Aktualitet

Profil/ Enkelejd Alibeaj në kryqëzim të historisë

Shkruar nga Liberale

Reldar Dedaj

…Edhe kur mos të jetë më, kur mos ta ushtrojë detyrën e kryetarit dhe as të deputetit të Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj përsëri do vazhdojë të jetë një anëtar i thjeshtë i saj dhe, ashtu siç ka ndodhur edhe më parë, do të shfaqet papritur, do të mbijë nga hiçi, pavarësisht faktit nëse do të çapitet apo jo me hapa disi të ngatërruar, sikur ngutet mos të arrijë askund. 

Është një histori e gjatë dhe e vështirë kjo mes tij dhe Sali Berishës, akoma më e gjatë e më e vështirë ajo me Partinë Demokratike. Një histori që nuk nis me incidentin banal në foltoren e Kuvendit dhe me gjasë nuk mbaron aty. Një histori që më shumë se gjithçka tjetër lidhet me vokacionin e brendshëm të tij, me atë që është dhe që shpreson të mbetet njëlloj deri në fund. Një histori mes dy njerëzve që shpeshherë e kanë gjetur udhën për të duruar njëri-tjetrin dhe herë tjetër ka qenë pikërisht ajo që i ka përplasur të dy, që i ka detyruar jo rrallë të shpërndajnë buzëqeshje të përbashkëta, shtrëngime duarsh por edhe shigjeta plot helm. Një histori tipike politike, dashuri dhe urrejtje, që po mbush pothuajse dy dekada.

Kësaj radhe, kur e pashë, një perëndi e di pse mu bë sikur jeta e vegjelisë në Purgatorin komunist nuk ia kishte disiplinuar aspak xhindet, që i rrinin me syrin pishë mbi kokën e mprehtë mallakastriote si të ishin një shpurë qensh të pazbutur, të cilët, edhe pse s’kishin kafshuar asnjë njëri, mbeteshin prapseprap probalisht të rrezikshëm. Edhe të folurit e kishte disi gungor, me ca zanore të zemëruara, që merrnin në thua herë në një fjalë dhe herë në një tjetër. “Kur e mendoj sot, besoj se ndarja e partisë, megjithëse nuk është e shëndetshme, duket se është e pashmangshme. Nëse do ndodhte kjo, demokracia do fitonte ndonëse Partia Demokratike do të humbte. Llogaritë për Shqipërinë nuk i bëj dot ende, sepse është shumë shpejt, por nisur nga dëshira, besoj se kur fiton demokracia ka fituar edhe Shqipëria. Në çdo rast. Edhe sot”. Për të pragmatistët që mendojnë ndryshe janë shtuar dhe kanë marrë në dorë fuqinë për të mos u numëruar. Ata nuk dihet sa janë megjithëse vendosin. Pra, vendosin se në parti nuk duhen numëruar ata që mendojnë se demokracia vlen, sepse sipas tyre ata që mendojnë se karrigia në parti vlen më shumë se demokracia, janë gjithnjë më shumë. Dhe duhet të mbeten më shumë pa u numëruar. “Mendoj se mund të jetoj më mirë në një parti që zbaton rregullat”, më thotë ai. Sipas tij, nëse Evropa sot do kishte një parti që do drejtohej nga një “non gratta” dhe ku askush mos ta çante kokën për vlerën e saj, ndoshta do mendonte më mirë për pragmatistët. “Ata mund të ishin evropian të ditës dhe unë një evropian i rritur me kujtime!”. Qesh dhe, për një moment heq sytë nga unë, bashkë me to në të majtë zhvendos edhe një gotë uji. Sytë e vegjël, nën vetullat e ulëta, ishin pa shprehje, disi të shpenzuar, të kurthuar në mes të një memorie të mjegullt.

[caption id="attachment_1255923" align="alignnone" width="800"] Incidenti në Kuvend, ish-kryetari i PD-së Sali Berisha, largon me forcë nga foltorja e Kuvendit, kreun e grupit parlamentar demokrat, Enkelejd Alibeaj[/caption]

Pimë kafe në krah të oborrit të Kuvendit të Shqipërisë, tek një bar që kohët e fundit është zhvendosur nga zemra e ish Bllokut në kufinjtë e tij, nën një dritë të zymtë, që më shumë të cimbiste sytë se sa të shplodhte. Një kohë nuk folëm, pastaj thamë diçka pa rëndësi, pastaj sërish nuk folëm. Ai u ngrit dy herë, një herë shkoi tek zyrat e Kuvendit, bisedoi me dikë dhe u kthye në heshtje. Pastaj u ul përballë meje, hodhi sytë nga dritarja dhe, i pakënaqur me pamjen jashtë, iu kthye derës së jashtme të atij bari të shurdhët. Një grua hollake u ngrit nga tavolina pranë, u kthye nga ne dhe na buzëqeshi. Për mua ishte buzëqeshja e vetme e shumë ditëve të shkuara. Enkelejd Alibeajt nuk i bëri përshtypje. Dukej i përqendruar në inatin e vet, të cilin sikur e kishte pikasur diku matanë dhe ia kishte ngulur sytë me një urrejtje të ligështuar. A u përgjigjet Sali Berisha demokratëve? Më pyet mua. Pastaj i përgjigjem se nuk e di. Them se jo, ma kthen ai. Gjithsesi, jam i bindur se ndan bindjen se demokratët e votojnë për konvencion ish-kryeministrin Berisha, por që në këmbim nuk marrin asnjë koncesion.

Njeriu që u lind në internim dhe që i ra barra me u përball me Sali Berishën mendon se për demokratët ky i fundit është një argëtim estetik, të cilin e shohin në televizor, si një serial, por që s’kanë asnjë të drejtë të ndryshojnë skenarin dhe personazhet. Është një serial që prodhon kënaqësi. Çdo pasdite. Sali Berisha është argëtimi i të papunëve që merren me politikë. Asgjë më shumë. Ai nuk u jep atyre as punë, as shpresë dhe as demokraci. Enkelejd Alibeaj qeshi një copë herë, por pastaj u duk sikur u pendua për diçka dhe një pjesë të buzëqeshjes e la pezull. Në fund të lokalit, andej ku i binte të ishte dera e jashtme e tij, u hap një derë xhami dhe për pak çaste u dëgjua zhurma e reshjeve të dendura të shiut. Pas pak dera u mbyll dhe tingujt u shpërbënë. Ngeli po i njëjti boshllëk. Veçse, këtu ku mbaron historia, aty fillon nevoja për t’i thënë qartë të gjitha gjërat. Ky është një rrëfim vërshues për historinë dhe aktualitetin që ende nuk është bërë histori, për “PD-në e brendshme” dhe “PD-në e jashtme”, për të zezën dhe të bardhën nga të dy anët, për kufirin që i ndan dhe absurdin në mes.

Me ndëshkimin e amerikanëve PD fitoi pavarësinë e saj nga Berisha dhe rruga për t’u kthyer atje është më e pamundur se rruga për të shkuar në Mars. Ajo pjesë e rrugës që mbetet është më e shkurtër se ajo që ka kaluar. Gjithsesi, kjo nuk duket se e shqetëson Alibeajn, i cili nuk synon medoemos të bindë, por sidomos të shpërfaqë hapur e guximshëm pikëpamjet e tij, sipas të cilave, “Partia Demokratike nuk bëhet më e qëndrueshme, më e dashur për qytetarët shqiptarë, nëse identitetit të saj euroatlantik, të cilit i detyrohet, i kundërvihen me një identitet të ri, fluid, siç është ai për të cilin flet Sali Berisha”.

Alibeaj thotë se Shqipëria është në fokusin e përdorimit të instrumentit non gratta nga SHBA kryesisht për shkak të korrupsionit endemik, pandëshkueshmërisë nga një qeveri në tjetrën, vulnerabilitetit të elitës së korruptuar politike për t’u kapur nga krimi dhe stratagjemat politike antiperëndimore. Nga kjo pikëpamje, mendon ai, dhe për arsye të tjera që lidhen me fatin e saj dhe me historinë e marrëdhënieve me SHBA-në në veçanti, Partisë Demokratike i shkon të jetë dhe duhet të jetë më e ndjeshme, më e vendosur dhe më solidare në mbështetje të instrumentit të non gratta-ve. “Deri para një viti, PD, Berisha, opozita e tundnin këtë instrument si flamur të luftës kundër korrupsionit dhe krimit në Shqipëri. Muzika ka ndryshuar pas një viti”. Çfarë ka ndodhur tani me PD-në, opozitën shqiptare dhe në veçanti me Sali Berishën? “Në fakt, pasi i kanë rënë me radhë të gjitha arsyet me të cilat e nisi Foltoren dhe tani i ka mbetur vetëm arsyeja e parë dhe e vetme; përpjekja për të sfiduar SHBA-në me ndjekës nga prapa”.

Alibeaj thekson se në PD ndarja është reale, përmbajtësore, dukshëm përtej kufinjve të diversitetit të mendimeve brenda një partie dhe sipas tij vija kryesore ndarëse është ajo e raporteve me SHBA-në. Megjithatë, pavarësisht kësaj ndarje, hëpërhë ai nuk e sheh veten jashtë Partisë Demokratike dhe me shumë gjasa as nuk do t’i bashkohet një logo-je tjetër politike edhe në rast se Apeli i jep vulën e partisë “Rithemelimit” të Sali Berishës. Ai është i vendosur se logo e Partisë Demokratike jo vetëm që ka gjithë ngarkesën emocionale, por shpreh dhe mbart më shumë se çdo gjë tjetër idetë dhe shpirtin e demokratëve.

Për Alibeajn këto detaje japin ngjarjet e përditshme ashtu siç kanë ndodhur ditë pas dite, gjatë këtyre muajve. Ato janë lënda e një drame të shpërbërë, ose më mirë gurët e saj. U përket demokratëve që gjatë shqyrtimit të tyre t’i bashkojnë në mendje, për të ndërtuar ata vetë, mozaikun e saktë të një historie të trazuar./Liberale.al/

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH