Aktualitet

Protesta e 11 shkurtit/ Tone të ashpra në studio, mes Luciano Bocit dhe Ervis Iljazaj

Shkruar nga Liberale

Nënkryetari i Rithemelimit të Partisë Demokratike Luçiano Boçi është përfshirë në një debat me tone të ashpra me analistin Ervis Iljazaj, drejtori i Institutit Liberal “Pashko” në lidhje me protestën e lajmëruar nga opozita ditën e shtunë, në 11 shkurt.

Debati ka filluar për shkak se Iljazaj e cilësoi protestën e opozitës pa kuptim duke qenë kaq pranë zgjedhjeve lokale, gjë që Boçi e ka kundërshtuar menjëherë duke thënë se jemi 3 muaj para zgjedhjeve vendore.

Përplasja ka vijuar me tone të ashpra ku analisti pasi ka thënë se nuk mund të korrigjohet nga Boçi, ky i fundit i është kthyer duke i thënë se këtu ndryshon një politikan me një analist pasi ai nuk mund ta heqë protestën nga axhenda e tij për shkak se ajo është një mënyrë komunikimi për opozitën.

Sakaq, debati ka vijuar më tej me përplasje mbi opinionet politike dhe qëndrimet dhe veprimet e opozitës, ku asnjë prej tyre nuk ka ndryshuar mendim.

I ftuar në studio, analisti Fatos Lubonja u shpreh se e rëndësishme nuk është se sa shqiptarë dalin në shesh atë ditë, por se sa të vazhdueshme do të jenë këto protesta të cilat sipas tij mund të sjellin përmbysje paqësore të pushtetit.

Lubonja shtoi se populli ynë është mësuar me një situatë të tillë dhe se as çështja McGonigal nuk mjafton për ta ngritur popullin në këmbë. Ndërkohë deputeti Luçiano Boçi është shprehur i bindur se në 11 shkurt në shesh do të mblidhen 11 mijë shqiptarë dhe për këtë ai tha se opozita i ka dhënë provat. Ai shtoi se ky është momenti që opozita të mos rrijë më në zyra por të dalë në rrugë.

Më tej, Luciano Boci tha se skandali McGonigal-Rama ka shkaktuar këtë ndjesi te qytetarët, ndërsa shtoi se nuk është investim ndërkombëtar shkatërrimi i opozitës dhe eliminimi i institucioneve të pavarura.

Nga ana tjetër analisti Dritan Hila ka kundërshtuar duke thënë se nuk ka pasur ndonjëherë një pjesëmarrje me 100 mijë protestues ashtu si ka pretenduar nënkryetari i PD më herët, duke thënë se nuk ka pasur më shumë se 40 mijë protestues pasi aq është numri i anëtarëve të PD.

Boçi i është përgjigjur etiketimit të gjithë protestuesve si anëtarë dhe militantë të PD duke thënë se edhe ata janë qytetarë dhe jo “marsianë” të cilët janë të prekur nga zhvillimet në vend.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH