Nga Antonio Polito
Një provë force globale e zhurmëshme po zhvillohet ndërmjet parlamenteve të vjetër dhe synuesve të rinj autokratë.
Po huazojmë një term që vjen nga historia e Rusisë perandorake, ndoshta e tepruar nëse i vishet politikanëve të zgjedhur demokratikisht e plotësisht të ligjësuar. Por metafora është e dobishme për të shpjeguar ndeshjen në veprim: nga një anë drejtues që synojnë të bëjnë të rrjedhë pushteti i tyre prej atyre vetë, nga marrëdhënia e tij e drejtpërdrejtë me popullin; nga ana tjetër parlamente që mëtojnë prej tyre t’i nënshtrohen epërsisë së ligjit, që shprehet nëpërmjet përfaqësuesve të popullit. Dhe është një betejë pashmangmërisht e dyshimtë: në fund të fundit prejardhja e dy termave në bejleg, “demokracia” dhe “populizmi”, është e njëjta, mbasi “demos” në greqishte është e barazvlefëshme me “populus” në latinisht. Rastet Johnson dhe Trump janë domethënës e të ngjajshëm. I pari kërkoi të mbyllte Parlamentin, një sfidë skajore në një Vend si Anglia, në të cilën i kushtoi jetën një mbreti në 600: Karlit I, një mbështetësi të harbuar të së drejtës hyjnore të mbretërve, i u pre koka edhe sepse kishte mbajtur të mbyllur Westminsterin për njëmbëdhjetë vite. Në mënyrë më pak mizore Borisi është përplasur kundër vendimit të gjykatësve eprorë të Mbretërisë së Bashkuar, të cilët e kanë rrëzuar veprimin e tij si “të paligjshëm”, duke shtuar se “pasoja mbi parimet themelore të demokracisë britanike ka qënë skajore”. Edhe në Washington, në të njëjtën kohë befasuese, Parlamenti, i quajtur atje Kongresi, ka filluar formalisht një hetim mbi presidentin Trump sepse ”ka dhunuar Kushtetutën dhe tradhëtuar betimin e tij”, mbasi “askush nuk është përmbi ligjin”: një proçedim që në teori mund të çojë deri në shkarkimin (edhe se Senati, dhoma e Shteteve me shumicë republikane, vështirësisht se mund t’a autorizojë).
Jemi të joshur të vemë në tufë edhe kundërshtinë që ka vënë së fundi në Itali Matteo Salvinin me Parlamentin të cilin ai donte t’a shpërndante e që, për t’i qëndruar nuk nguroi të përmbysë shumicën dhe t’i japë besimin second life të Giuseppe Conte-s. Drejtuesi i ynë, i dehur nga sondazhet, kishte arritur deri aty sa të kërkonte për vehte “fuqi të plota”. E megjithëse Salvini nuk është as Johnson as Trump, jo vetëm se nuk ka leshrat e verdha, ajo thirrje ndoshta qesharake duhet të ketë pasur një peshë të sajën në ngjizjen e një shumice parlamentarësh kundër tij, me që në demokraci fuqitë e plota nuk mund të jenë, mbasi të gjitha pushtetet janë të barazpeshuara nga të tjera.
Jemi të pranishëm në një lloj dhënie llogarie të politikës demokratike. Trump, Johnson, Salvini, Orbán, Bolsonaro nuk janë, siç thuhet shpesh, e shkuara që rikthehet, por më shumë një përpjekje përgjigjeje bashkëkohore, edhe se herë herë shqetësuese, krizave të demokracisë përfaqësuese. Është dobësia e parlamenteve, miratimi i pakët që gëzojnë partitë që tradicionalisht i mbajnë gjallë, vështirësia për të mbajtur premtimet për mirëqënie, që kanë thirrur nga përmbrendëset e shoqërisë të Mijëvjeçarit të Tretë shpirtërat e autokracisë, të njeriut të fuqishëm që nuk duhet të pyesë kurrë, të mospranimit të kompromisit demokratik, shpresën e kotë të vendimmarrjes që nuk pyet për laqe e leqe, për rregulla e ndërvartësira, që e shtyn presidentin e Brazilit të thotë në sy të botës: “Pylli amazonik nuk është një pasuri e njerëzimit, është e jona”. Prandaj aspiruesit autokratë kanë akoma erën mbrapa dhe nuk është aspak e thënë që të mos dalin fitimtarë me parlamentet. Thirrja që i bëjnë ata popullit shkon mirë, mesazhi i tyre është i thjeshtë, programi i tyre është konkret. Jo gjithmonë udhëheqësit demokratë tregojnë se kanë fuqinë dhe guximin të paraqesin një përgjigje të anasjelltë e të besueshme krizës, të aftë të pushtojë zemrat, mëndjet dhe kuletat e zgjedhësve.
Nga ana tjetër Samuel Huntington na kishte paralajmëruar. Dy vjet mbas rënies së Murit të Berlinit, përvjetori i tridhjetë i të cilit bie mbas pak më shumë se një muaji, kishte parashikuar se mbas shtrirjes së gjërë të demokracisë liberale që pasoi fundin e regjimeve komuniste do të kishte arritur një baticë autoritare, vala e tretë e një dukurie që ishte prodhuar edhe dy herë të tjera në shekujt nëntëmbëdhjetë e njëzet. Sot regjimet jo demokratikë, të vëna sëbashku, përfaqësojnë një të tretën e PPB botërore, kundrejt 12% të tridhjetë viteve më parë (mbi të gjitha në sajë të rritjes së Kinës); dhe simbas Foreign Affairs përgatiten të qeverisin mbi gjysmën e të ardhurave globale.
Por është fakt që e vetmja formë e njohur demokracie është ajo parlamentare, pra është maturi të vesh bast mbi qëndresën e saj. Anglia dhe Shtetet e Bashkuara kanë qenë djepi. Edhe Italia me mundësitë e saj, e zhytur në më të madhen Evropë, ka një qëndrueshmëri, të vërtetuar në vite provash dokesh e sondazhesh; drejtuesit që kundërshtojnë sistemin politik, si Salvini, lëvizin plotësisht në brendësi të ligjëshmërisë demokratike. Por fatet e kundërshtisë ndërmjet demokracive të vjetra dhe demokraturave të reja janë në duartë e qytetarëve. E vetmja gjë për të cilën mund të jemi të sigurtë është fakti që për të qënë demokracia ka nevojë për demokratë.
Corriere della Sera
E përktheu Eugjen Merlika