Kryesore

Procesi i Berlinit, Merkel: Nevojitet pajtim

               Publikuar në : 09:55 - 05/07/21 liberale

Kancelaria gjermane, Angela Merkel, ia kushtoi mesazhin e fundjavës Konferencës së saj të fundit me liderët e Ballkanit Perëndimor, e cila do të zhvillohet sot në mënyrë virtuale

“Edhe pse takimi do të bëhet vetëm me video, unë jam e gëzuar që do të mund të vijojmë bashkëpunimin me kryetarët e shteteve dhe qeverive nga gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor: Shqipëria, Bosnjë-Hercegovina, Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Serbia”, tha kancelaria gjermane Angela Merkel në podcastin e saj të përjavshëm, të shtunën (2.7.2021) në Berlin.

Ndihmesë për stabilitet dhe dialog

Merkel kujtoi më tejfillimet e Procesit të Berlinit të iniciuar nga Gjermania në vitin 2014: “Si atëherë, ashtu edhe sot qëllimi është të japë ndihmesa sa më konkrete për qëndrueshmërinë e rajonit dhe për dialogun paqësor mes të gjiha palëve”, vijoi më tej politikania kristiandemokrate.
Kancelarja Gjermane rikujtoi përgjegjësinë e BE-së dhe të Gjermanisë ndaj Ballkanit Perëndimor: “Ai është një pjesë e Evropës, ku nuk janë shëruar ende plagët e luftërave të viteve 90-të, e dhunës ndër grupet etnike. Por: Në Gjermani jetojnë edhe shumë shtetas, që i kanë rrënjët e tyre në vendet e Ballkanit Perëndimor, kujtoi kancelarja më tej.
“Për mua është mëse e qartë: Ne, shtetet anëtare të BE-së, jemi shumë të interesuara për një zhvillim paqësor dhe të mirë të Ballkanit Perëndimor. Dhe ne kemi një përgjegjësi që të angazhohemi faktikisht për këtë”

Këmbimet mes të rinjve

Merkel më tej veçoi disa nga arritjet e Procesit të Berlinit: „Forumin Rinor të Ballkanit Perëndimor, i cili bën bashkë të rinj nga etni, gjuhë dhe fe të ndryshme”, por edhe „në arsimin profesional, në njohjen reciproke të diplomave të shkollave të larta dhe në bashkëpunimin e shkencës”, si edhe „përparimet në projektet e transportit dhe infrastrukturës, të cilat ndërlidhin rajonin”.
Të gjitha janë hapa të rëndësishme për të arritur në një komunikim të vazhdueshëm përtej kufijve, i cili ndihmon që të pakësohen rezervat. Dhe i sjell këto vende të gjitha së bashku në synimin e tyre për të plotësuar kushtet për anëtarësim në BE. Jam e bindur se herët a vonë e ardhmja e tyre me të vërtetë do të jetë në Europën e bashkuar”, tha kancelarja.

Lipset ende pajtim

Më tej Merkel u përqendrua edhe te sfidat e rajonit. “Ende nuk janë zhdukur mosbesimi dhe nacionalizmat e vjetra, të cilat shumë shpesh ngjallin grindje dypalëshe”.
Edhe në të ardhmen nevojitet pajtim, tha nismëtarja e Procesit të Berlinit: “Kjo do të thotë që të trajtohet e kaluara, por edhe të bëhet gjithçka e mundshme që brezi i ri të jetojë në paqe”
“Unë jam e bindur se me konferencat e përvitshme të Ballkanit Perëndimor, ne mund të ndihmojmë në këtë proces”, përfundoi kancelarja Merkel.

Takimi

Sot kancelarja gjermane, Angela Merkel do të bisedojë për herë të fundit me kryeministrat e vendeve të Ballkanit Perëndimor në kuadër të Procesit të Berlinit. Konferenca e parë u mbajt në 2014 dhe u cilësua si ndër nismat më të rëndësishme të kancelares në politikën e jashtme.
Një proces që lindi për shkak të shumë bllokadave dhe rezervave ndaj zgjerimit të BE me vendet e Ballkanit, ndaj duheshin mbajtur në rrugën europiane pavarësisht rezistencës së disa vendeve anëtare.
Që prej 2014, çdo vit janë mbajtur konferenca të të njëjtit format, me përfaqësues të 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor, Komisionit Europian dhe përfaqësues të disa vendeve anëtare.
Pas 7 vitesh mund të thuhet se nuk ka shumë përparime, kështu që as kjo konferencë nuk pritet të sjellë ndonjë rezultat të prekshëm, veçse të riprodhojë vetveten dhe të deklarohet sërish mbështetja për rrugën europiane të 7 vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Zyrtarë të lartë të CDU/CSU kanë deklaruar se “Formati, në të cilin do të vijojë trashëgimia e kancelares pas largimit të saj nga detyra, vjeshtën e këtij viti, do të njoftohet përfundimisht pas takimit të Merkel me homologët e saj, por mesazhi që do të dalë nga ky takim është i qartë: “Ai do të ritheksojë perspektivën e Ballkanit Perëndimor në BE dhe do të konfirmojë vijimësinë e Procesit të Berlinit”.
Ekspertët thonë se në Ballkan ky proces nuk ka ndonjë imazh të mirë, madje shumë e cilësojnë thjesht një mundësi që liderët e rajonit të takohen me udhëheqës të Bashkimit Europian. Ndërsa në jetën e përditshme të qytetarëve rezultati i prekshëm ka qenë heqja e tarifave ‘roaming’ prej datës 1 korrik.
Për organizatorët, ky proces ka sjellë më shumë. Ata vlerësojnë se “infrastruktura e transportit dhe energjisë është zgjeruar në shtatë vitet e fundit dhe është lidhur me korridoret e BE-së. Ndërsa krijimi i Zyrës Rajonale të Rinisë, që ka bashkuar të rinjtë e rajonit, është një zhvillim i orientuar drejt së ardhmes”.
Ndërkaq, nuk ka rezultate për sa i përket tregut të përbashkët rajonal, që synon lëvizjen e lirë të njerëzve, mallrave, shërbimeve dhe kapitalit. Një vit më parë konferenca për këtë proces u mbajt në Sofje, dhe kancelarja Merkel bëri thirrje për pajtim mes Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut, gjë që nuk ndodhi. Në takimin e së hënës mesazhi pritet të jetë i njëjtë: Pajtohuni, kësaj here shkon për Kosovën dhe Serbinë

Trashëgimia e Angela Merkelit në Ballkan

Më 5 korrik kancelarja gjermane do të bisedojë për herë të fundit me kryeministrat e vendeve të Ballkanit Perëndimor në kuadër të Procesit të Berlinit, një nga nismat më të rëndësishme të saj të politikës së jashtme.

“Pajtohuni!” – kjo ishte fjala e fundit e kancelares gjermane, Agela Merkel, në konferencën e shtypit të Samitit në Sofje, në nëntor 2020. Me këtë ajo iu drejtua dy organizatorëve të samitit të gjashtë të Procesit të Berlinit, kryeministrave të Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut, Bojko Borisov dhe Zoran Zaev. Megjithë atmosferën miqësore në samit, ata nuk kishin arritur të gjenin një zgjidhje për mosmarrëveshjen mbi interpretimin e historisë. Bllokada e Bullgarisë ndaj fillimit të negociatave të anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në BE është ende në fuqi.

Mbështetje për rrugën e BE-së

Edhe në gushtin e vitit 2014, kur kancelarja gjermane ftoi për herë të parë në Berlin udhëheqësit e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor (Shqipëri, Bosnjë-Hercegovinë, Kosovë, Maqedonia e Veriut (emërtimi i sotëm), Mali i Zi dhe Serbi) kishte shumë bllokada dhe rezerva ndaj zgjerimit të Bashkimit Evropian me vendet e Ballkanit Perëndimor.
Shqipëria sapo kishte marrë statusin e kandidatit, Serbia, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi e kishin ndërkohë, Kosova dhe Bosnje-Hercegovina po bisedonin për përmbylljen e Marrëveshjes së Asociim Stabilizimit, e cila do të nënshkruhej një vit më pas. Këto vende duheshin mbajtur në rrugën evropiane, megjithë rezistencën e vendeve antare. Kështu lindi Procesi i Berlinit.

Pak përparime drejt BE-së

Që nga takimi i parë vijuan çdo vit takime në të njëjtin format: gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, Komisioni i BE-së dhe përfaqësues të disa vendeve anëtare, që ndiheshin të lidhura me temën në një farë mënyre, qoftë për shkak të afërsisë së tyre gjeografike (Kroacia, Bullgaria), qoftë për shkak të profilit të tyre në politikën e jashtme të BE-së (Gjermania, Franca, Austria, Britania e Madhe (në atë kohë akoma në BE) Italia ose më vonë edhe Polonia). As në këtë vit të shtatë të Procesit të Berlinit, zgjerimi nuk ka bërë shumë përparime: Kështu që Procesit të Berlinit nuk i mbetet gjë tjetër veçse të riprodhojë vetveten.
„Formati, në të cilin do të vijojë trashëgimia e kancelares pas largimit të saj nga detyra në vjeshtën e këtij viti, do të njoftohet përfundimisht pas takimit të kancelares Merkel me homologët e saj, por mesazhi që do të dalë nga ky takim është i qartë: „Ai do të ritheksojë perspektivën e Ballkanit Perëndimor në BE dhe do të konfirmojë vijimësinë e Procesit të Berlinit”, tha për DW, Katja Leikert, nënkryetare e grupit parlamentar CDU / CSU, në Bundestagun Gjerman dhe përgjegjëse për politikat e BE-së.

Ofensiva diplomatike

Samiti i së hënës është pika kulmore e një serie takimesh parapërgatitore. „Në qershor u zhvilluan konferenca të ministrave të jashtëm, të shëndetësisë, të brendshëm dhe të ekonomisë. Pjesë e procesit është edhe një forum i shoqërisë civile dhe i rinisë,” thotë Susanne Schütz, e ngarkurara e qeverisë gjermane për Ballkanin Perëndimor në një bisedë me DW. Në këto konferenca është folur për bashkëpunimin në luftimin e pandemisë, luftimin e terrorizmit dhe krimit të organizuar si dhe për digjitalizimin dhe agjendën e gjelbër. Të hënën (28.06), kancelarja Angela Merkel pati biseda me udhëheqës të Shqipërisë, Serbisë, Bosnjës dhe Hercegovinës dhe Maqedonisë së Veriut.

Imazh i keq në rajon

Në rajon, megjithatë, Procesi i Berlinit ka një imazh jo fort të mirë: “Në sytë e publikut, Procesi i Berlinit nuk është asgjë tjetër, veç një mundësie për politikanë nga rajoni të takohen me udhëheqësit e BE-së dhe të bëjnë fotografi të gëzuara me mesazhe për perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor dhe një të ardhme më të mirë, ” thotë Adi Čermagić nga Iniciativa Evropiane e Stabilitetit (ESI), një think-tank për Evropën Jug-Lindore me qendër në Berlin. „Por qytetarët e rajonit janë lodhur me këto premtime që mund të realizohen pas dhjetë ose 15 vjetësh”.
„Por të paktën”, vazhdon Čermagić, „Procesi i Berlinit ka sjellë një përparim për jetën e përditshme. Për shembull, nga data 1 korrik i këtij viti janë hequr tarifat roaming për vendet e rajonit”.
Tregu i përbashkët.
Schütz numëron edhe disa përparësi të tjera të këtij samiti: “Infrastruktura e transportit dhe energjisë është zgjeruar shumë në shtatë vitet e fundit dhe është lidhur me korridoret e BE-së. Dhe Zyra Rajonale e Rinisë (RYCO), e cila për vite me radhë ka bashkuar të rinjtë e rajonit është një zhvillim i orientuar drejt së ardhmes. Këto rezultate dëshmojnë se bashkëpunimi i sukseshëm në kuadër të Procesit të Berlinti është i mundshëm.”
Por edhe ambasadorja gjermane e pranon se ka ende shumë për t’u bërë. Sidomos realizimi i një Tregut të përbashkët rajonal, i cili është miratuar në Sofje në vitin 2020.Ky synon që deri në vitin 2024 të arrihen brenda rajonit katër liritë e BE-së: lëvizja e lirë e personave, mallrave, shërbimeve dhe kapitalit.

Vullneti politik është i nevojshëm

Ministri gjerman i Punëve të Jashtme, Heiko Maas, gjatë takimit të tij në fillim të qershorit me vendet pjesëmarrëse në Procesin e Berlinit kërkoi që këto të përpiqeshin që samiti i së hënës të bëhej i sukseshëm. Susanne Schütz shpreson që së paku të “arrihet një marrëveshje për lirinë e udhëtimit me karta identiteti dhe njohjen reciproke të gradave profesionale dhe universitare”.

Për momentin vetëm tre vende janë të gatshme të marrin pjesë në krijimin e një tregu të përbashkët: Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Serbia. Vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor hezitojnë, para së gjithash Kosova për shkak të grindjes së pazgjidhur me Serbinë. Kështu që mbetet tërësisht e hapur, nëse ky samit i fundit do të plotësojë ndonjë dëshirë tjetër të kancelares Merkel, veç asaj të shprehur vitin e kaluar në Sofje: “Pajtohuni”.

Tags: ,


KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

Back