Newsroom Liberale

Prodhuesit e birrës-qeverisë: Mos e ndryshoni Ligjin për Akcizat!

               Publikuar në : 09:58 - 10/07/19 V Liberale

Kërkesa e fundit e qeverisë së Kosovës për heqjen e barrierave tregtare në të vërtetë është kërkesë për ndryshim legjislacionit fiskal në Shqipëri. Këtë shqetësim ngre Shoqata e Prodhuesve të Birrës Shqiptare, kryetari i së cilës, z. Stefan Pinguli, i ka dërguar një letër kryeministrit Edi Rama, Ministrisë së Financës dhe Ministrisë së Mbrojtjes së Sipërmarrjes, nga ku kërkon që shteti shqiptar të mbrojë kompanitë dhe markat e prodhimit të birrës në Shqipëri nga “lufta” e pandershme.

Në letrën drejtuar institucioneve shqiptare, Shoqata e Prodhuesve të Birrës Shqiptare argumenton: “Ndryshimi i Ligjit të Akcizës në Republikën e Shqipërisë, me qëllim që një nga kompanitë e prodhimit të birrës në Kosovë (birra ‘Peja’), të paguajë në mënyrë të jashtëligjshme vetëm gjysmat e detyrimeve të saj të akcizës për buxhetin e vendit tonë, sepse në rast të kundërt qeveria e Kosovës do të marrë masa represive ndaj produkteve shqiptare që eksportohen në Kosovë”, thuhet në kërkesën e shoqatës, ku argumentohet, ndër të tjera, se një masë e tillë “krijon favore ligjore për kompanitë monopolistike të prodhimit nga Kosova në dëm të kompanive shqiptare, të cilat, megjithëse kanë investuar dhjetëra miliona euro në vitet e fundit për teknologji bashkëkohore dhe prodhojnë birra të një cilësie shumë të lartë, janë të detyruara të shkurtojnë mbi 40% të fuqisë punëtore dhe të punojnë me rreth 30% të kapacitetit të tyre prodhues, duke u vendosur në pozitat e një falimentimi të sigurt”.

Shkresa

Stefan Pinguli, në emër të shoqatës që përfaqëson, shpreh keqardhjen dhe kundërshtimin e plotë, pasi, sipas tij, kjo bëhet vetëm për t’i krijuar favore një kompanie, e cila, pasi ka krijuar një monopol absolut, nuk e dihet sa ligjore është në tregun e birrës në Kosovë, ku zotëron mbi 70% të tij, kërkon që të njëjtën gjë ta realizojë edhe në tregun shqiptar. Sakaq, ai hedh poshtë totalisht pretendimet e përfaqësuesve të qeverisë dhe organizatave të biznesit të Kosovës për gjoja barrierat dhe pengesat e vendosura në Shqipëri për produktet e prodhuara në Kosovë, pasi, sipas tij, këto produkte jo vetëm nuk janë diskriminuar, por janë favorizuar në mënyrë joligjore duke shkatërruar rregullat e konkurrencës së ndershme në tregun shqiptar.

Vendi ynë aplikon dy nivele për vendosjen e normës së akcizës së birrës dhe sipas z. Pinguli, kjo formë nuk ka aspak si qëllim që të favorizojë prodhuesit vendas, por synon që të krijojë kushtet e një konkurrence të drejtë në treg për të gjitha llojet e birrave, pavarësisht nëse ato prodhohen brenda vendit apo jashtë tij, konkretisht birra “Prishtina” dhe “Ereniku” eksportohen në Shqipëri me të njëjtin taksim akcizor sa dhe birrat që prodhohen në Shqipëri, duke zbatuar barazinë ndaj ligjit. Më tej, ai shton se ligji përpiqet që të mbrojë nga falimentimi prodhuesit e vegjël vendas apo të huaj që janë gjithmonë të kërcënuar nga politikat shkatërruese të kompanive të mëdha. Ndaj dhe, sipas tij, pretendimi i qeverisë së Kosovës, se kjo formë ligjore është zgjedhur për të krijuar barriera për birrat e prodhuara në Kosovë, është qesharake dhe aspak profesionale dhe e vërtetë, sepse kjo formë ligjore është përcaktuar që 10 vjet më parë, kur birra “Peja” njihej shumë pak në Shqipëri. Ne bëjmë pyetjen pse vetëm birra “Peja” në Shqipëri ka një treg kaq të madh në krahasim me të gjitha birrat e importit që paguajnë të njëjtën taksë???

Duke sjellë të dhënat, kreu i Shoqatës së Prodhuesve të Birrës shqiptare, evidenton se norma e akcizës që aplikohet në Kosovë është 185% më e lartë se ajo që aplikohet në Shqipëri për prodhuesit deri në 200 mijë HL/vit dhe 45.5% më e lartë se norma e akcizës që aplikohet në Shqipëri për prodhuesit e mëdhenj me sasi mbi 200 mijë Hl/vit. Sipas të dhënave, birra “Peja”, në Shqipëri duhet të paguajë 45% më pak akciza sesa duhet të paguajë në Kosovë, ndërsa prodhuesit e tjerë të birrës në Kosovë që eksportojnë në Shqipëri, duhet të paguajnë 185% më pak akciza sesa paguajnë në Kosovë. Duhet theksuar që norma shumë e lartë e akcizës që aplikohet në Kosovë është vërtet një barrierë e fortë për birrat shqiptare që eksportohen në Kosovë dhe e bën të pamundur që produktet tona të rrisin shitjet në tregun e Kosovës, për shkak të politikave dumping që aplikohen nga kompania monopolistike e prodhimit të birrës “Peja” në këtë treg dhe që tolerohet nga institucionet qeveritare të Kosovës.

Barriera

Sipas të dhënave, birrat e prodhuara në Kosovë, shpjegon z. Pinguli, jo vetëm nuk kanë pasur barriera në Shqipëri, por janë favorizuar në mënyrë korruptive dhe jo ligjore, duke prishur haptas rregullat e konkurrencës së ndershme për të gjitha birrat e tjera që tregtohen në tregun tonë dhe duke dëmtuar në mënyrë të veçantë kompanitë dhe markat e birrës vendore shqiptare.

“Referuar të dhënave, rezulton se në vitin 2018 nga Kosova janë eksportuar 13% më shumë birrë se në vitin 2017, ose rreth 2.19 milionë litra birrë më shumë. Ndërkohë, duket qartazi se rritja e sasisë së importit të birrës nga viti 2017 në vitin 2018 ka ardhur kryesisht nga Kosova që zë rreth 60% të sasisë totale të rritjes së importit prej 3.68 milionë litra. Kontrolli i Lartë i Shtetit, i cili ka nxjerrë miliona euro detyrime të papaguara në disa vite nga kompania e birrës nga Kosova, birra ‘Peja’, në dëm të buxhetit të shtetit shqiptar dhe në dëm të kompanive të prodhimit të birrës në Shqipëri, dhe akoma nuk ka asnjë të ndëshkuar dhe asnjë informacion zyrtar nëse këto miliona euro detyrime janë paguar apo jo”, deklaron ai.

Kërkesat

Për këtë arsye, shoqata kërkon që qeveria e Shqipërisë jo vetëm të mos ndryshojë Ligjin për Akcizat në Republikën e Shqipërisë, por të negociojë me qeverinë e Kosovës për të krijuar dhe zbatuar të njëjtat norma dhe procedura tatimore, doganore e tarifore. Kërkohet unifikimi i normave të tatimeve, taksave dhe tarifave të ndryshme për lëndët e para, ndihmëse dhe ambalazheve plastike dhe të qelqit, si edhe unifikimi i procedurave të monitorimit dhe kontrollit të procesit të prodhimit, magazinimit dhe shitjes së produkteve të akcizës siç është birra, për të eliminuar mundësinë e manipulimit me shifrat e prodhimit dhe për të kufizuar mundësinë e kontrabandës dhe evazionit fiskal nga këto kompani.

“Ne kërkojmë gjithashtu që institucionet tatimore dhe doganore të dy vendeve të kenë detyrimin ligjor që të publikojnë në kohë reale çdo muaj, të gjitha ndryshimet fiskale që ato realizojnë, si edhe treguesit për deklarimet doganore dhe tatimore që bëjnë kompanitë e birrës, të cilat janë subjekte të pagesës së akcizës në të dyja vendet”, thuhet në shkresën drejtuar Kryeministrit, Ministrisë së Financave dhe Ministrisë së Mbrojtjes së Sipërmarrjes./Gazeta Liberale

(Visited 25 times, 1 visits today)

Etiketa: , ,

KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

* *