Kryesore

Protestat dhe zgjidhja … sa larg

               Publikuar në : 10:33 - 15/04/19 Liberale

E sigurt është se PD-ja dhe LSI-ja kanë aq fuqi dhe njerëzit kanë aq pakënaqësi ndaj qeverisë sa mund të organizohen dhe dy a tre protesta të tjera, të ngjashme me të kaluarat. Por kjo nuk mjafton. Koha shtrëngon dhe demokratët tashmë gjenden gjithmonë e më përballë pyetjes: A do të mund ta arrijnë qëllimin e tyre politik vetëm me protesta?

Arion Sulo  

Ajo e së shtunës ishte e treta para Kryeministrisë dhe e nënta në radhë prej mesit të shkurtit. Nëse opozita mban të njëjtin ritëm manifestimesh politike, deri më 30 qershor, ditën e zgjedhjeve lokale, mund të kemi edhe dy ose tri protesta të mëdha dhe shumë të tjera, në ditët e seancave parlamentare.

Tiktaku që kreu i PD-së i drejton Edi Ramës në mbyllje të çdo proteste, në të vërtetë kalon edhe për të. Koha shtrëngon dhe demokratët tashmë gjenden gjithmonë e më përballë pyetjes: A do të mund ta arrijnë qëllimin e tyre politik vetëm me protesta?

Opsionet e tjera janë: moszhvillimi i zgjedhjeve lokale, një alternativë që po afrohet me shpejtësi dhe opozita e sheh si armën e fortë, por njëkohësisht të fundit për të detyruar kryeministrin të tërhiqet dhe marrëveshja qeveri – opozitë që, nëse ndodh ngjan shumë me atë të majit 2017, por që përjashtohet çdo ditë e më shumë nga demokratët.

Protestat, një nga mjetet

Përtej debateve, deri diku të pakuptimta, për numrin e qytetarëve nga një protestë te tjetra, e rëndësishme është forca dhe vijimësia e tyre. Opozita ia ka arritur deri tani të mbledhë në shesh mijëra qytetarë, gjë që nuk është sipërmarrje e vogël në kohën kur shteti është akoma punëdhënësi më i madh dhe përkatësia politike, sidomos nëpër provinca, mbetet mjet jetese. Qeveria është në rol kur qesëndis rënien e numrit të protestuesve, siç ndodhi të shtunën dhe të dielën, siç gjithashtu opozita kërkon të frymëzojë kur rrit pjesëmarrjen.

E pandihmuar nga moti me shi, gazi i zakonshëm lotsjellës apo postblloqet e policisë në çdo qytet, sërish të shtunën qytetarët demonstruan kundër krimit elektoral dhe korrupsionit të qeverisë, ndërsa tensionet dhe përplasjet ishin një përsëritje e 16 shkurtit. Ideja e ndonjë djegieje më shumë apo futje në godinën e qeverisë ose Kuvendit, që u hodh në ditët e para të demonstratave, tanimë ka rënë, ndërsa replikat qeveri – opozitë për autorësinë e dhunës vetëm sa e bëjnë më të lodhshme situatën.

E sigurt është se PD-ja dhe LSI-ja kanë aq fuqi dhe njerëzit kanë aq pakënaqësi ndaj qeverisë sa mund të organizohen dhe dy a tri protesta të tjera, të ngjashme me të kaluarat. Por kjo nuk mjafton! Përfundimi politik do të ishte i njëjtë me atë të së dielës. Steka që opozita ka vënë mbi kokën e saj dhe të protestuesve është largimi i kryeministrit, një lartësi që mund të arrihet vetëm nëse bulevardi kryesor i Tiranës mbushet përditë si të shtunën. Qëllimi i protestave në përgjithësi ka të bëjë me ndryshimin e një politike të caktuar, ndërsa për të rrëzuar kryeministrin nevojitet shumë më tepër. Këtë opozita e di, ndaj dhe strategjinë e vet e nisi nga djegia e mandateve.

Anulimi i 30 qershorit

Nga zgjedhjet dolëm, në zgjedhje nuk mund të hyjmë. Kështu mund të përkufizohet njëri nga efektet që solli dalja në bllok e opozitës nga Kuvendi në shkurt. E bërë qëllimisht për ta vënë mazhorancën dhe kryeministrin para faktit të kryer, tanimë opozita e ka më të lehtë përballjen me afatin e zgjedhjeve të 30 qershorit, por jo me atë që do të ndodhë politikisht më 1 korrik.

Të shtunën Basha përsëriste se, “largimi i Edi Ramës është kusht i panegociueshëm për qeveri tranzitore, që do të përgatisë zgjedhjet e lira dhe të ndershme”. Dje, nënkryetari Edi Paloka lëshoi një deklaratë të fortë, kur tha se nëse kjo do të ndodhë (zgjedhjet të mbahen pa opozitën), atëherë ai do të largohet përfundimisht nga skena politike.

Kuptohet që, për momentin, demokratët e kanë ndarë mendjen (gjë që në politikë ndodh shumë rrallë), se nëse nuk ikën Rama, jo vetëm që ata nuk do të marrin pjesë në zgjedhje, por edhe zgjedhje nuk do të ketë. Ishte ky vendim që e detyroi kryeministrin dy vite më parë të lëshonte një nga një ministrat e tij, por në atë kohë zgjedhjet ishin politike, ndërsa pikëpyetjet e sotme, veç natyrës lokale të garës elektorale, kanë të bëjnë dhe me ndërkombëtarët, të cilët duket se për herë të parë në historinë e pluralizmit nuk do të angazhohen në ndërmjetësim.

Duke e çuar deri në fund vendimin e marrë, dy muaj më parë, për të mos marrë pjesë në zgjedhje me Edi Ramën, opozita ia lë këtij të fundit në dorë të gjitha lëvizjet, deri në skadimin e afatit. Nëse asgjë nuk ndryshon do të na duhet të përballemi me pyetjen: A janë legjitime zgjedhjet e fundqershorit pa opozitën?

Skenarin e mosmbajtjes së zgjedhjeve pa opozitën e ndihmon edhe fakti se me gjithë përpjekjet e qeverisë dhe disa ndërkombëtarëve, për të nxitur figura politike për krijimin e forcave të reja, një gjë e tillë ka pak gjasa të ndodhë. Dy muaj e pak që na ndajnë nga zgjedhjet s’duken të mjaftueshme për të ngritur një parti të re. Pastaj, çështja e kandidatëve të pavarur që mund të marrin pjesë, si shenjë hakmarrjeje ndaj opozitës apo si përfitim personal, është pa domethënie politike dhe nuk i bën zgjedhjet plurale.

Marrëveshja

Opsion i fundit po jo më i parëndësishëm është marrëveshja, ku të dyja palët lëshojnë nga qëndrimet e deritanishme. Basha me të tijtë tërhiqen nga largimi i Ramës dhe rishikojnë pjesëmarrjen në zgjedhje, ndërsa kryeministri mund të hapë rrugën e zgjedhjeve të parakohshme, të cilat mund të zhvillohen në një ditë me zgjedhjet vendore ose pak më tej, në vjeshtë.

Shumë i ngjashëm si skenar me pranverën e 2017-s, ku pas çadrës, që kërkonte largimin e kryeministrit, opozita me ndërmjetësimin e fortë të ndërkombëtarëve hyri në zgjedhje, pasi u plotësuan disa kushte dytësore të saj.

Por ky opsion deri tani përjashtohet fuqimisht nga demokratët. Edhe të shtunën kreu i tyre, Lulzim Basha, jo pa qëllim theksonte se “nuk do të ketë më pazare të radhës, e them me zërin tim në emër të të gjithë opozitës dhe partive të koalicionit, nga LSI-ja e deri te partia e fundit, nuk do të ketë pazare politike e marrëveshje tavolinash”.

“Lëshimi” që mazhoranca bëri 10 ditë më parë, duke i lënë opozitës një përfaqësues me të drejtë vetoje në Komisionin e Reformës Zgjedhore, kaloi në heshtje, ndonëse për të u investua edhe Bashkimi Europian. Por propozimi vetëm sa i bënte qejfin opozitës politike duke e njohur si të tillë, edhe pas djegies së mandateve, pasi në thelb ai parashikonte zgjedhje të rregulla më 2019-n dhe më tej më 2021-shin, çka do të thotë që opozita të bënte një kthesë të fortë në qëndrimet e saj. Mundësitë për kompromis për momentin duken të pakta edhe për një arsye tjetër. Me përjashtim të marrëveshjes Nano – Berisha më 2003-shin, të gjitha të tjerat janë arritur me negocimin e faktorit ndërkombëtar, i cili në krizën aktuale nuk po përfshihet ose po jep mesazhe të padeshifrueshme dhe ndoshta, për herë të parë nuk do të kemi një ndërmjetësim të tyre. Vizita më e fundit e zv/ndihmëssekretarit amerikan të Shtetit e vërtetoi këtë, ku z. Palmer vuri në dukje se nuk ishte në Tiranë për situatën politike dhe aq më pak, kishte një zgjidhje. As Bashkimi Europian nuk duket se ka mundësi të merret me krizën shqiptare në mes të zgjedhjeve europiane të majit.

Në këtë sfond, është e kuptueshme që protestat janë vetëm njëra nga korsitë në të cilat po garon opozita, ndërsa përfitimi që nxjerr nga to duket në limit. Edhe sikur vetëm interesimi i mediave të huaja të llogaritej, do të ishte mjaft për t’i quajtur të suksesshme.

Më e rëndësishme tani është që opozita të mendojë për kohën e re politike pas 30 qershorit. Një kohë ku nuk dihet se çfarë e pret, e jo vetëm atë./ Gazeta Liberale

KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

* *