Aktualitet

Propozimi i Cakajt për ambasadoren në Athinë, “shpërthen” Bushati

Shkruar nga Liberale
Propozimi i Cakajt për ambasadoren në Athinë,

Ish-ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati tha në Komisionin e Jashtëm, ku po diskutohet propozimi i ministrit të Jashtëm në detyrë, Gent Cakaj, për ambasador të Shqipërisë në Greqi, pas shkarkimit të Ardiana Hobdari se aktualisht jemi në kushtet e paligjshmërisë, ndërsa shtoi se nuk mund të merren veprime pa u shprehur Presidenti me dekret.

“Ambasador bëhesh në dy mënyra, ose duke pas një karrierë të pandërprerë në shërbimin e jashtëm, të kesh gradën ‘Këshilltar”, ose do të vish nga jashtë karriere, ku sërish kandidati duhet të ketë 10 vite përvojë pune në shërbimin e politikës së jashtme. Unë prisja që Sekretari i Përgjithshëm të sillte praktikën. Procesin duhet ta drejtojë Sekretari i Përgjithshëm, duhen administruar kandidaturat. Në e-mailin tonë nuk ka ardhur asgjë, për pasojë edhe Sekretari i Përgjithshëm nuk ishte në gjendje për të bërë shpjegimin. Nuk mund të merret veprim pa u shprehur Presidenti me dekret. Prisja që Sekretari i Përgjithshëm minimalisht të na thoshte pse është bërë ky ndryshim në traditën 100-vjeçare, si dhe nëse jemi në kushtet e ligjshmërisë. Nuk jemi në kushtet e ligjshmërisë.

Tjetra ka të bëjë me përgjegjësinë dhe dinjitetin e diplomatit. Këtu ka dhe njerëz të tjerë që kanë eksperiencë në raport me shërbimin e jashtëm. Prisja sot që Sekretari i Përgjithshëm të mbronte dinjitetin e diplomatëve. Kur një diplomat shpallet ‘non grata’, sërish kjo procedurë bëhet në mënyrë mjaft diskrete. Lëre më të ushqehet media me deklarime për shpartallime celulash nëpër ambasada, apo për shkarkime massive. Sekretari i Përgjithshëm e di shumë mirë, ka qenë në krahun tim të majtë, kur e kemi mbrojtur këtë ligj në të gjitha debatet maratonë në Kuvend. Në këtë kohë pandemie, një pjesë e mirë e ambasadave tona janë përpjekur të bëjnë një punë maksimale. Dua të mbështesim gjithë brezin e ri, si Luela, por i gjithë procesi duhet mbështetur në traditën 100-vjeçare, pa e ndryshuar, ku që nga viti 1923 kemi pas në Greqi diplomatë të spikatur”, tha Bushati.

Ministri Cakaj propozoi në vend të Hobdarit vajzën e ish- ministrit të ndjerë të Mbrojtjes, Luan Hajdaraga, Luela Hajdaraga. Por, me këtë propozim, për ish-ministrin Bushati, po ndryshohet tradita 100-vjeçare, pasi sipas tij, që nga viti 1923 kemi pas në Greqi diplomatë të spikatur. /Gazeta Liberale

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH