Sociale

Projekt – ligji për të drejtën e informimit

Shkruar nga Liberale
Projekt – ligji për të drejtën e informimit

Nga Eugjen Merlika

Mbas shumë vitesh përpjekjesh për të miratuar një ligj mbi trasparencën në dosjet e ish Sigurimit të Shtetit na paraqitet nga Qeveria aktuale një projekt-ligj “Për të drejtën e informimit për dokumentat e ish-Sigurimit të Shtetit të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë”.

Në relacionin mbi projekt-ligjin, të datës 6 janar 2015, thuhet : “Nëpërmjet ndërtimit të një rrjeti shumë të madh bashkëpuntorësh dhe të përdorimit të metodave antiligjore dhe antinjerëzore, Sigurimi i Shtetit ka mundur të terrorizojë, të manipulojë, të dekurajojë, të torturojë, të dënojë, të internojë, të ekzekutojë, të shtypë dhe të dhunojë të drejtat elementare njerëzore të qytetarëve shqiptarë.”

Është një pohim shumë i rëndësishëm, mbasi sjell një të vërtetë të pakundërshtueshme mbi natyrën dhe karakterin e regjimit komunist shqiptar, si një regjim terrorist i cili, nëpërmjet organit të tij më shprehës, Sigurimit të Shtetit, e ktheu Shqipërinë në një kamp të stërmadh, ku nuk ekzistonte asnjë liri individi apo e drejtë njerëzore e ku viktimat e dhunës, për frymë poullsie, kalonin shifrat e  secilit Vënd të Lindjes komuniste evropiane. Duke mbajtur parasysh se Sigurimi i Shtetit nuk ishte një organizëm i huaj në Shtetin komunist, por “dora besnike” dhe “syri vigjilent” i saj, gjithmonë nën drejtimin epror të partisë komuniste e drejtuesve të saj me Enver Hoxhën në krye, përfundimi logjik është se ajo parti mbeti, deri në fundin e saj, e njëjta parti terroriste, e themeluar nga Miladin Popoviçi e Dushan Mugosha, besnike e përjetëshme e parimeve diktatoriale të komunizmit primitiv të markës staliniane.

Historia e përpjekjeve për t’i dhënë shqiptarëve një ligj që duhej t’i jepte mundësi hyrjeje atyre në sekretin e dosjeve të ish-Sigurimit, është e pasur në dështime, sa që sot jemi i vetmi Vend ish komunist, krahas Rusisë, që nuk e kemi. Shpjegimi duhet kërkuar në një farë strategjie, që i ka shërbyer klasës politike pas komuniste për të ruajtur kontrollin e plotë mbi jetën administrative e politike të Vendit, kryesisht në shmangien e pjesëmarrjes në to të elementëve të padëshiruar, të cilët mund të frenoheshin nëpërmjet vendimesh që buronin nga “fshehtësia e dosjeve”, para të cilave qytetari ishte krejtësisht i pafuqishëm të mbrohej e të nxirrte në dritë të vërtetën e tij.

Duke mbajtur parasysh këto konsiderata mendoj se projekt-ligji qeveritar, nëse kthehet në ligj, është një hap i madh përpara, në drejtim të trasparencës, qoftë përsa i përket mundësisë që i jep viktimave të dhunës së ish Sigurimit të njohin bashkëpuntorët e tij në fatkeqësinë e tyre, ashtu sikurse i shërben edhe imazhit të Vendit, që do të rradhitej, edhe se i fundit, në shtetet e tjera të Evropës ish socialiste. Gjatë gjithë këtyre viteve është përkrahur nga nismëtarë të ndryshëm mendimi se ky lloj ligji duhej të ishte një mbiligj, i cili duhej të përfshinte brënda të gjithë krimin komunist, të personifikuar në ish Sigurimin e Shtetit, zbardhjen e tij e njëkohësisht edhe masat e penalizimit që duhej të rridhnin nga trasparenca mbi të, në drejtim të Shtetit, institucioneve dhe personelit të tyre. Trasparenca dhe lustracioni duhet të shkriheshin në një ligj të vetëm i cili, për arsye të ndryshme, nuk arriti kurrë të shohë dritën. Këmbëngulja për të vazhduar përsëri me atë kërkesë, pa vënë në dyshim vullnetin e mirë të mbështetësve, nuk më duket se tregon realizëm politik, mbasi siç ndodhi në 2008, përsëri mund të pësojë të njëjtin fat, duke u hedhur poshtë nga Gjykata Kushtetuese e përkrahur nga Komisioni i Venecias. Një gjë e tillë nuk i shërben ish të dënuarve të diktaturës, për të cilët ka më shumë rëndësi të mësojnë se cilët kanë qenë ata që i kanë “shitur” tek ish Sigurimi, duke ndihmuar në përcaktimin e fatkeqësisë së tyre dhe të familjeve, se sa nëse X apo Y janë në ndonjë funksion shtetëror.

Lustracioni, aq shumë i lakuar në këta vite duhet të ishte realizuar, së pari, mbi ish kuadro të lartë të fazës së fundit kamaleontike të regjimit komunist të cilët, në projektin e kalesës ramiziane, u caktuan në role drejtuese në partitë e ndryshme. Emrat e funksionet e tyre janë të njohur për të gjithë, nga ish ministra tek ish kryetarë gjykatash, nga ish diplomatë tek ish funksionarë të Sigurimit, por nuk mbaj mënd ndonjë protestë të veçantë për raste të tilla. A kishte nevojë për të parë dosjet e paqena të tyre për të kërkuar largimin e tyre nga politika?

Projekt-ligji qeveritar e shkëput lustracionin nga trasparenca. I parë në këndvështrimin e mësipërm është një ligj gjysmak, i ngjan gotës së ujit përgjysëm, që për dikë është plot e për dikë bosh. Si ish i dënuar i ndërgjegjes, pa dashur të përfaqësoj askend, veç vetes, mendoj se plotëson kërkesën kryesore që është : “të gjithë qytetarët e prekur të njihen me përmbajtjen e dokumentave të krijuara rreth tyre nga ish Sigurimi i Shtetit.”, thuhet në relacionin shoqërues. Në të njëjtin relacion, në lidhje me mundësinë e punësimit në funksione drejtuese të ish bashkëpuntorëve të Sigurimit thuhet shprehimisht: “Në ndryshim nga ligjet e mëparëshme me këtë objekt, ndërsa e zbardh të gjithë veprimtarinë në shërbim të ish-Sigurimit të Shtetit për një kategori të gjërë personalitetesh të politikës dhe administratës shtetërore, ligji nuk sanksionon në mënyrë esplicite papajtueshmërinë e ish bashkëpuntorëve me funksionet aktuale përkatëse që ata mund të mbajnë në administratë. Kjo nuk do të thotë se ligji e lejon ushtrimin e funksioneve publike nga ish bashkëpuntorët, por ai e le këtë çështje në juridiksion të akteve të tjera ligjore dhe nënligjore.

Duke iu shmangur dispozitave ndaluese, ligji e le në dorë të institucioneve përgjegjëse që të hartojnë legjislacion apo akte të tjera rregulluese, në të cilat të përcaktohen ndalesa eventuale për ushtrimin e funksioneve publike nga bashkëpuntorët e ish-Sigurimit të Shtetit.”

Ky problem mbetet për t’u zgjidhur nga një tjetër ligj dhe aktet nënligjore pasuese. A ekziston tek ligjvënësi vullnet për të përballuar problemin ? Askush nuk mund të japë siguri në këtë drejtim, por kjo nuk do të thotë të mos pranohet ligji i parë, duke i vënë kusht sine qua non  ligjin e dytë. Edhe në rastin më të keq, mbas miratimit të projekt-ligjit në fjalë mund të vazhdojë beteja për ligjin e dytë, atë të lustracionit.

Zgjidhja e parë radikale do të ishte që dosjet e Sigurimit të hapen në tërësinë e tyre pa asnjë përjashtim, që do të thotë se qytetarët shqiptarë, të cilët e kanë arritur moshën madhore t’i gjejnë diku këto dosje dhe t’i lexojnë lirisht dhe falas, ashtu siç lexohen librat në një bibliotekë publike.” Hasa një pohim të tillë të çuditshëm në një shkrim të ditëve të fundit. Mos e dhëntë Zoti të sendërtohet një mundësi e tillë që përfytyrohet nga autori i shkrimit. Ata dokumenta nuk janë romane për të argëtuar lexuesit, por dëshmi dramash e tragjedish të shumë mijra njerëzish. Si të tilla nuk mund të jenë objekte panairi në shitje për këdo. Mbi to duhet të ruhet privatësia, siç e parashikon projekt-ligji. Secili duhet të jetë në zotërim të së fshehtës së tij, të cilën vendos ai me ndërgjegje të plotë nëse don t’a bëjë të njohur.

Por projekt-ligji a ka nevojë për ndryshime ? Në të gjej dy nene të cilët mendoj se duhen rishikuar. Neni 3, pika 4, gërma “c” konsideron bashkëpuntor të Sigurimit të Shtetit cilindo që “ka deklaruar gatishmërinë për të dhënë informacione ish Sigurimit të Shtetit”. Në këtë kategori, të formuluar në këtë nen, hyjnë të gjithë ata që kanë firmosur një deklaratë të pregatitur nga oficerët e ish Sigurimit. Ligjvënësi duhet të mbajë parasysh terrorin fizik e psikologjik të jashtzakonshëm që është ushtruar mbi t’ashtuquajturit “armiq të klasës”, apo dhe të tjerëve qytetarë shqiptarë  për të rekrutuar njerëz në shërbim. Nëse ajo deklaratë nuk pasohet nga një veprimtari e ndërgjegjëshme në dhënie informacioni, por mbetet vetëm një copë letër e firmosur kush e di se në çfarë kushtesh, nuk duhet të përbëjë n’asnjë mënyrë akuzë bashkëpunimi. Në këtë drejtim mendoj se ajo pikë duhet të riformulohet.

Neni 22, që trajton “E drejta për informimin e t’afërmëve të të vdekurve apo të zhdukurve, në pikën 5 thotë : “Ky nen nuk zbatohet në rastet kur personi i vdekur ose i zhdukur ka shprehur, përpara vdekjes ose zhdukjes, me shkrim, vullnetin e tij për moszbulimin e informacioneve të kërkuara, ose kur ky vullnet mund të provohet qartësisht nga rrethana të tjera.” Më duket e pamundur që një njeri, para ekzekutimit, të kujtohej të linte me shkrim një pohim të tillë. Edhe se mund të ketë pasur ndonjë rast të tillë, përgjithësimi në ligj më duket se le shteg për spekullime, prandaj mendoj se duhet të rishikohet edhe kjo pikë e këtij neni.

Këto ishin dy vërejtje që më ranë në sy në leximin e projekt-ligjit, miratimi i të cilit do të plotësonte një zbrazëti në legjislacionin tonë pas diktatorial e do të ngushtonte, sado pak, hendekun ndërmjet klasës politike e qytetarëve, sidomos viktimave të dhunës komuniste. Projekt ligji parashikon informimin e plotë me emër e mbiemër të bashkëpuntorëve. Nëse ligji do të ndryshohej, në dobi të pseudonimeve apo inicialeve, do të ishte një tjetër mashtrim i madh, një tallje e papranueshme. Nëse Kuvendi i ynë do të merrte përsipër një turp të këtillë, do të dëshmonte paaftësinë dhe mungesën e seriozitetit të klasës politike për të vepruar në dobi të një zhvillimi qytetërues të shoqërisë sonë, duke dekretuar dështimin e saj të plotë e vazhdimësinë me mendësinë e diktaturës.

Shkurt 2015

Marrë nga vëllimi “Demokratura shqiptare në vështrimin e një të mërguari”

UETPRESS Tiranë, nëntor 2017

 

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH