Letërsi

'Prushi Pellazg', letërsi e frymëzuar nga Dhimitër Pilika

Shkruar nga Liberale

Miço Mone

Ndërsa fundi i viteve ‘60 përpëlitej nën një mjegull tinzare që herë-herë shpërthente mllefin e injorancës zyrtare të kohës si rrebesh në mesin e një dite me diell, skifterëve të dijes e kulturës u errësohej horizonti për fluturimin e tyre në kuota të larta. Kjo mjegull e solli në Divjakë profesorin Dhimitër Pilika, që kishte rezervuar diellin për historinë e mbuluar prej shekujsh nën tokë, për t’i zbuluar dimensionin e vërtetë qytetërimit Pellazg, aq sa edhe Divjakës antikitetin.

“I emëruar” (kuptohet internuar) prej kohësh në Divjakë, ku rrjeti i survejimit dhe informimit ishte instaluar, Pilika gjeti të tjerë “të emëruar” më parë atje, si shkrimtarin Naum Prifti, drejtorin e tij Kola që kishte fituar “imunitet”, si dhe mësues të tjerë. Prurje të reja priteshin, sa herë mjegulla dendësohej e kthehej në rrebesh. Por, krijimi i një grupi nxënësish arkeologë të pasionuar si vetë Pilika, ishte gjetja më e rëndësishme për të.

Ndërsa hija që e ndiqte, survejonte dhe informonte për gjithçka që ai bënte e kë takonte, ishte personazhi kolektiv i sistemit, që kishte të njëjtën fytyrë të huazuar nga shefat, të njëjtin karakter hakërrues, edhe pse të padukshëm. Kishte prej tyre, që nga tundimi i etheve të arit dilnin zbuluar për përfitime, sepse “legjenda” e varrit të pasur që do të zbulonte prof. Pilika, kishte arritur para ardhjes së profesorit në Divjakë. Kodi i injorancës në pushtet.

Dhimitër Pilika është figurë poliedrike dhe për të tillë nuk e prezantoi kush, por nuk u desh kohë të konfirmohej si idhull i të gjithëve. Me Naum Priftin i lidhte poezia e ironisë inteligjente në dialog, që mbulonte respektin e thellë për njëri- tjetrin. Asnjëri nuk e kuptoi, nëse njiheshin më parë. Nxënësit gati përgjëroheshin të kishin të bënin me të apo ta shihnin çdo çast, edhe kur nuk ishte e mundur. Ata e mendonin si perëndi, tempujt e së cilës sapo ishin rrëzuar. Të vjetrit, të cilët i dhuruan shpirtin e tyre në këngët e vjetra të trevës, mezi prisnin të takoheshin përsëri. Me Kolën nuk i mungoi asnjëherë respekti për figurën si drejtor, por bënte kujdes nga “imuniteti” i tij. Hijet që e ndiqnin, në çdo çast i sfidonte me indiferencën profetike të tij...

Naum Prifti është personazhi i gjithëpranishëm, përveçse një artist i madh. Ai deshifronte gjithë ç’thuhej rreth tij, duke i kaluar me një të qeshur karakteristike të tij dhe herë-herë me një ironi që pakkush e kuptonte ç’thoshte. Por, nëse do të dëgjonte një “thënkë” për profesor Pilikën, vështirë ta mbante veten...

Drejtori dhe Pilika kishin rezerva për njëri-tjetrin. Njëri, ngaqë lakmonte të ishte si tjetri, edhe pse diletant si arkeolog; kurse tjetri bënte kujdes nga “imuniteti” që kishte fituar në kohë...

Këto shënime, ai adoleshenti pak më shumë se një fëmijë që vizatonte të gjithë repertet e zbuluara prej Pilikës, duke e habitur që në vizatimin e parë, sot i pjekur, i shkruan në vetën e parë, me po atë ndjenjë respekti e stimë për profesorin e tij...

Për betejën e skifterit me një zog gjatë fluturimit, ku manovra për t’u mbrojtur në pikiadë e bëri të përfundojë në një ferrë, e që skifteri duke rrezikuar mundi ta arrijë, edhe pse u ngatërrua në ferra, Pilika nuk mund të përgjigjej ndryshe: “Skifteri ka lindur të luftojë në ajër, në kuota të larta” - si të fliste për veten e tij. Ai nuk do t’i braktiste kurrë as lartësinë dhe as betejën e tij për origjinën e mohuar të shqiptarëve, që edhe pse i vetëm, do t’i jepte jetë. Ai e injoronte errësirën që e ndiqte dhe asnjëherë nuk e quajti persekutim, përkundrazi. Ylli nga i cili udhëhiqej, këto hije të mjegullta e të rrezikshme i trajtonte si stimul për t’iu përkushtuar pasionit dhe të vërtetës së popullit të tij.

Ajo që për të gjithë konsiderohet drama e tij, vetëm nëse do të përjetonin për pak këtë pasion dhe përkushtim, do t’i bënte të preknin një botë, që i mbart të gjitha ngjyrat dhe shkëlqimin e një jete dhe ndjenje sublime, më madhorja që egziston. Kjo e bënte Dhimitër Pilikën të shquhej ndër të mëdhenjtë, të vlerësohej nga studiuesit e vërtetë, të adhurohej nga masa e thjeshtë dhe të goditej nga injorantët varrmihës që kishin pushtetin. Vetëm ai diti ta kthejë këtë dramë në një poezi që do ta recitojë krenaria e një kombi.

Ky libër është për të... /Gazeta Liberale

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH