Aktualitet

Projekti i IEP dhe UET për mentorshipin e karrierës sjell...

Shkruar nga Liberale
Projekti i IEP dhe UET për mentorshipin e karrierës sjell...

Është zhvilluar sesioni i dytë trajnues në kuadrin e projektit të Institutit Europian PASHKO për drejtuesit e mësuesit shkollave të mesme për mentorimin dhe orientimin e karrierës së maturanteve

Ndryshimet e mëdha në të gjitha sferat e jetës, epoka dixhitale në të cilën i qasemi lehtë informacionit, kanë hapur mundësi të reja, ndaj nuk ekzistojnë më thjesht disa profesione tradicionale. Njëkohësisht krahas gamës së gjerë të zgjedhjeve, pjesë e dilemës bëhet faktori para dhe faktori pasion. Kjo situatë sjell konfuzion në lidhje me cilin drejtim duhet të ndjekin të rinjtë, ndaj është shumë e rëndësishme që për ta të ofrohet këshillimi i karrierës.

Në thelb, Këshillimi i Karrierës përfshin procesin përmes së cilit nxënësit zgjedhin profesionin e tyre në bazë të interesave të tyre, aftësive, nevojave dhe personalitetit, në mentorshipin e një këshilluesi profesionist. Duke kuptuar rëndësinë e këshillimit të karrierës, Instituti Europian Pashko në bashkëpunim me Fakultetin e Shkencave Humane Edukimit dhe Arteve Liberale në UET, ka zhvilluar ditën e shtunë një trajnim për drejtuesit dhe mësuesit e shkollave të mesme për orientimin e karrierës së maturantëve. Ky projekt parashikon tri seanca trajnuese të shtrira përgjatë vitit, ku pjesëmarrësit trajnohen nga specialistët përkatës, në mënyrë që në përfundim të jenë të certifikuar për të qenë mentorë për këshillimin e karrierës. Krahas kësaj këto trajnime janë edhe një tryezë diskutimi për problematikat kryesore të arsimit parauniversitar në vend dhe zgjidhje të mundshme për to.

Trajnimi i ditës së shtunë ishte i fokusuar tek shkencat humane, artet dhe edukimi. Këto programe studimi janë pjesë e domosdoshme e çdo hapësire universitare, pa të cilat nuk mund të kuptohet madje as formimi i profesionistëve të degëve praktike, ndaj edhe UET i promovon nëprmjet bursave të studimit. Duke qenë shpesh degë “pasioni”, këto programe studimi ndodh të anashkalohen kur vjen puna për tu shndërruar në profesion, ndikuar nga trended e kohës, ndonëse në vetvete mund të jenë fitimprurëse. Për këtë arsye shpesh herë nevojitet një orientim i drejtë për karrierën, bazuar në ndërthurjen interesave dhe aftësitë individuale të nxënësit.

Rektorja e Universitetit Europian të Tiranës, Prof. Dr. Nevila Nika theksoi rëndësinë që ky universitet i jep këtyre disiplinave të studimit.

“Shkencat humane janë jashtëzakonisht të rëndësishme, por siç e shikojmë trendin sot, kanë janë lënë paksa më në hije, por të gjithë harrojnë që shkencat humane janë në themel të gjithçkaje, edhe të mjeksisë, edhe të arkitekturës, edhe të informatikës...Kështu që nxitja që jep Universiteti Europian nëpërmjet bursave e mjaft mbështetjeve të tjera të rinjve që dëshirojnë të studjojnë në këto disiplina, është një dobi e madhe që i bëhet shoqërisë dhe mbarë kombit.”

Ndërkohë Dekania e Fakultetit të Shkencave Humane, Edukimit dhe Arteve Liberale, Prof. Asoc. Dr. Belina Budini u shpreh se është shumë e rëndësishme që nxënësit të orientohen drejt, në karrierën që ata do të zgjedhin.

“Që herët mund të punohet, dhe sidomos në shkollate mesme, për t’i orientuar ata të cilët kanë pra kanë një prirje, kanë një talent në drejtime të tilla sikurse janë shkencat humane, edukimi, psikologjia dhe artet, që të zgjedhin një profesion i cili me siguri që ka për të qenë më frytdhënës për ta.”

Lektorët e trajnimit kanë trajtuar një sërë çështjesh që kanë të bëjnë me këto progame studimi. Prof. Asoc. Dr. Genciana Abazi diskutoi mbi rëndësinë e rishikimit të teksteve letrare.

“Për sa i përket letërsisë, Ministria e Arsimit ka përcaktuar që në klasat 10-12 nxënësi duhet të mësojë në mënyrë të ndërthurrur elemente të teorisë së letërsisë, historisë së letërsisë shqipe, historisë së letërsisë perëndimore, elemente të kritikës dhe të analizës letrare. Kjo qasje e integruar aplikohet për herë të parë në mësimin e letërsisë në shkolla. Në Kornizën Kurrikulare të hartuar nga Ministria e Arsimit objektivi parësor i arsimit parauniversitar është që të përgatisë një nxënës që ‘respekton, mbron identitetin kombëtar e zhvillon trashëgiminë kulturore.’ Për sa i përket aftësive kryesore që nxënësi duhet të fitojë nga mësimi i letërsisë në klasat 10-12 Ministria ka përcaktuar këto objektiva, së pari analiza dhe interpretimi i teksteve të gjinive dhe të llojeve të ndryshme letrare së dyti vlerësimi i letërsisë shqipe dhe botërore në periudha të ndryshme letrare dhe historike. Programi i letërsisë që ka hartuar Ministria e Arsimit e ka shumë të vështirë që të realizojë objektivat e mësipërme, të përcaktuara po nga vetë Ministria e Arsimit. Të gjitha problemet e kanë burimin nga mënyra se si është konceptuar program”, ka shpjeguar ajo ndërkohë që ka shtruar një sërë çështjesh për diskutim.

Ndërkohë që Prof. Asoc. Dr. Erika Menolashi trajtoi teknikat dhe strategjitë e përballimit të stresit me adoleshentët. Sa i përket problematikave me lëndët e artit në arsimin parauniversitar, lektor i ftuar në këtë trajnim ka qenë pedagogu Denis Bizhga.

“Në kurrikulën e artistike te arsimit bazë, programet shpesh janë të mbingarkuara dhe nuk përshtaten me nivelin e zhvillimit të nxënësve. Theksohen përmbajtjet lëndore si qëllim i procesit të nxënies dhe nuk theksohen kompetencat, për pasojë nxënësit nuk arrijnë të zgjidhin probleme në situata mësimore. Të gjitha rezultatet e vlerësimeve, të brendshme dhe të jashtme, shtrojnë nevojën e reformimit të kurrikulës për lëndët artistike në arsimin parauniversitar”, shprehet Bizhga duke parashtruar edhe disa zgjidhje të mundshme të këtyre problematikave. /Gazeta Liberale

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH