Kryesore

Problemi s’janë zgjedhjet e 30 qershorit, por bllokimi i Shqipërisë

               Publikuar në : 09:30 - 13/05/19 Ervis Iljazaj

Ervis Iljazaj

Sa më shumë afron data 30 qershor, aq më shumë rritet tensioni politik midis qytetarëve opozitarë dhe qeverisë. Pamjet nga protesta e djeshme e treguan më së miri këtë. Dhe me të gjitha gjasat, kështu do të jetë deri në ditën e votimit, nëse do të zhvillohen. Sepse data 30 qershor shihet si momenti kulminant i një përplasjeje politike që ka filluar që më djegien e mandateve të opozitës shqiptare.

Në këtë mënyrë, është krijuar ideja se, problemi kryesor i politikës shqiptare janë zgjedhjet lokale të 30 qershorit dhe mënyra si do të zhvillohen ato, apo cilët do të jenë pjesëmarrësit në këtë garë politike.

E gjithë beteja e opozitës në fakt, nuk është aspak për zgjedhjet lokale të 30 qershorit, por ato shihen thjesht si një provë për të arritur qëllimet e kauzës së saj që filluan me një akt si djegia e mandateve, një akt i paprecedentë. Sigurisht që djegia e mandateve si akt i tillë mund të gjykohet nëse është një akt i pranueshëm apo jo, por fokusi i analizës duhet të jetë se përse u ndërmor një akt i tillë.

Problemi i Shqipërisë nuk janë aspak zgjedhjet lokale të 30 qershorit. Ato edhe mund të zhvillohen, në to mund të marrin pjesë kandidatë të vërtetë apo fals, siç do të jenë shumë prej tyre, vetëm për të legjitimuar zgjedhje për t’u konsideruar formalisht të rregullta. Mirëpo, edhe nëse ndodh kështu, opozita shqiptare, që përfaqëson pothuajse gjysmën e shqiptarëve, do të vazhdojë të jetë ende jashtë Parlamentit të Shqipërisë, duke u zëvendësuar nga deputetë, ndoshta kushtetues, por jo përfaqësues të shqiptarëve.

Në këtë kuptim, çështjet më thelbësore që shqetësojnë demokracinë dhe politikën shqiptare do të vazhdojnë të jenë po aty. Prandaj, duhet të kuptojmë se zgjedhjet lokale nuk janë aspak problemi kryesor i politikës, por bllokimi i Shqipërisë është problemi që duhet të na bëjë të gjithëve të shqetësohemi.

Në këtë moment, nuk ka fare rëndësi se kush është fajtori, apo se cili është përgjegjësi i situatës ku ndodhemi. Gjithsecili ka bindjet dhe argumentet e tij për të dhënë një përgjigje. E rëndësishme është që kjo situatë duhet të marrë zgjidhje sa më parë, në interes të shqiptarëve dhe të ardhmes së tyre.

Shqipëria ndodhet në një bllokim total institucional, politik dhe ekonomik, që nëse vazhdon edhe më gjatë do të kthehet edhe në një bllokim shoqëror. Kështu që, pavarësisht argumenteve të njërit apo tjetrit krah politik, nuk ka rrugë tjetër, madje politika shqiptare është e “dënuar” të zhbllokojë situatën ku ndodhemi, dhe t’i japë frymëmarrje ecurisë normale politike dhe ekonomike të vendit.

Shqipëria sot gjendet praktikisht pa një sistem gjyqësor dhe në këtë situatë fare lehtë mund të kuptohet se si mund të qeverisë një qeveri pa një kontroll të tillë. I vetmi institucion që ka mbetur ende për të kufizuar pushtetin ekzekutiv, për aq sa lejon Kushtetuta, është ai i Presidentit të Republikës. Jo vetëm kaq, por edhe ndërtimi i organeve të reja të drejtësisë, për nga mënyra se si po zhvillohen edhe emrat që qarkullojnë, më së paku është bërë e dyshimtë.

Perspektiva europiane e Shqipërisë dhe çelja e negociatave në qershor duket shumë e vështirë për t’u arritur në këtë kontekst politik ku ndodhemi, gjë e cila do të ndikojë shumë jo vetëm në të tashmen, por edhe në të ardhmen e shqiptarëve, nëse fatkeqësisht marrim përgjigje negative.

Për të mos folur për ekonominë, apo sektorë të tjerë të shërbimit, që ndodhen në gjendjen më të keqe të dekadës të fundit. Madje problemi më i madh për ekonominë shqiptare në këto momente të turbullta, nuk është fakti nëse kemi rritje apo jo, sepse kjo është një gjë që rikuperohet, por infiltrimi në sektorë të caktuar të saj të krimit, që do të ketë pasoja për vite me radhë. Nëse shtojmë edhe situatën ku ndodhet Parlamenti i Shqipërisë, me një legjitimitet më se të dyshimtë, për nga përfaqësimi apo funksionimi jo me të gjithë numrin e deputetëve që parashikon kushtetuta, atëherë, kuptohet fare lehtë se zgjedhjet e 30 qershorit përpara një paralize totale të jetës politike dhe institucionale të vendit nuk ka kurrfarë rëndësie./ Gazeta Liberale

(Visited 3 times, 1 visits today)

Etiketa:

KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

* *