Aktualitet

Pse Edi Rama po amniston Sali Berishën dhe një Front në pritje!

Shkruar nga Liberale
Pse Edi Rama po amniston Sali Berishën dhe një Front në pritje!

Nga Poli Hoxha

Pas nisjes së bisedimeve për anëtarësim në BE të Shqipërisë Edi Ramës, (përveç 18 detyrave dhe kushteve), që dalin sërish nga sirtarët, i ka mbetur në dorë edhe çështja e opozitës.

E dobët apo jo, e përçarë apo e pakallur ende në varr, në një vend me këtë status ajo kthehet në një nga kolonat kryesore të vendit dhe të rrugës drejt një demokracie funksionale dhe institucionale.

Këtu nis halli i kryeministrit i cili që tani është i detyruar që të korr atë që mbolli vetë në mënyrën më malinje, duke ushqyer në prapaskenë me çdo mjet dhe mënyrë përçarjen e PD-së dhe ndihmuar posaçërisht Foltoren.

E di që do të baltosem dhe mallkohem për këtë fjali por oligarkë, ministra, kryetarë bashkish e madje edhe eksponentë të krimit të organizuar, i kanë ende në celularët e tyre mesazhet e Edi Ramës ku i udhëzon që të ndihmojnë Foltoren, gjatë rrugëtimit të saj të shtrenjtë nëpër Shqipëri.

Por të kthehemi te aktualiteti pas Negociatave!

Nëse e vutë re, gjatë konferencës për mediet në Bruksel ai bëri një prapakthehu radikal në lidhje me Partinë Demokratike. Kur u pyet se përse nuk kishte përfshirë opozitën në delegacion, u justifikua: Po cilën opozitë?!

Ndërsa mëngjesin tjetër kur ngrit flamurin e BE-së te godina e kryeministrisë në Tiranë, vazhdoi: Sa do doja që në atë vendim historik të ishte edhe opozita, por...

Vini re: Edi Rama i cili deri dje nuk e njihte deri në përbetim pjesën e udhëhequr nga Sali Berisha brenda PD-së, pas negociatave po e amniston hapur atë.

Nuk besoj se ka ndonjë kokërr që beson, se kjo është porosi nga Brukseli...

Kur Rama thotë se nuk dinte se cilën pjesë të opozitës të merrte me vete në Bruksel, ai barazon PD e pozicionuar me Lulzim Bashën, Enkelejd Alibeajn, Jorida Tabakun, Gazmend Bardhin dhe shumicën e grupit parlamentarë, me atë të Rithemelimit.

Duke hedhur në publik dilemën e tij se gjoja nuk dinte “me kë opozitë” të shkonte në Bruksel, ai ka amnistuar si fillim Sali Berishën dhe strukturën e tij politike.

Është e vërtetë se për ligjshmërinë e dy pjesëve të PD-së ka një proces gjyqësor në vazhdim, por institucionalisht në parlament opozita (PD zyrtare që ka emrin edhe në KQZ) ka një grup të madh parlamentarë. Ka gjithashtu një nga nënkryetarët e Kuvendit e mbi të gjitha, nëpërmjet Jorida Tabakut drejton pikërisht Komisionin për Integrimin e Shqipërisë.

Atëherë; përse nuk e mori Tabakun në tagrin e këtij posti parlamentarë dhe jo si “bashiste’ në Bruksel?

Sepse ashtu siç ka bërë fshehtas që nga nisja e Foltores, ai nuk ka dashur kurrë që të defaktorizojë Sali Berishën dhe lëvizjen e tij. E kundërta është e vërtetë. Madje zvarritja kriminale që Apeli po i bën dosjes së legjimitetit të PD-së, sipas të gjitha gjasave është vepër e tij.

Edi Ramës deri përpara nisjes së bisedimeve me BE për të cilat lutej natë e ditë që të mos hapeshin, lumturohej duke hedhur valle dhe duke u tallur mbi rrënojat e opozitës.

Tani në krye të një vendi që mori detyrat për tu anëtarësuar në BE, ai po shpreson ta shtyjë me alibinë e re se nuk di kë të njohë nga dy pjesët e Partisë Demokratike!

Por kjo është një përpëlitje dhe një luftë e dëshpëruar me kohën.

Nga ana tjetër, grupimi properëndimor brenda PD-së duhet që të zgjohet dhe të dalë nga gëmusha, ku është fshehur në pritje të largimit të “Berishës së frikshëm”.

Aksioni politik pas negociatave, tani duhet të jetë mëshimi i frymës së demokracisë funksionale perëndimore e cila Edi Ramën dhe Sali Berishën, i nxjerr lakuriq për 24 orë.

Le të mbushin salla dhe sheshe të dy a që të tre, bashkë me Ilir Metën; le të marrin vulën dhe ndërtesën e PD-së me vendim gjykate. Asgjë nga këto nuk ka rëndësi përball domosdoshmërisë dhe etjes së shumicës së shqiptarëve për një opozitë perëndimore që sheh nga BE dhe SHBA.

Basha, Tabaku, Alibeaj dhe mijëra demokratë që kanë ulur kokën të kompleksuar nga furia berishiste, së pari duhet të kuptojnë misionin e tyre historik properëndimor.

Nuk janë shumë 3 vite për tu riorganizuar dhe fituar. Ndryshe nga këta të statukuosë, janë të vetmit që kanë kohën pro vetes.

Të njëjtën gjë duhet të bëjnë edhe faktorë të tjerë që “trekëndëshi” i ka mbytur ndër vite, sa herë që ngrenë kokë.

Me Kreshnik Spahiun në krye apo jo, duhet të rikthehet “Aleanca Kuq e Zi” sepse dikur e dashuronin mijëra dhe mijëra shqiptarë anti-estabilishment. Njësoj edhe “Nisma” apo ata idealistë të shumtë që u mblodhën rreth partisë “Libra”, pavarësisht nga goditja cerebrale që përjetojnë ende pas braktisjes së “pabesë” nga Ben Blushi.

Ka ardhur koha që të ringjallet Lëvizja për Mendim Ndryshe (nga brenda apo jashtë Partisë Socialiste, nuk ka rëndësi), pavarësisht nga dëshpërimi dhe fataliteti që ju ka fiksuar Edi Rama si “mbret” i PS-së.

Partia Demokratike dhe gjithë faktorët që duan fundin e Tranzicionit, nuk kanë kohë që të presin “fundin” e Berishës. As që SPAK të arrestojë Edi Ramën.

Me Rilindje pa Rilindje, me Rithemelim pa Rithemelim, duhet të tregojnë shpejt dhe me vepra se një Shqipëri që mëton BE-në, meriton një opozitë perëndiomore tani dhe asnjë ditë më vonë.

Le ta bëjnë duke tejkaluar veten sepse as për zgjedhjet e vitit 2025, nuk do të jetë nevoja për të rrëzuar klepto-krimo-kracinë 30 vjeçare! /Alfapress.al

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH