Aktualitet

Profesori i UET: Emocionet e tre ditëve të para në auditor

Shkruar nga Liberale
Profesori i UET: Emocionet e tre ditëve të para në auditor

Me profesor Hysen Binajkun u takuam, e ku tjetër, përveçse në ambientet e Universitetit Europian të Tiranës, aty ku jep mësim që prej 2008-s. E teksa ulemi në një nga sallat më të qeta në UET, na tregon se dje festoi 70-vjetorin dhe se u bënë plot 47 vite karrierë në mësimdhënie.

Por ndryshe nga shumë e shumë pedagogë të tjerë, ai fillimet e veta të mësimdhënies i ka pasur në gjimnaz, menjëherë pas përfundimit të studimeve në vitin 1973.

Nuk kam një histori të ditës së parë në auditor, por kam tre”, thotë profesori duke qeshur.

Është nga ato historitë sa të vështira, interesante, por edhe të bukura.

E bukur pasi siç thotë edhe vetë profesor Binjaku më vonë e ka kuptuar se i ka shërbyer shumë. Ai tregon se puna e tij e parë ishte ajo e mësuesit në Shkollën e Mesme “Muhamet Kondi” Poliçan. E quan si një të keqe faktin që shkoi atje, por nuk është penduar, edhe pse në fillim nuk e mori aq me qejf.

Në programin e studimeve 5- vjeçar kemi qenë 14 studentë dhe 6 prej të cilëve ishim emëruar pedagog në Universitet. Emërimet bëheshin shumë demokratike. Nga 14 student që u diplomuam, 4 i mori Universiteti i Tiranës, ndërsa 2 Bujqësori. Unë bëja pjesë tek ata katër të Universitetit të Tiranës dhe në renditje isha i treti. Por siç ishte koha atëherë, në mars u vendos, nga udhëheqja e lartë, që të gjithë pedagogët e rinj, dhe jo vetëm, të kalonin një vit në qarkullim, na lajmëruan që emërimet që u bënë në janar janë të pavlefshme, pasi të gjithë do të emëroheshin në rrethet nga vinim. Kështu, fillova punë në 15 gusht 1973 në Shkollën e Mesme Mekanike Poliçan në rrethin e Skraparit”, u shpreh profesori i UET.

Por karriera e tij si mësues përfundoi shumë shpejt, brenda dy viteve, pasi një detyrë më e rëndësishme, por edhe më me përgjegjësi e priste, ajo e drejtorit.

Punova dy vjet si mësues nga ‘73-’75-s,  ndërsa në shtator të ’75-s fillova drejtor i po asaj shkolle”, thotë ai, ndërsa tregon se në Poliçan ka punuar deri në vitin 1982.

Por historia nuk ndalet këtu!

Pas një viti punë si mësues më kërkuan në universitet, por kërkesa shkonte në Komitetin Ekzekutiv të rrethit dhe mandej në Komitetin e Partisë. “Nomeklatura” nuk e shihte të arsyeshme largimin dhe as që vinte në dijeni për këtë. Në vitin 1981 më thërret Kryetari i Komitetit dhe më thotë se transferohem në Institutin e Lartë të Elbasanit , sot Universiteti i Elbasanit. Kryetari më tha: Të kanë kërkuar në Universitet çdo vit por Ne të kemi penguar se mendonim që na shërbeje më shumë në rrethin tonë. Nëse nuk do të transferohesh, Ne të mbajmë, por duhet të komunikosh me Ministrinë e Arsimit. Ashtu bëra, shkova në Ministrinë e Arsimit dhe refuzova emërimin në Elbasan. Në Ministri, zv.Ministri, më thanë se duhet të presësh vendimin e ardhshëm, pas një muaji, të Kolegjiumit të Ministrisë (Organi i emërtesës për Pedagogët), nëse nuk anulohet transferimi, duhet të paraqitesh patjetër në Elbasan. Duke qenë se nuk më erdhi asnjë telegram për të shkuar në Elbasan, vijova punën në Poliçan. Nuk e pashë të arsyeshme të lëvizja nga Poliçani për në Elbasan. Aty ndihesha mirë. Ndërkohë kisha krijuar edhe familjen”, u shpreh profesor Binjaku.

Derisa “një dritë doli në fund të tunelit”. Në vitin ’82 u përsërit kërkesa dhe e lejuan të transferohej në Tiranë.

“Në shtator të vitit 1982, pra pas një viti, më erdhi emërimi për në Universitetin e Tiranës, Fakultetin e Shkencave të Natyrës, në Departamentin e Matematikës së Përgjithshme dhe dhashë mësim në Fakultetin e Inxhinierisë. Në ’92 kalova në Universitetin Politeknik, Fakulteti i Inxhinierisë së Ndërtimit”, tregon Hysen Binjaku.

Ndërsa hera e tretë në auditor ka qenë në UET. Tregon se këtu ka ardhur ashtu krejt rastësisht, por kujt do t’ia merrte mendja që do të qëndronte kaq gjatë. Përveç peshës së rëndë që ka mbajtur mbi supe duke dhënë një lëndë të vështirë si matematika, profesor Binjaku ka qenë gjithashtu Shefi i parë i Departamentit të Matematikës, Statistikës dhe Informatikës. Po ashtu për tetë vite me radhë ka qenë edhe anëtar i senatit në UET.

“Sa i përket ardhjes në UET u bë sebep ish profesori im, por edhe  koleg, Prof.Dr. Mina Naqo. Erdha si pedagog i jashtëm, por “insistimi” i drejtuesëve të UET më bindi që të pranoj ofertën për pedagog i brendshëm. Në shtator 2009, Fakulteti Ekonomik në UET pati prurje të konsiderueshme, u krijua Departamenti Matematikë, Statistikë, Informatikë, të cilin e kam drejtuar për disa vite. Po ashtu kam qenë, për 8 vite, edhe Anëtar  i Senatit Akademik të UET. Këtu është një ambient perfekt, kushtet janë shumë të mira.”, u shpreh Prof. As. Dr. Hysen Binjaku.

Emocionet e tre ditëve të para në auditor

E sigurisht që emocionet e para do të ishin në Poliçan, pasi ishte vetëm 23-vjeç kur filloi të jepte mësim atje.

E mbaj mend shumë mirë atë ditë. Isha mësuesi më i ri dhe kisha një përgjegjësi të madhe, pasi matematika është lëndë e vështirë. I thoja vetes çfarë do bëj këtu, mirëpo e kalova me sukses, si duket e paskam pasur qejf mësimdhënien”, tregon profesori i emocionuar, ndërsa buzëqeshja i përshkon fytyrën.

E ka pasur më të lehtë kur është rikthyer në Universitet e këtë herë si pedagog, jo si student.

Në Universitet kisha të tjera emocione, por si të thuash kisha ardhur i përgatitur. Mendoj që ai që ka dhënë mësim në shkollë të mesme e ka më të lehtë në Fakultet, pasi e di si është mësuar studenti i cili më parë ka qenë nxënës. Sigurisht që përgatitja shkencore shtohej, por metodikisht je më mirë se sa kur fillon direkt në shkollë të lartë, pasi vjen me vazhdimësinë e gjimnazit”, thotë pedagogu i UET, ndërsa ka dëshirë të ndajë me ne edhe më tepër.

Por jo gjithmonë është e thënë që auditori të lerë vetëm mbresa dhe emocione të bukura, por ka edhe nga ato të sikletshmet.

Një moment të cilin ai e kujton të tillë është viti ’92 kur në orën e mësimit mund të hynte kushdo, për shkak të rënies së sistemit komunist. Po ashtu një tjetër moment i sikletshëm ka qenë emërimi i tij drejtor, pasi ishte vetëm 25-vjeç.

“E sikletshme për mua ka qenë të bëhesha drejtor në moshën 25 vjeçare. Kur kolegët e mij mësues ishim mbi 40-vjeç”, u shpreh profesor Binjaku.

E teksa e pyesim për nxënësit apo studentët thotë se përherë ka pasur shumë të mirë.

UET-i përherë ka pasur student shumë të mirë, sidomos Financa. Shumë prej tyre kanë shkuar në Erasmus. Normalisht që ka studentë nga të gjitha nivelet. Unë e kam më të lehtë të komunikoj me studentët e mirë, por ata që e kanë marrë më me vështirësi shkollën, apo që i kam ngelur, janë më dashamirës më vonë. Vijnë dhe më thonë: ke bërë mirë.”, tregon profesori i UET.

E kjo si duket është e dy anshme. Edhe studentët kanë një lloj respekti dhe dashamirësie të madhe ndaj profesorit.

Përpos shpjegimit të mirë, profesori të përfshin në çdo orë leksioni, duke të pyetur (shpeshherë pyetje me tendencë për të vënë trurin në punë) për të testuar në njëfarë mënyre edhe ecurinë përgjatë javëve, por edhe për të na sjellë më afër lëndës. Ai u kthye në mikun tonë më të mirë, duke u përpjekur që çdo gjë ta kuptonim me logjikë. Matematika dukej më e bukur dhe më e thjeshtë me profesor Hysenin.”, thotë Xhesi Shkreta, studente e Masterit në Financë-Kontabilitet në UET./Gazeta Liberale

 

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH