Kryesore

Pritja… për një personazh Grua

               Publikuar në : 10:15 - 11/01/21 liberale

Marçel Hila – Romancier

Romani më i fundit i Rudolf Markut “Pritja”, tregon fatin e një gruaje të pafajshme, që, në këmbim të dashurisë së saj, gjen Ferrin njerëzor. Një vlerë këmbimi, një Exchange Rate tragjik, zhgënjyes dhe marrosës.

Përmes këtij libri, nuk jam njohur thjesht me një karakter librash, me një personazh letrar, por me një Grua, të cilën deri më tash lexuesi shqiptar nuk e ka ndeshur në asnjë vepër tjetër. Letërsia shqiptare, përgjithësisht një letërsi mashkullore, e zhvendos gruan në një rrafsh të dytë. Në këtë libër Gruaja është vetë romani. Një grua që vjen dhe gjen Ferrin këtu, mbi Tokë, por që me historinë e vet do të na kujtojë se edhe Parajsa e padukshme, por e gjithëfuqishme, është po kështu, mbi këtë Tokë.

Roza Hubert ecën përmes Shkretëtirës së Shqipërisë, fillikat e vetme, pa familje, pa askënd pranë, e vetmuar, së cilës i gjenden afër, kohë pas kohe,  veç një grusht miqsh të rënë e të vetmuar po aq sa ajo vetë. I ka të gjithë kundër: regjimin, kohërat, fatet, konjukturat.

Kam qarë tek e lexoja këtë libër. Kam qëndruar shumë afër Rozës, pas shpinës së saj, aq afër, sa të mos e humbisja nga sytë, dhe po aq larg, sa të mos e dhunoja me praninë time prej lexuesi.

Kurrë, në asnjë prej leximeve, nuk më ka ndodhur të jem kaq afër me një karakter libri, sa me Roza Hubert. Peripecitë përzhitëse dhe të tmerrshme që gatuan Fati, loja e tmerrshme me të cilën, me zemërngurtësi, tallet jeta, duken si një provë që një dorë e padukshme do që t’i sprovojë qeniet e gjora njerëzore. Dhe na kujton Letrën e Parë të Shën Pjetrit që na thotë se Zoti i provon Shpirtërat me flakë dhe zjarr, po ashtu si Arin, për të nxjerrë prej aty çdo skorje dhe papastërti. Roza Hubert është Gruaja e gdhendur nga dalta mëshirëpaktë e padrejtësive, flaka e vetmisë dhe llava e pritjes.

Me leximin e këtij libri, jam i bindur se Rudolf Marku na ka dhënë bujarisht një vepër tjetër letrare, që e vendos autorin në një vend të privilegjuar të letërsisë. /Gazeta Liberale


KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

Back