Globi

Protestë në kohë pandemie, izraelitët në shesh kundër qeverisë

Shkruar nga Liberale
Protestë në kohë pandemie, izraelitët në shesh

Pandemia koronavirus nuk ka ndaluar qytetarët izraelitë në Tel Aviv që të shprehin pakënaqësitë e tyre ndaj qeverisë. Të pajisur me maska mbrojtëse, me flamuj të zinj në duar dhe duke mbajtur distancë prej dy metrash nga njëri-tjetri, mijëra vetë morën pjesë në një demonstratë kundër kryeministrit, Benjamin Netanjahu.

Ai është nën aktakuzë penale për tre raste korrupsioni, por mohon të ketë bërë diçka në kundërshtim me ligjin. Aktualisht po negocion një marrëveshje për ndarjen e pushtetit me rivalin e tij politik Benny Gantz për të formuar një qeveri koalicioni që do t’i jepte fund ngërçit politik që ka mbërthyer Izraelin, vend i cili mbajti 3 zgjedhje parlamentare në një vit.

Nën moton “Shpëto Demokracinë”, protestuesit i kërkuan partisë Bardh dhe Blu të Gantz, që të mos bëhet pjesë e një koalicioni të drejtuar nga një kryeministër i akuzuar për korrupsion.

“Po luftojmë për gjithçka dhe për çdo gjë që është thelbësore për të ardhmen e këtij vendi dhe fëmijët tanë, demokracinë izraelite, dhe mënyrën se si kjo qeveri në ngadalësinë e saj po merret me krizën e koronës”, u shpreh opozitari Yair Lapid.

Izraeli nuk ka një bilanc shumë të lartë të prekurish dhe viktimash nga Covid-19, megjithatë ka vendosur një izolim të pjesshëm duke detyruar qytetarë të shumtë të qëndrojnë në shtëpi. Për shkak të rritjes së nivelit të papunësisë në 26%, qeveria do të nisë lehtësim gradual të masave kufizuese këtë javë.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH