Letërsi

Profecia sociolinguistike e Camajt

Shkruar nga Liberale

Ledi Shamku-Shkreli

Jemi mbledhë sot përreth Camajt, ndaj Martini s’mund të mungojë. E më fort se kur flitet për atë vetë, ai duhet me qenë i pranishëm sa herë që flitet për Shqipen – gjuhë amtare e tija dhe jona. Kështu pra, meqë krye-verb i fjalës time sot është Shqipja, përmasa jonë etno-kulturore, ju grish të kthehemi 30 vjet mbrapa në kohë, në 2 dhjetor të 1991, në Seminarin e Salernos kushtuar shtresimeve të shqipes. Ky seminar u çel nga Camaj, pikërisht nga Camaj, dhe nuk është gand që Adolorata Landi dhe Patrizia del Puente zgjodhën atë për me hapë një seminar, i pari i një kohe kur besohej se fryma e lirisë dhe demokracisë do ta rimte sërish edhe pëlhurën tonë gjuhësore të ngrirë nga diktatura. Thashë pak parit se Camaj sot nuk mund të mungojë, ndaj le t’i ndëlgojmë kumtet e tij: “Ka rreth njizet vjet qi në Shqipní po vazhdon proçesi i normalizimit të gjuhës, i cili nuk merr parasysh randësinë e dialekteve e të historisë, ase të dokumentave si: dorëshkrime, tekste letrare etj. Teoria themelore qi drejtoi procesin e ndjekun për zbatimin e normës, qi në të vërtetë âsht vû në jetë me dhunë, i përket Stalinit. Hoxha (nuni i saj sipas Camajt) në vend të gjuhës, imponoi praktikisht dialektin e vet, ase mâ mirë, nji prej nëndialekteve të tosknishtes lindore. Cdo variant tjetër gjuhsor letrar u ndalue, në veçantí ai i veriut. U pengue edhe zhvillimi i tosknishtes tradicionale letrare, në veçanti përbâsja e saj perëndimore, qi âsht zhvillue në hapsinën prej bregut shqiptar të Jonit deri në Peloponez e prej aty bashkohet me zonat arbëreshe të Italís jugore. Këtu âsht trashigue nji traditë letrare e zgjedhun e tanë sqimtí, e ngjashme me klimen e butë mesdhetare”.

Ngula këmbë që për punë të shqipes së përbashkët sot Camaj të shprehej vetë, ashtu shkipët e pa “dragomâj”, për t’ia shkëputë kumtet e tij cergave tjetërsuese, të cilat vijimisht e përmes manipulimesh, e kanë cilësuar si hiperlokalist, anti-unitar e anti-kombëtar. Porse Camaj është ndër të rrallët, për të mos thënë i vetmi që iu referohet gjithnjë tri koineve sa herë rrihet argumenti i normës. Ai dëshmon për këtë trinì si in varietate concordia, apo për t’ia dhënë fjalën atij vetë: “për gati nji gjysë shekulli para ardhjes së stalinizmit, tre variantet letrare janë zhvillue lirshëm në nji simbiozë harmonike. Weigand-i, Nahtigal-i, Pekmezi, Xhuvani e deri edhe autorë veriorë si Fishta e Gurakuqi, këshilluen qi unjisimi i gjuhës zyrtare të mbërrihej nepërmjet "avitjes" së këtyne varianteve. Kjo gja duhej me u krye jo në mënyrë të vrazhdë. E në të vërtetë, deri në 1944 shoqnija shqiptare zhvillohej në nji rreth simbiozet familjare, kulturore e gjuhsore. Në veçanti në Tiranë kryheshin kontaktet e para gjuhësore mes atyne që përdorojnë dialekte të ndryshme; aty kryhet afrimi. Treguesit e këtij afrimi ishte dashtë me u ndjekë me kujdes, duke gjetë rrugën mâ të drejtë për unjisimin e gjuhës”.

Në duam ta përmbledhim, kumti kryesor i citimit të mësipërm është se Camaj, tridhjetë vjet të shkuara, gjykonte se shqipja e përbashkët evolutive, do ta kish pasë epiqendrën e vet të formimit në truallin sociolinguistik të Tiranës kryeqytet. Natyrisht, mendonte Camaj, do ta kish pasë po të mos ja kish zënë vendin Shqipja Totalitare. Madje, shton gjuhëtari, n’atë truall jo vetëm do të latohej entiteti gjuhësor prej miliona replikash kompromise nga çda areal shqipfolës, por po në atë amë sociolinguistikte duheshin zgjedhur edhe elementet rregullarizuese të induktuara (Treguesit e këtij afrimi ishte dashtë me u ndjekë me kujdes, duke gjetë rrugën mâ të drejtë për unjisimin e gjuhës). Nuk është i vetmi Camaj që e mendon kësisoj. Guiraud në vitet ’70 shkruan: “duhet shqyrtuar mirë ligjërimi popullor parizian, që sot në fakt është ligjërimi popullor i thuajse të gjithë francezëve, apo së paku i atyre që e përdorin frengjishten në mënyrë të natyrshme”.

Çfarë ndodhi në fakt në këto 30 vjet? Për nga pikëpamja sociolinguistike gjithë këto kohë lëvizjesh të lira demografike, Tirana, në aspekt gjuhësor, nisi të shërbejë si truall pritës për nivelet dhe regjistrat e ndryshme gjuhësore që konvergojnë aty si ligjërime ardhëse. Saussure pohon se të gjitha gjuhët ardhëse do të ndryshojnë nën trysninë e sistemit gjuhësor pritës; por nuk është vetëm gjuha ardhëse ajo që ndryshon, pasi edhe idioma pritëse pëson ndikime nga përplasja me të parën. Kështu ndodh që trualli gjuhësor konservativ (i Tiranës) modifikon ligjërimet ardhëse, por njëkohësisht modifikohet prej tyre. Nga ky “proces alkimik” lind njëri ndër nivelet më të rëndësishme ligjërimore të Shqipes së Sotme, i cili në terma bashkëkohorë përkufizohet si Substandarti i Metropolit.

Por vini re, është shumë i rëndësishëm fakti që trualli gjuhësor pritës i Metropolit ja ka dalë ta ruajë karakterin konservativ. Për nga pikëpamja strukturore, ky fakt shpjegon edhe pse një pjesë e mirë e akomodimeve të sotme të shenjuesve zyrtarë, akomodime të cilat kryhen prej këtyre forcave vetëstrukturuese, ndjekin shpesh për inerci hullinë konservative. Ndaj duke i parë në çelës diakronik, shumica e përftesave të sotme, ndonëse rezultojnë si inovacione në raport me normën, në raport me shqipen vetë dhe në thelb të tyre del se shpesh janë konservacione. Nga ana tjetër, prurjet e shumta e të shumllojshme qoftë diatopike, qoftë diastratike që derdhen në Substandartin e Metropolit, janë kryesisht të llojit inovativ. Fakti që këto inovacione përpunohen në një truall gjuhësor, substrati i të cilit, siç e kemi analizuar në punime të mëparshme, është me karakter konsevativ, bën të mundur që neoformat e Shqipes së Sotme të mos jenë mutacione por fraktale të mëtejshme të së njëjtës lëndë historike. Me fjalë të tjera duam apo nuk duam ne, Substandarti i Metropolit bëhet kështu njëri ndër garantët e evolucionit të pandërprerë të Shqipes Publike, i cili jo rrallë rezulton se po korrigjon edhe ndërhyrjet e djeshme subjektive në lëndë të Shqipes. Ndodhemi përpara një situate jo vetëm interesante nga pikëpamja gjuhësore, por edhe historike. Kjo “gjendje” duhet studiuar sa më shpejt, pikërisht se po të shqyrtohet dhe të përkrahet në kohë, do të shpjerë në forcimin dhe rivlerësimin mbi baza reale të kodit gjuhësor mbarëshqiptar. Gjithë kjo ngaqë sociolekti, me epërsinë e tij komunikuese, thyen te çdo idiomë atë që Saussure e quan esprit de clocher - mendësinë e izolimit - dhe vë kësisoj në lëvizje proceset e uniformizimit objektiv. Studiuesi Ardian Vehbiu, lidhur me domosdoshmërinë e marrjes në konsideratë të këtij entiteti nga studiues dhe planifikues të shqipes shkruan se: “në të vërtetë, standardi ekzistues i shqipes e ka potencialin për t’u rishikuar pa çuar kjo në ndonjë shkoqje të identitetit gjuhësor dhe kulturor të shqipfolësve; por se çfarë do të rishikohet pikërisht, dhe si do të realizohet kjo, varet në masë të madhe nga çfarë është adoptuar prej folësve vetë përtej llogoreve dialektore, në atë “rain forest” të biomasës së shqipes së sotme, që është Tirana.

Me fjalë të tjera Substandarti i Metropolit mund të konsiderohet si “gjuhë në kontakt” që farkohet në rastin tonë ndërmjet dialekteve dhe shqipes standarte të të gjitha stileve, ndaj dhe paraqet një fond të pasur gjuhësor. Veç të tjerash është edhe një vënie në provë e gramatikës, duke qenë se bazohet mbi mekanizma pragmatike që priren ta thjeshtojnë sistemin e kodit formal parashkrues. Saussure dëfton se “ai që e krijon gramatikën, e ka në dorë sa kohë s’e ka hedhur në qarkullim; por që nga çasti kur ajo përmbush misionin e saj duke u bërë pronë e gjithkujt, kontrolli del dore. Sikur njeriu të pretendonte se po krijonte një gjuhë të pandryshueshme, të cilën pasardhësit duhet ta pranonin të pacënuar, ai do t’i ngjasonte një pule që klloçkit vezë rose: gjuha e krijuar prej tij, me hir a me pahir, do të përfshihej në rrjedhën që merr me vete të gjitha gjuhët”..

Gjallimi i Substandartit të metropolit është një tjetër element prove në mbështetje të tezës se shqipja, si çdo gjuhë tjetër, zhvillohet përmes një continuum-i gradual evolutiv duke kaluar në këto etapa:

Dialekte Varietete Krahinore Shqipe Popullore Substandart i Metropolit Shqipe e Njësuar (Standard ↔ Neostandart)

Këtë iter do të ketë pasë në mend edhe Camaj tridhjetë vjet të shkuara kur tërhoqi vëmendjen tek rëndësia parake e asaj përziemje të vetvetishme që ka ndodhë e ndodh prore në Tiranë. Kjo prurje substandarte popullore, e cila mungon krejt në kodin standart, vijon të ushqejë përditë proceset ristandartizuese të shqipes. Dhe prania e substandartit është në të vërtetë prani e folësit e madje e një folësi kolektiv trashendental, i cili është bartës i shqipes që ka qenë po dhe i asaj që do të jetë.  Gjithë këtë trashëgimi kodesh stilesh e regjistrash, të shkruar e sidomos të folur, tok me tharmin unitar të ardhmënisë, Substandarti e ofron pareshtur e përmes procecessh mirëfilli vetërregulluese, në ristandartizimin e shqipes letrare. Dhe në fakt matjet e kanë dëshmuar tashmë se ka lindur e po fuqizohet varieteti Neostandart si formë e thjeshtuar dhe e pasuruar e Standardit, që ka përdorim masiv dhe që gjuhësisht e kulturalisht paraqitet më i hapur se Standardi, pasi mund të përmbushë të gjitha nevojat e komunikimit publik, deri edhe ato praktike e të përditshme. Neostandarti gjendet në kapërcyell të gjuhës së shkruar e asaj të folur. Përbërësit e këtij varieteti del se janë: Substandarti i Metropolit + Tiparet e Gjuhës së Shkrimit. Ky rezultat është mirëfilli pohim i parathanës së Camajt: vendformimi i Neostandartit të Shqipes është Tirana Metropol. Po ashtu matjet dëftojnë se ky Neostandart po realizohet në plotninë e vet diamezike, pra si në rrafsh të folur, ashtu edhe në rrafsh të shkruar.

Neostandarti i shkruar është ai varietet i shqipes së përbashkët me të cilin po identifikohen gjithnjë më shumë përdoruesit e shqipes, duke filluar nga përdorimi i saj si gjuhë publike e deri te përdorimet vetjake nga nxënës, studentë apo shkrues të mesëm.  Epërsia e këtij varieteti ndaj normës standarte qëndron pikërisht në dy tiparet karakteristike të tij:

  • në prakticitetin e repertorit të tij gjuhësor, me të cilin mund të përmbushet një gamë mjaft më të madhe situatash shkrimore, pra jo vetëm situatat thellësisht formale;
  • në afërinë që ngërthen ky varietet me përdorimet e folura dhe me formate trashëguara të traditës.

Neostandarti i folur është varieteti i Shqipes së Sotme drejt të cilit synojnë gjithë ata përdorues që, duke zgjedhur ta përvetësojnë në të folurën e tyre prestigjin që ofron gjuha letrare, e deskematizojnë dhe e ristandartizojnë vijimisht këtë të fundit në përputhje me kushtet e reja social-kulturore. Natyrisht që Neostandarti i Shqipes së Sotme ka edhe një gjurmë të ndjeshme të pragmatizmit gjuhësor, prej të cilit në mjaft situata ai paraqitet edhe si i varfër në mjete, por kjo çështje i takon më shumë kulturës së gjuhës sesa gjuhës vetë. Dhe si e tillë mund të përballet duke i kundërvënë mes tjerash një edukim gjuhësor demokratik, i cili nxit qarkullimin e mjeteve shprehëse, të atyre mjeteve të simbiozës së trashëgueme – siç e quan Camaj, duke pasuruar ksodore kompetencën e mandej performancën e shqipfolësve.

Këtu e 30 vjet më parë Martin Camaj përfytyroi ringjalljen e unitarizmit gjuhësor në Shqipen që pat shkizmuar ideologjia. Parathana (profecia) e tij shenjoi Tiranën si vatër të unitarizmit gjuhësor. Tridhjetë vjet më pas, koha po i jep të drejtë vegimeve poetike e andrrimtare të atij që rrëfeu se: “ngjarjet qi i kanë ra për hise gjuhës time qenë edhe shkaku mâ i thellë qi më ka shtye me u marrë si shkencëtar me gjuhën”.

Kjo që po ndodh në Tiranë është vetëm fillimi i një reforme nga poshtë mbi Shqipen.

 

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH