Sport

PROFIL/ Mes nënvlerësimit dhe shpërthimit, historia e talentit dibran të Partizanit që e pret Messi dhe Mbappe

Shkruar nga Liberale

Ndodh shpesh, aq sa është kthyer në një fenomen të rëndomtë në Shqipëri. Vendi ynë konsiderohet mjedisi ideal për të djegur talentë, kjo për arsyen sepse për të zbuluar, zhvilluar dhe promovuar një të tillë kërkohen njerëz të aftë dhe vizionarë. Tek Dinamo e nënvlerësuan, pas largimit të trajnerit që e solli në kryeqytet nga Korabi, sepse nuk besonin te talenti i Xhukiano Skukës, ndoshta sepse klubit tjetër kryeqytetas i mungonte nuhatja e perspektivës.

Cilësitë e tij i zbuloi trajneri, Dritan Mehmeti, i cili e mori menjëherë te Partizani. Ai spikati me të kuqtë dhe u bë pjesë e kombëtares shumë shpejt madje tërhoqi vëmendjen e klubeve më të njohura europiane. Dhe talenti nuk zhgënjen. Përkundrazi, kthimi i investimit mund të jetë në përmasa shumë herë më të larta. Metz i afroi Partizanit shumën prej 1.4 milionë euro, për të blerë 80 për qind të kartonit të sulmuesit dibran, shumë që është sa buxheti gati i dy viteve për një klub të Kategorisë Superiore në Shqipëri.

Është edhe kjo shifra rekord e transferimeve në historinë e futbollit shqiptar. Peter Olayinka, një ish-futbollist nigerian i Skënderbeut kaloi në kampionatin belg disa vite më parë, për një shifër prej 1.1 milion euro. Pra, një i huaj mbante rekordin e deritanishëm.

Qendërsulmuesi ka firmosur kontratën me klubin francez të Ligue 2, duke u bërë kështu lojtari më i shtrenjtë i transferuar ndonjëherë nga Partizani dhe i tërë kampionati shqiptar në një ligë tjetër. “Klubi i futbollit Partizani njofton arritjen e marrëveshjes me FC Metz për transferimin e Xhuliano Skukës në kampionatin francez të futbollit, – thuhet në komunikatën e të kuqve. – “FC Metz është një prej klubeve me traditë në futbollin francez. Ata kanë fituar dy trofe të Kupës së Francës dhe dy Kupa të Ligës”.

Sipas asaj që mësohet transferimi i sulmuesit 24 vjeçar, nga shitja e kartonit të Skukës, klubi i Partizanit ka arkëtuar 1.4 milion euro, zyrtarisht transferimi më i shtrenjtë në historinë e futbollit shqiptar. Të kuqtë, kanë ruajtur të drejtën edhe të 20% të kartonit të 24 vjeçarit, në transferimin e ardhshëm, që do të thotë se vlera reale e kartonit të tij është 1.72 milionë euro.

Metz aktualisht mban vendin e tretë në kategorinë e dytë franceze. Blerjen e sulmuesit kuqezi klubi francez e sheh si investimin më të mirë, për t’u rikthyer në elitën e futbollit, në Francë. Sezonin tjetër, nëse arrin objektivin me Metz, Sukaj do të luajë përballë dy prej lojtarëve më të mirë në botë, Messi dhe Mbappe.

/Liberale.al/

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH