Editorial

Pse Basha nuk mund të vështrojë Kuvendin e Berishës

Shkruar nga Liberale
Pse Basha nuk mund të vështrojë Kuvendin e Berishës

Arion Sulo

Berisha lajmëroi dje nga Berati se data e Kuvendit të jashtëzakonshëm do të lajmërohet javën që vjen. Ju informoj me kënaqësi se kuorumi mbi 50% është tejkaluar me kohë dhe ne do të mbledhim Kuvendin Kombëtar, tha ai, duke e kuptuar se “Foltorja” kishte nisur të vinte bark dhe ishte koha që të mbante premtimin. Çdo gjë sipas kohës së vet dhe pa e zgjatur më shumë se ç’duhet. Është tjetër gjë sesi do të mbahet beteja statutore mes Berishës dhe Bashës sa i përket legalitetit të Kuvendit, por nga pikëpamja e koherencës politike ish -kryeministri u tregua i përpiktë.

Nga na tjetër Partia Demokratike dhe Lulzim Basha patën këtë javë një komunikim  të ngjeshur politik, duke prezantuar një paketë me ndryshime kushtetuese, ku vëmendjen më të madhe e mori  vetingu i politikës. Pasuria e politikanëve,  është gjithmonë një e dhënë që lidhet me cilësinë e qeverisjes, e për pasojë të thuash se do kontrollohen paratë,  pronat apo se do hetosh nëse  ministrat kanë kontakte me kriminelë, sigurisht që në publik ngjit menjëherë. Ndryshimi nga projekti i 2018-ës është se vetingun do ta bëjë SPAK, edhe ky është një akronim që ka ende ka besueshmëri, megjithëse pa ndonjë rezultat domethënës.

Bashkë me paketën kushtetuese, këtë javë PD dhe Basha iu përgjigjën edhe ish kryetarit të tyre, Berisha. E bëri këtë vetë Basha gjatë një mbledhje me dyer të mbyllura të grupit parlamentar, ku mbajti fjalimin më të fortë pas përjashtimit të Berishës si dhe gjatë konferencës për shtyp të mes javës, duke   iu përgjigjur dy-tre pyetjeve për akuzat e ish liderit të PD.

Edhe pse investimi i demokratëve ishte më i madh për paketën kushtetuese, sërish debati më real dhe më i ndezur ishte për konfliktin Basha-Berisha.  PD dhe Basha prej nisjes së “Foltores” kanë ndryshuar disa herë strategji komunikimi, duke zgjedhur më shumë të mos i përgjigjen komenteve, akuzave dhe sulmeve të Berishës.  Këtë javë ata vepruan ndryshe, duke konfirmuar edhe njëherë se heshtja në politikë nuk është strategji.

Në debatin Basha-Berisha, kuptohet që kreu i PD pas vendimit të përjashtimit nuk ka se çfarë aktesh të ndërmarr, por ai nuk mund të pretendojë të mbajë Partinë Demokratike nëse i lë Berishës edhe aktet politike( Kuvendi i jashtëzakonshëm) dhe debatin publik.

Sfidanti në këtë betejë është Berisha dhe ai nuk ka çfarë të humbë. E kuptueshme është që Basha të kërkojë ta shmangë sa të mundë ndeshjen që i rrezikon postin dhe  përçan PD. Por kjo s është më në dorën e tij, ajo ka ndodhur  dhe kundërshtar politik përballë ka Berishën, i cili i ka shpallur luftë pa kompromis.

Me Kuvendin e jashtëzakonshëm që pritet të mbahet, jo më larg se mesi i nëntorit, Basha nuk ka më çfarë të presë. Nëse ai ka zgjedhur të flasë nëpërmjet gjuhës apolitike të juristëve për pavlefshmërinë e Kuvendit, apo interpretimin e Statutit me shumë mundësi do të shtojë paqartësinë dhe pakënaqësinë në radhët e demokratëve. Vendi bosh që Basha ka lënë në debatin publik më real në vend, ka bërë që demokratët të dëgjojnë nga doktori vetëm sesi do të mundë Bashën, ndërkohë që më e rëndësishme për ata është se kush mes Bashës dhe Berishës ka më shumë shanse të mundë Ramën. /Gazeta Liberale

 

 

 

 

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH