Editorial

Prova e madhe e Vetëvendosjes dhe LDK-së në qeveri

Shkruar nga Liberale
Prova e madhe e Vetëvendosjes dhe LDK-së në qeveri

Ervis Iljazaj

Sipas të gjitha sondazheve partitë fituese në zgjedhjet parlamentare në Kosovë janë Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Vetvendosja. Me shumë gjasa gara se cila parti do të jetë partia e parë, dhe si pasojë ajo që do të ketë Kryeministrit e Kosovës do të vazhdoje deri në votën e fundit .

Por, pavarësisht postit të Kryeminsitrit,  nëse krijohet një qeveri LDK dhe VV  ashtu sikurse flitet dhe sic do të ishte normale , provat e kësaj qeverie priten të jenë shumë të mëdha për vet cështjet që ka shtetit i Kosovës për të zgjidhur.

Në thelb, zgjedhjet në Kosovë nxorën fituese opozitën, duke ndëshkuar forcat qeverisëse . I gjithë suksesi i këtyre lëvizjeve është bazuar në fakt te një vote kritike ndaj qeverisë, ose më saktë një votë mllefi ndaj qeveritarëve aktuale. Kryesisht Lëvizja Vetëvendosje ka patur gjithë kohës një retorike populiste dhe denoncuese, dhe shumë pak mund të gjendet në fjalorin e saj një gjuhë propozueze.

Mirëpo, pikërisht kjo është sfida më e madhe e këtyre forcave. Është prova e të qënit në qeveri dhe marrja e përgjegjësisë , e cila ka një kontekst dhe një filozofi totalisht të kundërt kur gjendesh në opozitë. Kur je në opozitë, në një fare mënyrë politika është e lehtë. Mjafton të denoncosh të gjitha problemet dhe te mbledhësh rreth vetes të gjitha pakënaqëisë, të cilat në një vënd si Kosova janë të mëdha, dhe suksesi është  garantuar.

Sidomos kjo pritshmëri, pra performanca në qeverisje, është më e madhe për Lëvizjen Vetëvendosje, e cila nuk ka qenë asnjëherë në pushtet, dhe si pasojë ka një kuriozitet të madh se si do ta menaxhojë ajo këtë përgjegjesi nëse do të jetë pjesë e qeverisë së nesërme. Sepse, të bësh opozitë, dhe këtë gjë Vetëvendosja e bën shumë mirë, është një gjë totalisht e ndryshme me qeverisjesn dhe hapësirat e ngushta që të jep ajo, për shkak të ekulibrave që duhen ruajtur, apo mundësive reale që ka shteti Kosovës për të bërë të mundshme të gjitha premtimet elektorale. Aq me tëpër kur, Kosova ndodhet në një moment delikat të historisë së saj.

Më shumë se sa cështjet e brendshme, ajo që pritet të jetë prova më e madhe për qeverinë e re me Vetëvendosjen brenda saj, janë politikat e jashtme. Është e paqartë se si do të shkojnë bisedimet me Serbinë, apo raportet me Brukselin dhe Shtetet  Bashkuara të cilat kanë një rol përcaktues në Kosovë. Deri më tani , nga ajo që është paraqitur si nga LDK si nga VV në këtë drejtim është e paqartë. Sepse kur je në opozitë, është e lehtë të gjykosh cdo gjë që del nga bisedimet në Bruksel si tradhti kombëtare. Por, kur do të duhet që në zyrën e qeverisë të presësh përfaqësues të Brukselit apo të ShBA , nacionalizmi i shfaqur në opozitë  nuk ka më asnjë vlerë, sepse diplomacia është shumë dimensionale dhe ka brenda shumë kontekste që duhet ti kesh parasysh kur jë në krye të qeverisë.

Po ashtu, edhe politika e brendshme e Kosovës ka shumë probleme që presin të marrin përgjigje, si korrupsioni apo papunësia. Probleme të cilat të japin shumë vota ku ri denoncon, por kur përballesh me to kur qeverisë është një histori komplet tjetër.

Për të gjitha këto arsye, ndoshta është për të mirën e Kosovës që pati një ndryshim rrënjësor dhe qasje të rë politike, apo një ndryshim të cilin e kërkuan qytetarët e Kosovës me votën e tyre. Por, kjo po ashtu është një provë e madhe për forca politike që suksesin e tyre  kanë arritur kryesisht duke denoncuar dhe jo duke qeverisur. /Gazeta Liberale

 

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH