Letërsi

"Pritja", një roman për triumfin e dinjitetit dhe dashurisë

Shkruar nga Liberale

Marash Mirashi - poet

Një roman,  që pasi ke mbyllur fletën e fundit të tij, ndihesh disi i pezmatuar që mbaroi kaq shpejt  dhe duart të bëjnë të hapësh prapë faqen e parë,  për të  rinisur një lexim të ri, më ngeshëm, jo kaq rrëmbyeshëm. Nuk ka sesi ndodh ndryshe! Pasi je njohur me një histori të jashtëzakonshme dashurie, mbijetese dhe dinjiteti, ku ke parë vende të ndryshme, qytete, shtete,  sisteme të ndryshme, kohë të ndryshme, dhe një galeri të tërë  personazhesh nga më të pazakontët,  sigurisht që nuk mund të ndahesh kollaj, sepse i tillë është romani i fundit "Pritja" i shkrimtarit Rudolf Marku.

Ky libër të mbërthen, të bën për vete, e nëse je një lexues i sprovuar, sigurisht që mund ta lexosh në më pak se një ditë, duke pirë një çaj e duke medituar për faqet qe sapo i kalove,  në të majtë të syve të tu. Në një hark të shkurtër kohor, pas librit me poezi "Rrathë të brendashkruar", Rufolf Marku vjen me romanin e tij shumëplanësh, duke dëshmuar se poeti e shkrimtari në fjalë, po jeton një nga kulmet e tij, të një niveli tepër të lartë letrar dhe estetik. Lexuesi shqiptar sigurisht që ka nevojë për vepra të tilla letrare, aq më tepër në kohët e sotme, ku rendja ngazëllyese e një pjese të konsideruar të popullsisë  për t’u bërë "poet" apo "shkrimtar", është vërtetë alarmante! Romani "Pritja" i Rudolf Markut,  është një vepër të cilën kam përshtypjen që autori e ka mbajtur gjatë ndër mend, kjo kuptohet që në faqet e para dhe bindja të përforcohet, sapo mbyll  fletën e fundit.

Një libër plot dritë! Autori nga ana tjetër, i ka njohur të dy personazhet e rrallë, të skalitur me kaq përkushtim.  Një libër i shkruar me pasion, dashuri, erudicion dhe bagazh përvojash jetësore që kapërcejnë kufij shtetesh, kohe dhe sistemesh. Romani bëhet tërheqës që në nisje të tij, që kur lexuesi fillon e njihet me vajzën e bukur gjermane Roza , shqiptarin Martin dhe mjaft personazhe të tjerë dytësorë, në dukje të parëndësishëm, por që secili ka rolin e tij për të deshifruar kohën, vendet, dukuritë dhe mentalitetet njerëzore.

I ndërtuar me një stil të përkorë prej shkrimtari  të madh, romani  ka një lidhje organike  dhe logjike të ngjarjeve, ndonëse ato zhvillohen siç e përmenda, në shtete të ndryshme, sisteme të ndryshme dhe në një kohëzgjatje  të madhe kohore, që përfshin fashizmin, komunizmin dhe periudhën e pas nëntëdhjetës, atë që ne e quajmë demokraci.  Një histori dashurie, brenge, fati, zhgënjimi dhe force.

Histori e dy personaliteteve njerëzore Rozës dhe Martinit, që fati i hedh sa andej-këndej, humnerave te ferrit komunist në Shqipëri. Një histori  ku tejkalohen kufijtë e dashurisë. Ajo është diçka tjetër më e madhe që nuk mund të thuhet dot me fjalë, por vetëm mund të perceptohet pasi të kesh lexuar romanin.  Ndoshta një histori që endet qiejve, një histori pranë Zotit! Shkrimtari Rudolf Marku, na ka dhënë një panoramë fantastike të Qytetit N, ose Lezhës së dikurshme, me peizazhin e kohës dhe sidomos  me personazhet kaq të mrekullueshëm që ishin padyshim simbole të papërsëritshme të qytetit Verior.

Skalitja që u ka bërë Rudolf Marku këtyre personazheve kaq të dashur për qytetin, vjen dhe fiton akoma më shumë dritë, për shkak të errësirës psiqike të prokurorëve, hetuesve dhe kryepolicëve të kohës, që autori i "rrënon" artistikisht me po të njëjtën lehtësi profesionale, siç bëjmë kur dërgojmë në "recycle bin", ndonjë material që nuk na nevojitet më. Notat e një sarkazme të hollë dhe të një talljeje tejet elegante për sistemin që kish prodhuar monstra, të kujtojnë korifenjtë e letërsisë franceze, menjëherë pas Revolucionit.

Rudolf Marku, nuk e ka aspak të vështirë të operojë përmes mjeteve që të jep letërsia, për të realizuar karikaturën e komunizmit, përmes personazheve që vetë sistemi i prodhoi. Nga ana tjetër, atmosfera e viteve '40 në Shkodër,  vjen në këtë roman, kaq bukur, kaq qartë dhe me kaq stil. Shkodra e asaj kohe siç dhe e kuptojmë përmes pasazheve të shkruara plot dashuri,  ishte në një farë mënyre edhe qyteti i aristokratëve të pakët shqiptarë, përfshi këtu, sigurisht, edhe Martinin. Por romani "Pritja" na rijep dhe njëherë mesazhin  që kurrë nuk duhet ta harrojmë. Sitemet totalitare, enkas ato komuniste, nuk duan t'ia dinë, pasi gjithçka nis me ata. Gjithçka e krijuar dhe e kultivuar më parë, sipas koshiencës së tyre, duhet shembur! Edhe tradita, edhe dija edhe formimi, madje dhe dashuria duhet vrarë! Ashtu siç e vranë në fakt dashurinë qiellore të Rozës e Martinit, duke e shndërruar në një pritje të pafund triumfi ndaj maktheve dhe anktheve, ndaj së keqes, çnjerëzores. Një grua që pret për dekada, njeriun e saj, nuk mund të jetë as më shumë e as më pak veçse një përmendore njerëzore dashurie dhe lirie. Skalitja deri në detaje  e karaktereve të dy personazheve kryesore, si dhe përshkrimi prej mjeshtri i situatave, vendeve, apo historive që vazhdojnë paralel me historinë e madhe, e bën veprën, të dashur dhe të mirëpritur nga një kategori e gjerë lexuesish.

Duket se pena ka rrëshqitur fare e sigurtë,  për të shkruar një nga romanet më të bukur të këtyre 30 viteve në letërsinë shqipe. "Pritja" është një roman për triumfin e dinjitetit dhe dashurisë, në çdo kohë, sistem dhe vend. Kjo ngjarje ka ndodhur vërtetë në Shqipëri, por si një histori e vërtetë, ajo nuk ka konvencione kufijsh dhe gjuhe! Kjo është forca e letërsisë, e në veçanti, forca e shpirtit të një shkrimtari si Rudolf Marku. /Gazeta Liberale

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH