptoi se ishte goditur mbas shpine e se projekti i tij kishte dështuar. I kërkoi Jakomonit hetimin e shpejtë e të gjithanshëm të krimit e dënimin e dorasve e të shtytësve, por mori një refuzim të prerë. Vendosi të japë dorëheqjen e pakthyeshme e i kërkoi zyrtarisht Romës zëvendësimin e tij. Me atë akt të datës 13 janar 1943 u mbyll karriera politike e Mustafa Merlika Krujës.

Në 13 muaj veprimtari, qeveria e Mustafa Krujës u përpoq të frenonte e të luftonte lëvizjen komuniste, e cila luftën për çlirimin e atdheut e kishte si një gjethe fiku për të mbuluar synimin për të marrë pushtetin e ardhshëm, në kuadrin e një strategjie botërore, të përpunuar në Moskë e në zyrat e Kominternit. Fakti që këtë luftë e filloi mbas sulmit të Gjermanisë BRSS nuk le mëdyshje mbi motivin e vërtetë të saj. Por ajo veprimtari u shqua edhe në dy drejtime të tjera: i pari ishte i lidhur me krijimin e shkollave shqipe dhe përhapjen e arsimit shqip në territoret  e ribashkuara me “shtetin amë”, Kosova në radhë të parë, kurse i dyti kishte të bënte me përndjekjen mizore karshi hebrenjve. Për territoret e çliruara u mobilizuan forcat më të mira e më idealiste të inteligjencës shqiptare, të drejtuara nga dy personalitete të kulturës të rangut më të lartë, si Ernest Koliqi e Xhevat Korça. Kosova i qe mirënjohëse Mustafa Krujës e qeverisë së tij. Vizita e tij në të ishte një shfaqje në shkallën më të lartë e respektit dhe dashurisë për ish-deputetin e saj dhe vendimi i administratës së Prishtinës jo serbe, për të emëruar një rrugë të kryeqytetit kosovar me emrin e tij është dëshmia më e mirë e konsideratës që Kosova ende ruan për të. Familja e Mustafa Krujёs i ёshtё mirёnjohёse pёrjetё administratave tё qyteteve kosovare.

Drejtimi i dytë ishte i lidhur me një nga dukuritë më mizore e më të turpshme të Luftës së Dytë Botërore, atë të shfarosjes së hebrenjve. Mustafa Kruja dhe qeveria e tij patën meritën që Shqipërisë nuk i lanë njollën e vrasëses së hebrenjve, por nderin e shpëtueses së tyre. Kërkesës së komandës gjermane të Ballkanit për evidentimin dhe dorëzimin e çifutëve ata iu përgjigjën me një mobilizim të gjithanshëm të administratës, në të gjitha nivelet, për të zhvendosur ata nga Kosova në jug të Shqipërisë, duke i pajisur me dokumente shqiptare e duke u shpëtuar jetët. Përgjigjja negative që iu dha komandës gjermane tregoi guximin dhe humanizmin real të kryeministrit Kruja dhe bashkëpunëtorëve të tij. Kështu Shqipëria e vogël u bashkua me Danimarkën, si të vetmet shtete në Evropën e pushtuar, në nismën tepër guximtare të mosdorëzimit të hebrenjve. Ky fakt, që nderon në nivelin më të lartë Shqipërinë dhe popullin e saj, u mbajt i panjohur, vetëm e vetëm sepse ata që e kryen ishin shqiptarë antikomunistë. Çdo koment për këtë veprim më duket i tepërt.

Arsyeja e trajtimit të figurës së Mustafa Krujës  me ngjyrat më të errëta nga historiografia komuniste nuk ishte thjesht i ashtuquajturi bashkëpunim me pushtuesin italian, për të cilin ka vend për diskutim e rrahje mendimesh. Arsyeja e vërtetë ishte se Ai ishte një antikomunist i vendosur, se e quante sistemin bolshevik rrezikun më të madh që i kanosej Shqipërisë, për shmangien e të cilit do të ishte e pamjaftueshme çfarëdo lloj sakrifice. Kjo ishte besoj-ma e tij politike, për të cilën nuk ngurroi të vërë në diskutim të gjithë kapitalin e tij moral e politik. Nga lartësia e gati tre të katërtave të shekullit, me ndershmëri intelektuale dhe objektivitet shkencor, mund të gjykohet në dritën e saj të vërtetë vlera e asaj besoj-me.

Besoj se nuk gabohem nëse pohoj se Ai qe një nga njohësit më të mirë të komunizmit si sistem, qoftë në formulimin e tij teorik ashtu sikurse edhe në zbatimin e tij praktik. Ata zotërinj, që kanë inventarizuar e  shpënë në Bibliotekën Kombëtare librat e tij, mund të dëshmojnë se ç’përqindje të lartë zinin ato që ishin shkruar për komunizmin. Meqenëse akti i fundit i jetës së tij politike iu kushtua përpjekjes jo frutdhënëse për të mos lejuar instaurimin e diktaturës së kuqe, kjo e fundit e quajti armikun e saj kryesor. Si pasojë historiografia, pasqyrë e gjallë e vijës politike të regjimit, me një të rënë të furçës, fshiu çdo meritë  të tij edhe në fushat e tjera të veprimtarisë, përfshirë këtu edhe pjesëmarrjen në Shpalljen e  Pavarësisë, duke dënuar a priori përjetësisht me etiketën e tradhtarit, një nga protagonistët e jetës politike e kulturore të kombit./Gazeta Liberale

(Visited 38 times, 1 visits today)

KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

* *