Aktualitet

Prokurorja Elsa Kareçi e pret me lot vendimin, veting-u vendos edhe fatin e gjyqtarit Albert Meça

Shkruar nga Liberale
Prokurorja Elsa Kareçi e pret me lot vendimin, veting-u vendos edhe fatin

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit vendosi këtë hënën që gjyqtari Albert Meça dhe prokurorja Elsa Kareçi të vazhdojnë punën në sistemin e drejtësisë, pasi rezultuan të pastër në tri kriteret e vlerësimit nga ana e vetting: ai profesional, moral, edhe i pasurisë.

Gjatë seancës dëgjimore që u zhvillua më 14 korrik, Meça dha shpjegime për një hua prej 20 mijë eurosh të marrë nga daja e tij për një periudhë të shkurtër.

Gjyqtari këmbënguli se kishte dokumentuar se i afërmi i tij kishte pasur burime të ligjshme.

Gjyqtarit Meça nuk iu gjetën probleme në kriterin e profesionalizmit dhe as në atë të figurës. Ai e ka filluar karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 2000 dhe punon prej gati dy dekadash si gjyqtar i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë.

Vendimi i konfirmimit u shpall nga trupa e kryesuar nga Lulzim Hamitaj, me relatore Genta Tafa Bungo dhe anëtare Pamela Qirko.

Këtë të hënë është konfirmuar në detyrë edhe prokurorja e Tiranës Elsa Kareçi.

Ajo e priti me emocione dhe lot vendimin e konfirmimit të saj në detyrë nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit.

Procesi i vetingut për prokuroren Kareçi u fokusua kryesisht te pasuritë dhe transaksionet e biznesit të ish-bashkëjetuesit të saj, për të cilën KPK tha se kishte balancë negative në vlerën e 12 milionë lekëve.

Kareçi u mbrojt me argumentin se ajo nuk kishte lidhje me pasuritë e ish-bashkëjetuesit dhe se komunikimi i keq me të pas ndarjes e kishte penguar që të gjente informacion. Prokurorja shtoi gjithashtu se pas ndarjes, ajo kishte marrë vetëm makinën nga ish-bashkëjetuesi. Ajo tha se jetonte me qira dhe se kujdesej vetë për fëmijët.

Kareçit nuk iu gjetën probleme të figurës dhe në kriterin e profesionalizmit asaj iu kërkuan shpjegime vetëm sa i përket një hetimi. Elsa Kareçi përfundoi studimet në Shkollën e Magjistraturës në vitin 2004 dhe u emërua si prokurore në Prokurorinë e Kavajës. Ajo e ushtron funksionin në Prokurorinë e Tiranës prej vitit 2007.

Vendimi u shpall nga trupa e kryesuar nga Brunilda Bekteshi, me relatore Firdes Shuli dhe anëtare Suela Zhegu.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH