Editorial

Programi nga fshati dhe program për fshatin

Shkruar nga Liberale
Programi nga fshati dhe program për fshatin

Bjorn Kamberi

Një proverb Korsikane na kujton se një shtet i vogël është në fakt një fshat i madh. E mbase të tillë e kanë pasur fatin ato vende që historia u ka rezervuar pak territor e ku komunitetet kanë qenë të ndërlidhura ngushtësisht mes tyre, ja për të ruajtur homogjenitetin, po aq sa edhe për të përballur rrezikun që u kanosin më të mëdhenjtë.

E ne si vend i vogël, nuk kemi sesi ti shpëtojmë nevojës për ti qartësuar marrëdhëniet komunitare si dhe për ta dakordësuar render-in e përparimit tonë të ardhshëm, që e sheh urbanizimin si homolog të zhvillimit rural. Meqë këto pandehma më mirë se kurdo shkoqiten prag zgjedhjeve atëherë kur mendimi publik është i hapur karshi propozimeve gjithfarë, koha është e përshtatshme për një reflektim mbi status quo-në e fshatit shqiptar, marrëdhënies së tij me vetveten që prej rënies së komunizmit, me qytetin, me emigracionin dhe perspektivën e zhvillimit.

Këto të gjitha, po aq të varura prej politikave shtetërore sa edhe ndikuese e përcaktuese të tyret, duhet të jenë temë e rëndësishme për një fushatë aq saç është i rëndësishëm fshati për themelet e shoqërisë tonë.

Në këtë kontekst, analiza e mëposhtme synon të hedhë dritë mbi qasjen programatike të opozitës aktuale dhe propozimit të saj karshi fshatit, i cili siç dihet vazhdon të mbetet shtylla kurizore e demografisë elektorale të vendit tonë.

Së pari, rëndësia sipërore e fshatit për të sotmen dhe të ardhmen e stabilitetit shoqëror të vendit duhet medoemos të orientojë programet qeverisëse të mazhorancave dhe ato elektorale të opozitave. Në këtë prizëm, opozita e këtyre zgjedhjeve vihet përpara përgjegjësisë së hartimit të një master-plani të peshuar dhe realist si projekt të vizionit të saj për zhvillimin rural. Kjo qasje do qe dinjitoze, por fatkeqësisht është zëvendësuar deri diku nga takimet sporadike e premtimet oportuniste të dy kampeve politike që e shohin fshatin thjesht si hambar votash. Andaj edhe diskuri politik nuk e kalon pragun e zotimeve për cikërrima, një urë, pak ujë, një udhë, një kanal, një kolektor e një traktor. Duke i copëtuar premtimet programatike në linjë me hallet e shkëputura të komuniteteve të vogla opozita nuk ka mundur deri më tani të prezantojë një vision të unifikuar karshi fshatit, si njësi integrale e ekonomisë e jo vetëm. Të tillë që i adreson problematikat rurale en block, kësisoj që ato të mbeten prioritete përgjatë gjithë qeverisjes.

Së dyti, është e domosdoshme që opozita ti qaset fshatit me nje projekt të qartë ekonomik që do mundësonte zhvillim të atyre kapaciteteve rurale, duke përfshirë këtu bujqësinë, blegtorinë e produktet bio, që do na vendosnin në hartën rajonale të prodhimtarisë afife. Kjo perspektivë nuk duhet të kufizohet thjesht në premtimin për subvencione të shtuara, por të orientohet drejt ndërtimit të një kanali konceptual ku të orientoheshin gjithë përpjekjet e fshatit, të gjendur që prej rënies së komunizmit përpara udhëkryqit të ndasisë, mikro-konkurencës dhe mos bashkëpunimit. Kështu, nëpërmjet qasjeve inovative dhe praktikave më të mira të vendeve të krahasueshme me ne, prodhimet vendase do merrnin vendin që u takon si avantazhi strategjik i një vendi të bekuar nga natyra me konditat për harlisje të bujqësisë, blegtorisë dhe agroturizmit.

Së treti, nuk duhet harruar se çdo strategji turistike dhe vizion i zhvillimit turistik që nuk e instrumentalizon fshatin dhe integron atë në ofertën turistike përkrah pasurive natyre është më së paku i mangët. Potenciali turistik mbetet për ne prespektiva më e besueshme e zhvillimit, dhe kahja më e qëndrueshme tek e cila çdo qeveri që vjen duhet të investojë fuqimisht. Andaj, fshati nëpërmjet një mekanizmi gjithë-përmasor do bërë gati për tu integruar në ofertën turistike, e kjo nënkupton investime infrastrukturore, shpejtim të sheshimit të konflikteve mbi pronën, përmirësim të shërbimeve dhe sigurisë ndër të tjera. Sa më sipër, opozita jo vetëm duhet ti këtë prioritete të qeverisjes së saj potenciale në të ardhmen, por edhe ti artikulojë pambarim përgjatë fushatës. Gjuha e turizmit duhet të kthehet në lingua franca të qeverive tona së brendshmi e së jashtmi, dhe sa më parë ta vendosim fshatin brenda ingranazhit turistik, aq më shpejt do mundim të konkurojmë fqinjët në rajonin që premton potencial turistik për të paktën 100 vitet e ardhshme.

Së katërti, duhet kuptuar se siç është një aset i pashlyeshëm, me gjendjen ku ndodhet sot fshati është edhe arsyeja kryesore që i shtyn shqiptarët të migrojnë së brendshmi e emigrojnë drejt perëndimit. Kjo problematikë së bashku me papunësinë dhe tensionet gjinore do duhej ta mbruanin më shumë se gjithçka frymën opozitare për ndryshim dhe alternativën e PD-së për rotacion. Edhe pse Basha ka ndërmarrë një fushatë premtimesh në çdo takim të tijin nëpër lokalitetet e Shqipërisë, një qasje më e detajuar dhe përkushtuar karshi përmirsimit të kushteve dhe mundësive për jetesë në fshat do të qe në dobi të konsolidimit të seriozitetit dhe ofertës elektorale për rotacion. E sa kohë kjo ofertë përshkruhet prej makro-programit të normalitetit e integrimit europian, nuk duhet të harrojmë se një nga karakteristikat që e ndan cilësisht Europën prej kontineteve të tjera është vëmendja e kushtuar karshi zhvillimit rural. Këtu vlen të përmendet se nuk ka asgjë më normale për Europën sesa dëshira e një numri të konsiderueshëm europianësh për ti qëndruar besnik fshatit brez pas brezi. E nëse investimet qeveritare dhe tregu e ka orientuar fluksin e parasë drejt qendrave urbane dhe qyteteve, fshati ka mbetur jetim. Pikërisht babai i këtij halli do duhet të qe opozita, nga ata prindër ama që i kujdesin fëmijët përgjatë gjithë kohës e jo vetëm kur fëmijët qajnë.

Thënë këto, duhet pranuar se problematikat e thekshme të fshatit pozojnë sfida që i tejkalojnë kapacitetet e një qeverie të vetme dhe procesi i adresimit të tyre duhet të jetë emërues i përbashkët i të gjitha forcave që qeverisin vendin në të ardhmen. E pararendëse të këtij ndryshimi duhet medoemos të jenë opozitat. Në krahun tjetër, sa më parë të arrijmë ta transformojmë fshatin në një komponent parësor të manualit zhvillimor, aq më shpejt do mundim ta sjellim Europën në Shqipëri dhe begatinë e saj në fshatrat tonë, përpara se të gjithë “fshatarët” tonë të jenë kuturitur rrugëve në Europë. Kjo asesi nuk mund ti falet liderve tanë që deri më tani kanë preferuar të jenë zot të një fshati të madh, sesa udhëheqës të një shteti të vogël, gjë e cila do të nënkuptonte përgjegjësi të shtuara, duke filluar nga fshati./Gazeta Liberale

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH